Javën që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe disa ditë më vonë Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Piers Cazalet njoftuan se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ku NATO do të investojë fillimisht mbi 50-milion euro, për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës.
Duke shkruar mbi këtë subjekt javën që kaloi, kam thënë se baza ushtarake në Kuçovë, është e pagëzuar si bazë e NATO-s dhe ashtu duhet të jetë pasi Shqipëria është anëtare e denjë e kësaj aleance të madhe ushtarake, por shqiptarët duhet të jenë të vetdijshëm se pa shtytjen dhe pa miratimin e Shteteve të Bashkuara, nuk do flisnim sot për një bazë ushtarake të NATO-s në Shqipëri dhe madje kam drojë as për antarësim të Shqipërisë në NATO. Kam thënë gjithashtu se, historikisht, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kanë aleat më të mirë strategjik, ushtarak dhe diplomatik se Shtetet e Bashkuara.
Megjithse njerzit mund të kenë harruar, por e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme, i Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe thekësuar që në vitet menjëherë pas shëmbjes së komunizmit në Shqipëri. Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për antarësimin e saj në NATO. Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve kryesisht për arsye të problemeve të mbrendshme politike në Shqipëri, por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në 1990-at, një proces ky që më në fund kulmoi në antarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.
Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhënjet me të cilin, Washingtoni i ka vlerësuar shumë. Ç’prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve më 15 mars, 1991 — pas një ndëprerjeje prej një gjysëm shekulli nga regjimi komunist— edhe Shqipëria, mbrenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkpunimin në arenën ndërkombëtare.
Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të 1990-ave. Unë pata marrë pjesë si përkëthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët, biseduan në hollësi mbi gjëndjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe mbi marrëdhëniet e ardhëshme dhe për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Pjesa më e madhe e bisedimeve me atë rast, iu kushtua luftërave në Ballkan dhe aftësive ushtarake të palëve, por mbi të gjitha u bisedua mbi aktualitetin ushtarak në territorin e ish-Jugosllavisë, mbi rolin dhe aftësitë e forcave të armatosura serbe që kishin ndezur Ballkanin dhe të cilat priteshin që — pas luftërave në Bosnje dhe Kroaci, të fillonin edhe masakrimin e popullësisë shqiptare në Kosovë, ashtu siç, në të vërtetë, edhe ndodhi.
Por si filluan marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë që çuan në antarësimin e Shqipërisë në NATO më 2009 dhe në ndërtimin e bazës së parë ushtarake të NATO-s jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë Ballkanin Perëndimor ? Ishte një proces i gjatë, por që ia vlente.
Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrveshje ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrveshje të tillë. Si diçka e jashtzakonshme, duke marrë parasyshë marrëdhëniet ose mos ekzistendën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Washington Post. “Marrveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante David Binder në gazetën Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 Tetor në Tiranë, është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Xhulali”, njoftonte gazeta e njohur e Nju Jorkut. Në marrveshjen ushtarake midis dy vendeve shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjëruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.” Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjëndej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes.
Jo vetëm që kjo ishte marrveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të antarësohej në NATO. Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për antarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të antarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për antarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.
Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër — si një “lidhje dashurie ushtarake”, (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, i pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’ – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan. Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citon gazeta amerikane, ish-Presidentin Berisha.
Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, u ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili ndërhyri në mbarim të Luftës së parë Botërore për të shpëtuar Shqipërinë. “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi të vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndërrës duke parë ushtarakët e rinjë amerikanë, krah për krah, me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhëme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikanë para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë në vitin 1995.
Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqës e begatisë në Shqipëri dhe më gjërë. Por jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata — shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve tona—e të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike midis dy popujve gjatë çerek shekullit të fundit. Janë përpjekje këto të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zejë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve europiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare. Shpresojmë që ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë, si baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjërimin e këtyre marrëdhënieve.