Dy ditë para se të shkelë në tokën arbërore për
vizitën e tij në Tiranë, Papa Francesku
ka përshëndetur gjatë një meshe në Vatikan, shqiptarët dhe ka falënderuar
popullin shqiptar për përgatitjet që ka ndërmarrë për ta pritur atë sa më mirë
me rastin e vizitës së tij në kryeqytetin e shqiptarëve, ndërsa ka theksuar
edhe njëherë shembullin e tolerancës fetare ndër shqiptarët, si një prej
arsyeve kryesore të vizitës së tij në Shqipëri, duke thënë tekstualisht
këto: “Të dielën, me ndihmën e Zotit do
të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë
për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një
bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes popullin
shqiptar dhe i falënderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të
gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, ka thënë Papa disa ditë para udhtimit
të tij drejtë Tiranës.
Në pritje të Papa Françeskut, rrugët e Tiranës, në
mënyrën më dinjitoze janë dekoruar me flamujt e kombit shqiptar dhe të
Vatikanit, ndërkohë që bulevardi i “Dëshmorëve të kombit” ku do të kalojë Papa për të shkuar tek Sheshi
“Nënë Tereza”, është mbuluar në të dy anët me portretet e disa dyzina
klerikësh katolikë, të vrarë mizorisht nga regjimi komunist i Enver
Hoxhës. Siç duket nga përgatitjet
shtetërore dhe qeveritare, kjo vizitë e Papës do të jetë tepër dinjitoze, ashtu
siç duhet dhe siç e kanë traditë shqiptarët.
Megjithëse Papa Françeskut i pëlqen thjeshtësia, është me vend që kjo pritje të reflektojë dëshirën e Papës që
ai ka shprehur se me vizitën e tij do të kujtojë vuajtjet e popullit shiqptar.
Andaj kjo vizitë, ndër të tjera, duhet të jetë një dëshmi e tragjedisë së
klerit katolik shqiptar gjatë regjimit komunist, e këtyre viktimave të
pafajshme të vrarë nga një dorë e pamëshirshme e një shteti terrorist. Duhet të jetë
një dëshmi jo vetëm për vet
shqiptarët, por dhe për botën e cila këtë të djelë do të jetë e pranishme aty
në mes të Tiranës, nepërmjet më shumë se 1600 gazetarëve. Sepse, megjithëse Shqipëria e vogël në
krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste ku gjithashtu persekutohej feja,
numri i klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë, proporcionalisht, duhet të jetë
numri më i madh në krahasim me numrin e
viktimave të klerit katolik në ish vendet komuniste të Europës Lindore, gjë që
e bën tragjedinë, e jo vetëm të klerit katolik –por edhe atij mysliman dhe
ortodoks shqiptar — si një ndër terroret dhe masakrat më të egëra komuniste, që ka njohur
bota.
Shpresohet që kjo ekspozitë e mrekullueshme në
qëndër të Tiranës, përveç dëshmisë që tregon,
të jetë njëkohsisht edhe fillimi i përjetsimit të kujtimit të tragjedisë
së këtyre viktimave të pafajshme — dhe jo vetëm tragjedisë së tyre por edhe
fatit dhe historisë moderne të kombit. Sepse me vrasjen e këtyre klerikëve nga
regjimi komunist, u zhdukën ato që Ernest Koliqi i pat cilësuar ata në një
shkrim si, “Rreze Qytetnie të Fikuna”, duke përmendur poetnit dhe
shkrimtarët e njohur klerikë, si Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin
Palaj, Lazer Shantoja, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani e shumë
e shumë të tjerë. Ishin këto viktima të
komunizmit, portretet e të cilëve janë vendosur në qëndër të Tiranës me shumë
të tjerë, të cilët Ernest Koliqi i kishte njohur personalisht, e të cilët sipas
tij, “Ishin Artista të fjalës, që
ndërsa e holluen shqipen tue ia shtue mjetet shprehëse, ata synojshin
rritjen e breznive të reja në zjarmin e idealit kombëtar.” Koliqi vazhdon shkrimin e tij me rastin
20-vjetorit të fillimit të tragjedisë së klerikëve shqiptar që u shlnua këtu në
Amerikë më 1966, duke thënë se, klerikët
e martirizuar, “Na çilën sytë me pa shkëlqimin e trashëgimit tonë
stërgjyshor. Ndikuen në shpirtin tonë krenarinë e emnit shqiptar. Fetarë po,
dhe të përpikshëm, por edhe atdhetarë të qitun.”
Periudha e komunizmit si në gjithë botën tjetër, për
nga egërsia me të cilën trajtonet kundërshtarët, ishte një kapitull i historisë
së Shqipërisë dhe të shqiptarve me të cilën nuk mund të ndjehet askush
krenar. Përveç tjerash, zhdukja fizike e këtyre klerikëve dhe
eliminimi i veprave të tyre letrare dhe kombëtare ka varfëruar përgjithmonë
edhe vet historinë dhe kulturën kombëtare të shiqptarëve. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atyre që
ndërmorën këtë vëllavrasje me urdhëra të të huajve, fillimisht nën urdhërat e
jugosllavëve e më vonë të rusëve, qëllimi i të cilëve ka qenë gjtihmonë që të
ndalonjnë zhvillimin dhe prirjet përparimtare perëndimore ndër shqiptarët, dhe
njëkoshisht të zhdukin edhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Ishin këto krime çnjerzore të ndërmarra nga
një regjim i tërbuar me ideologjinë komuniste sllavo-aziatike i cili nuk kishte
asgjë të bënte me kombin shqiptar dhe as nuk i shërbente interesave të tij.
Por fatbardhsisht planet e tyre, megjithse e çuan
shumë mbrapa kombin shqiptar nuk dolën me sukses. Kujtimi i këtyre viktimave të komunizmit siç
pasqyrohet nga përgatitjet për vizitën e
Papa Françeskut në Tiranë nga qeveria, nga shteti si edhe nga besimtarët e tre
besimeve fetare dhe i mbarë populli shqiptar këtë diel, vërteton fjalët e poetit kombëtar At Gjergj
Fishtës kushtuar dëshmorëve:
“….E
kur Shqyptari ndër ma të largtat mote
Nepër të cilat do të endet jeta e njerit,
Kur të këndoj Shqyptari m’ato kangë kreshnike
Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue
Për me u ndërtue Atdheu i tij Shqypnia:
-O të lumtë ata, ka me brohoritë me vedi
Që flija e Atdheut e ban, e tue dhanë jetën,
Liri Atdheut e të ambël jetë i suellën.
E ai vorret tua atëherë ka me kërkue
E ka me i gjetë, e ka me i ruejt, si ruhet
Altari i Atdheut: e me kunora të blerta
Ka me i lulëzue, e mbasandej besën
ka për tua dhanë mbi vorr, se kurr për së gjallit
s’ka me e koritun namin tuej e nderen
Se ka me dekë për Atdhe si desin burrat,
Si diqët — qe– ju për një Shqypni të lirueme”
Në Shqipëri dhe ndër shqiptarët kudo ndihet një
shprehje krenarie për pritjen që po i bëhet Papa Françeskut në vizitën e tij
Tiranë të djelën që vjen si dhe kujtimit
që me këtë rast po u bëhet të viktimave të regjimit komunist të
klerit katolik. Ndoshta kjo vizitë e Papës është edhe një rast i mirë për tu
zotuar se shqiptarët sot e tutje — këtyre dhe të gjitha viktimave të
komunizmit shqiptar të të gjitha feve e të gjitha krahinave — s’ka “me ua
koritur namin e as nderin”, pasi këta si viktima të pafajshme, humbën jetën për
lirinë që gëzon sot Shqipëria dhe kombi
shqiptar. Ky është një obligim jo vetëm
fetar e moral por edhe atdhetar, një angazhim ky që më në fund do të sjellë
paqë e pajtim dhe do të çojë në një manifestim të shërimit të plagëve
kombëtare.
Frank Shkreli: Strategjia e kryetarit amerikan, Barak Obama kundër ISIL-it
Kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak
Obama, në fjalimin e tansmetuar “live” nga Shtëpia e Bardhë, njoftoi
kombin amerikan dhe botën mbi strategjinë e gjithanshme të Amerikës “për të
degraduar ose për të dobësuar dhe më në fund për të shkatërruar grupin
terrorist ISIL”.
Presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij se si Krye-Komandant
i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “prioriteti më madhor
është siguria e popullit amerikan”.
Z. Obama tha se megjithëse janë shënuar suksese në luftën kundër
terrorizmit, “ne vazhdojmë të përballemi me kërcënime
terroriste.” Udhëheqsi amerikan
shtoi duke thënë se, “Ne nuk mund të zhdukim çdo të keqe nga faqja e
dheut. Kjo ishte e vërtetë para sulmit të 11 shtatorit 2001 dhe kjo është e
vërtetë edhe sot. Prandaj, kjo është
arsyeja që ne duhet të mbetemi vigjilentë, përballë kërcënimeve të
reja.” Presidenti amerikan nënvijoi
se “Momentalisht, kërcënimet më serioze vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga
Afrika Veriore, ku grupet radikale po shfrytëzojnë për qëllime të veta,
problemet dhe moskënaqsitë me të cilat përballet ai rajon. Një prej këtyre
grupeve është ISIL — i cili e quan veten, “Shteti Islamik”, vazhdoi
Presidenti, duke theksuar se grupi terrorist ISIL, “nuk është as shtet dhe as
islamik.” Asnjë fe tha Presidenti
Obama nuk lejon vrasjen e njerëzve të pafajshëm, duke shtuar se shumica
dërmuese e viktimave të këtij grupi terrorist janë vetë myslimanët dhe theksoi
se grupi terrorist ISIL, “Nuk është shtet, pasi nuk njihet nga asnjë
qeveri dhe as nga populli që ai grup terrorist ka skllavëruar”, në disa
zona të Irakut dhe të Sirisë.
Presidenti Obama vazhdoi duke thënë se ky grup
terrorist dallohet për nga brutaliteti që pjesëtarët e tij përdorin, “Duke
ekzekutuar të burgosurit që ata kanë kapur si pengje. Ata vrasin fëmijtë. Ata
skllavërojnë, dhunojnë seksualisht dhe detyrojnë femrat të martohen. Ata
kërcënuan me gjenocid një grup të një pakice fetare. Dhe me barbarizmin e tyre
ata ekzekutuan dy gazetarë amerikanë — Jim Foley dhe Steven Sotloff”, tha
Z. Obama.
Në fjalimin e tij Presidenti amerikan nënvijoi se
grupi terrorist ISIL përbën një kërcënim jo vetëm për popullin irakian dhe
popullin sirian, por edhe më gjërë
sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë shtetasit, personelin dhe
objektet amerikane në atë rajon.
Prandaj, nëvijoi Presidenti Obama, “Nëqoftse nuk merren masa të
menjëhershme, këta terroristë mund të paraqesin një kërcënim gjithnjë e më të
madh përtej këtij rajoni, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”. Z. Obama
informoi se agjencitë sekrete besojnë se mijëra të huaj — përfshirë
europianë dhe disa amerikanë — janë bashkuar me këtë grup në Siri dhe në irak.
Këta terroristë të trajnuar mirë dhe me përvojë lufte mund të këthehen në
vendet e tyre dhe të ndërmarrin sulme me pasoja të rënda”, theksoi Z.
Obama.
Duke nënvizuar shqetësimet e shumë amerikanëve në
lidhje me këto kërcënime, Presidenti Obama e bëri të qartë se Shtetet e
Bashkuara po përballen me këto kërcënime, me fuqinë dhe vendosmërinë e
nevojshme. “Qëllimi ynë është i qartë. Ne do t’a dobësojmë e degradojmë
dhe më në fund do t’a shkatërrojmë grupin terrorist ISIL, nepërmjet një
strategjie të gjithanshme dhe të vazhdueshme anti-antiterroriste”, e
siguroi ai popullin amerikan.
Në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma, Presidenti
Obama njoftoi një strategji për të shkatërruar grupin terrorist ISIL: “nepërmjet
një fushate sistematike sulmesh ajrore kundër terroristëve të grupit ISIL”. Z. Obama tha se, “E kam
bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët të cilët kërcënojnë vendin tonë,
kudo qofshin ata. Kjo do të thotë se unë
nuk do të hesitoj të urdhëroj sulme kundër tyre në Siri apo në Irak. Presdienti
amerikan Obama tha se, “Ky është parimi
bazë i presidencës time: Nëqoftse kërcënoni Amerikën, ju nuk do të gjeni askund
vend të sigurt për tu strehuar.” Si pjesë e strategjisë së tij kundër grupit terrorist
ISIL, Presidenti Obama nënvijoi planet për të shtuar ndihmën ushtarake për
forcat në Irak dhe në Siri, që janë duke luftuar kundër grupit ISIL, dhe u
zotua se do të dërgojë edhe afër 500 ekspertë të tjerë ushtarakë amerikanë në
Irak për të trajnuar forcat irakiane dhe ato kurde kundër grupit terrorist
ISIL. Ai premtoi se së bashku me
partnerët e Amerikës, Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet e tyre
për të zbuliuar dhe për ndërprerë burimet e financimit të grupit terrorist ISIL
dhe për të ndaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë e të vijnë si dëshirojnë nga
Lindja e Mesme. Pjesë e strategjisë së Presidentit Obama kundër grupit
terrorist ISIL, janë edhe ndihmat humanitare për vikitmat e pafajshme të cilët,
nga vendbanimet e tyre, janë shpëngulur me forcë nga terroristët ISIL. Ndër këta, tha Presidenti Obama, përfshihen,
myslimanët e sekteve shia dhe sunni si dhe dhjetëra mijëra të krishterë dhe
pakica të tjera fetare. “Ne nuk
mund të lejojmë që këto komunitete të dëbohen me forcë nga vendlindja e tyre e
vjetër”.
Kjo, tha Presidenti Obama, është strategjia jonë,
duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar në këtë orvatje, mbështetjen e
një koalicioni të gjërë partnerësh ndërkombëtarë. Këto përpjekje, tha Presidenti Obama, janë
pasqyrimi më i mirë i udhëheqjes amerikane në botë, duke shtuar se, “Ne
jemi pranë popujve që luftojnë për lirinë e vet dhe njëkohësisht përpiqemi të
sigurojmë edhe mbështetjen e vendeve të tjera, në emër të sigurisë dhe të
humanizmit të përbashkët.
Ndërkaq,
Presidenti Obama paralajmëroi duke e bërë të qartë se shkatërrimi i grupit
terrorist ISIL nuk do të ndodhë mbrenda një kohe të shkurtë dhe siguroi
amerikanët tanimë të lodhur nga lufta, se kjo strategji anti-terroriste është
ndryshe nga luftërat në Irak dhe në Afganistan — duke thënë se atje nuk do të
dërgohen forca ushtarake tokësore, por se kjo fushatë është në përputhje me
qendrimin e njoftuar prej tij në fillim të këtij viti, sipas të cilit ai
“do të përdor forcën kundër çdo njërit që kërcënon interesat bazë të
Amerikës, por që në këtë përpjekje do të mobilozohen, kurdoherë që jetë e
mundur, partnerët ndërkombëtarë, për tu përballur me sfidat më të gjëra që
kërcnojnë rendin ndërkombëtar.
Në vazhdim të
fjalimit, Presidenti Obama e cilësoi udhëheqjen ose “lidershipin” amerikan në
botë si të “qëndrueshme dhe të përhershme, në një botë të pa
sigurt.” Në luftën kundër
terrorizmit dhe në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e botës kundër
agresionit rus në Ukrainë, dhe së fundmi në luftën kundër sëmundjes Ebola në
Afrikën Perëndimore, janë Shtetet e Bashkuara
ato që vazhdojnë të luajnë gjithnjë rolin udhëheqës anë e mbanë globit.
Në lidhje me përgjegjësitë e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara në botë, Presidenti Obama tha këto në fjalimin e tij
të mërkurën mbrëma:
“Është Amerika ajo që ka mundësitë dhe
vullnetin për të mobilizuar botën kundër terrorizmit. Është Amerika ajo që mobilizoi botën kundër
agresionit rus në Ukrainë dhe në mbështetje të së dretjës së popullit ukrainas
për të vendosur vet fatin e tij. Është Amerika — shkencëtarët tanë, mjekët
tanë, shkenca dhe teknologjia jonë, ajo që mund të ndihmojë në izolimin dhe në
kurimin e sëmundjes Ebola. Ishte
Amerika, ajo që transferoi dhe shkatërroi armët kimike të Sirisë, ashtuqë ato
të mos përbëjnë një kërcënim tjetër për popullin sirian dhe as për botën. Dhe është Amerika, ajo që po ndihmon
komunitetet myslimane anë e mbanë botës, jo vetëm në luftën kundër terrorizmit,
por edhe në luftën për mundësi më të mira jetese, për tolerancë dhe për një të
ardhme më shpresëdhënse.”
“Bekimet tona të pashterrëshme”, tha
Presidenti Obama, “na imponojnë një barrë të përhershme. Por si amerikanë, ne e mirëpresim
përgjegjësinë tonë për të udhëhequr. Kur
ne ndihmuam në parandalimin e një maskare të civilëve (nga grupi ISIL) në maje
të një mali të izoluar, shtoi Presidenti Obama, ja se ç’tha njëri prej tyre:
“Ne ua kemi borxh jetën miqëve tanë amerikanë. Fëmijtë tanë do të kujtojnë
gjithmonë se dikurë na ishte dikush që i kishte dëgjuar vuajtjet tona dhe ai dikush
(Amerika) bëri një rrugë të gjatë për të mbrojtur popullin tonë të pafajshëm”,
nga zhdukja.
Presidenti Barak Obama e përfundoi fjalimin e tij
duke thënë se, “Ky pra, është roli që ne luajmë për një botë më të mirë, pasi
edhe vet siguria jonë varet nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur
kombin tonë duke jetuar dhe duke zbatuar vlerat njerëzore në të cilat
besojmë — ideale dhe vlera të
përherëshme këto, të cilat do të mbijetojnë edhe pasi të jenë zhdukur nga kjo
tokë, ata që ofrojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim.
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvizoi
gjtihashtu edhe mbështetjen e dy partive kryesore për strategjinë e tij dhe
fushatën ushtarake amerikane kundër grupit terrorist ISIL, duke mirëpritur
mbështetjen e përfaqsuesve të Partisë Republikane në opozitë dhe të Partisë
Demokrate në Kongresin amerikan, për t’i treguar botës, siç tha ai, se
“Amerikanët janë të bashkuar përballë rrezikut që i kërcënon.”