Senatori i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, Xhon Mëkejn po zhvillon një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Senatori Mëkejn, hero i luftës së Vjetnamit, ka filluar karrierën e tij politike në vitin 1982 kur u zgjodh për dy mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1986 u zgjodh Senator i Partisë Republikane në Senatin amerikan nga shteti Arizona, ku shërben edhe sot.
Ai kishte ambicie të bëhej president i Shteteve të Bashkuara, por fatkeqësisht nuk ia doli. Senatori Mëkejn bëri fushatë si kandidat për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në vitin 2000, por humbi në garën kundër Xhorxh W. Bush-it. Ndërsa në vitin 2004, me gjithë se siguroi emërimin për president nga Partia Republikane, ai u mund në garën e zgjedhjeve të përgjithshme nga kandidati i Partisë Demokrate, Barak Obama. Gjatë administratës Obama, Senatori Mëkejn mbajti qëndrime konservatore, ndërkohë që kundërshtoi politikat e administratës Obama, sidomos politikat e presidentit demokrat në fushën ushtarake dhe të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ai ka një përvojë në punët e sigurimit kombëtar prej më shumë se pesë dekada. Si kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, është pikërisht ky interesim i senatorit republikan nga Arizona në zhvillimet aktuale ndërkombëtare politike dhe ushtarake, që e shtyri të zhvillojë turneun e tanishëm në Slloveni, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri. Një arsye tjetër e këtij turneu në atë rajon të Evropës, është edhe shqetësimi i thellë që Senatori Mëkejn ka shprehur vazhdimisht në Kongres dhe në median amerikane në lidhje me influencën politike dhe ushtarake të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Senatori Mëkejn u shpreh se në takimet e deritanishme me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve, ai u ka shfaqur bashkbiseduesve, “Shqetësimin e tij të thellë mbi sjelljet destabilizuese të Rusisë në Evropë, sidomos në lidhje me dhunimin flagrant të sovranitetit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia”.
Një objektiv tjetër i vizitës së Senatorit Republikan në vendet e Evropës Jug-lindore — si mbështetës i vendosur i Aleancës së Atlantikut Verior NATO – është për të siguruar Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu siç bëri gjatë vizitave të tij në Kroaci dhe në Slloveni, se “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj vizionit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë – është i pa lëkundshëm” dhe se aleanca NATO nuk do të tërhiqet nga angazhimi saj, për të mbrojtur sigurinë dhe vlerat e përbashkëta të vendeve anëtare.
Vizita e Senatorit Mëkejn në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura, por edhe si njëri prej politikanëve më të lartë amerikanë, i mirë informuar mbi politikat e jashtme dhe ushtarake si dhe mbi problemet dhe sfidat ndërkombëtare në përgjithsi, por edhe si mbrojtës i vendosur i interesave gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në veçanti, përfshirë Ballkanin perëndimor.
Po cili ka qenë dhe cili është interesimi i Senatorit Mëkejn për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi?
Pas vizitës së tij në Beograd, ai u shpreh për median se në kuadër të kësaj vizite, ai do të shkonte gjithashtu për vizitë edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mal të Zi për bisedime me udhëheqsit më të lartë të këtyre vendeve, sipas tij, për të “Ritheksuar angazhimin e të dy partive politike në Kongresin amerikan, ndaj aleatëve dhe partnerve të Shteteve të Bashkuara dhe për të biseduar mbi çështje të rëndësishme për rajonin.” Duhet theksuar se interesimi i Senatorit Mëkejn për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, për shqiptarët në përgjithsi, si dhe për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës nuk është i kohëve të fundit, por është shprehur shumë vite më parë në rastin e Kosovës, me mbështetjen e tij të fortë për sulmet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe më vonë ishte një zë i fortë në Kongesin amerikan për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Senatori Mëkejn ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i antarësimit të Shqipërisë në NATO dhe vazhdon të jetë mbështetës i vendosur i pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe të Kosovës në organizmat politiko-ushtarake perëndimore. Por fatkeqsisht, mbështetja e Senatorit Mëkejn dhe e Shteteve të Bashkuara, në vetvete, nuk mund të garantojë integrimin e plotë të dy shteteve shqiptare në organizmat euro-atlantike. Për një integrim të tillë, janë “detyrat e shtëpisë” që duhen kryer nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.
Njoftohet se në kuadër të vizitës në Shqipëri dhe në Kosovë, Senatori Mëkejn ka në plan të takohet me udhëheqësit më të lartë të dy shteteve shqiptare, ndërsa në Prishtinë mban fjalim para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mund të jetë shumë e vështirë që udhëheqsit më të lartë shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, e sidomos ata në Tiranë, të bisedojnë me Senatorin Mëkejn për vlerat e përbashkëta, në kulmin e krizës politike që mbretëron në radhët e “partizanëve” të partive politike në të dy anët e kufirit, për një kohë mjaft të gjatë tani, dhe pa asnjë përspektivë për daljen e saj nga ky qorrsokak që ka mbërthyer politikën dhe si rrjedhim edhe shoqërinë shqiptare.
Bashkpunimi politik besoj se do jetë njëri prej mesazheve të Senatorit Mëkejn për klasën politike shqiptare. Udhëheqsit shqiptarë duhet të jenë gjithashtu të vetdijshëm se vizita e Senatorit Mëkejn në Tiranë dhe në Prishtinë është jashtzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, por edhe për faktin se, si njohës i mirë i politikave në Ballkan dhe si mik i vjetër i shqiptarëve – pas vizitës, Senatori Mëkejn do t’i raportojë Kongresit, popullit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë për ato që ka parë e dëgjuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Reporter më të besueshëm se Senatorin Mëkejn nuk mund ta gjesh. Ai do raportojë ashtu siç i sheh gjërat, pa dorëza, i thotë troç gjërat. I tillë është ai edhe në marrëdhëniet me kolegët e tij demokratë e republikanë e madje edhe me kryetarin e partisë së tij, Presidentin Donald Trump. Duke marrë parasyshë krizën e tanishme politike atje e kam të vështirë të marr me mendë se raporti i Senatorit Mëkejn mbi bisedimet e zhvilluara me udhëheqsit më të lartë në Shqipëri dhe në Kosovë të jetë shumë pozitiv mbi gjëndjen e mbrendshme të shqiptarëve, e cila fatkeqsisht, nëqoftse përkeqsohet edhe më tepër — eventualisht — mund të ndikojë negativisht edhe në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën. Mjafton që — për arsye të krizave politike të një pas njëshme dhe të pashpjegueshme në zhvillimet politike të shqiptarëve — të shënohet, jo një armiqësi, sepse nuk besoj se mund të ndodhë një gjë e tillë nën rrethanat e sotëme botërore. Por një ftohje e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është e mundshme. Armikja më e madhe e këtyre marrëdhënieve, për ndryshe deri tani të shkëlqyera – do të ishte indiferenca e zyrtarëve të lartë dhe e mbështetsve amerikanë, siç është Senatori Mëkejn, ndaj interesave afat shkurtëra dhe afat gjata të kombit shqiptar. Ndoshta Senatori Mëkejn, si mik i shqiptarëve që është, mund të luaj një rol pozitiv midis palëve për zgjidhjen e ngërçit aktual politik në Tiranë, por unë për veten nuk kam shumë shpresë.
Fatkeqsisht, që tani e lexoj skriptin e deklaratave që do lëshohen pas takimeve nga udhëheqsit shqiptarë me Senatorin Mëkejn: “Senatori Mëkejn shprehu mbështetjen e tij për fuqizimin e marrëdhënieve midis dy popujve. Mbështeti integrimin e plotë të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike. Mbështeti zgjedhjet e drejta dhe të lira. Mbështeti reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupcionit”, e kështu me radhë. Senatori Mëkejn dhe Shtetet e Bashkuara, në fakt, i kanë mbështetur të gjitha këto kushte të një shoqërie demokratike, ç’prej shëmbjes së komunizmit. Pyetja është nëse vet klasa politike shqiptare është serioze e t’i mbështetë këto kërkesa. Historia tregon ndryshe!
Nëqoftse dëshironi të leni një përshtypje të mirë për veten dhe për vendin që përfaqsoni, ju lutem, në takimet veças me Senatorin amerikan, mos flisni keq për njëri tjetrin si kundërshtarë politikë, sepse ai e urren një gjë të tillë. Sepse Senatori Mëkejn njihet si patriot i vërtetë i vendit të tij, njëri prej ligjëvensëve amerikanë i cili bashkpunon me të gjithë në Kongres, pa marrë parasyshë qëndrimet e tyre politike dhe interesat partiake. Besoj se si mik i shqiptarëve që e konsideron veten, mesazhi kryesor i Senatorit Mëkejn për udhëheqsit shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, do të jetë: bashkpunoni me njëri tjetrin për të mirën e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, por njëkohsisht edhe për hir të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, nëqoftse ato janë të rëndësishme për ju. A do të merret parsyshë ky mesazh i një miku të vjetër? Shpresoj, kundër shpresës, që Senatori Mëkejn të mos largohet nga trojet shqiptare i zhgënjyer.