Thonë se bashkimi bën fuqinë, ndërsa përçarjet gjithmonë përfundojnë në disfatë. Kjo fjalë e urtë merr një domethënje të veçantë kur flitet për mungesën e bashkpunimit midis faktorëve politikë anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos i përshtatet faktorëve politikë të shqiptarëve nën Ma të Zi, ku një grusht shqiptarësh janë të ndarë në një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë. Të djelën që kaloi, në Komunën e Ulqinit u mbajtën zgjedhjet për qeverinë e ardhëshme komunale. Sipas informacioneve nga media e Ulqinit, shumicën e vendeve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit i fitoi, për herë të parë, në këto 20-e sa vitet e demokracisë faktori politik malazez, Partia Demokratike e Socialistëve, PDS. Shumë nga problemet e sotëme të shqiptarëve në Mal të Zi mund t’i atribohen politikave të hershme dhe aktuale të Cetinës ose Podgoricës kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta, por humbja e faktorit shqiptar në zgjedhjet e fundit në komunën e Ulqinit duhet të vendoset aty ku e ka vendin — para dyerve të partive dhe faktorëve të tjerë politikë dhe udhëheqsve të tyre, në rrethin e Ulqinit. Gjatë dy dekadave të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, krijimi i partive dhe faktorëve politikë është këthyer në një industri të vërtetë, por është një industri e cila nuk krijon punë për askënd, përveçse garanton vetëm punësimin e kryetarit të partisë,gjithmonë në kurriz dhe pa marrë shumë parasyshë interesin e përbashkët. Kjo ka ndodhur edhe në radhët e shqiptarëve nën Mal të Zi, por u vu në dukje haptas të djelën që kaloi, ku sipas dhënave mund të ketë pothuaj një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë, iniciativash qytetare e tjera, për një popullsi shqiptare që nuk i kalon 50 mijë banorë. Ndoshta një gjë e tillë nuk do të ishte aq katastrofale, nëqoftse atyre nuk do tu mungonte bashkrendimi i mirëfilltë i politikave dhe strategjive bashkrenduese, në interesin e përbashkët të popullësisë shqiptare të atyre anëve. Është e qartë se për derisa të vazhdojnë këto përçarje në radhët e faktorëve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, ata vet si udhëheqës dhe as problemet me të cilat përballen shqiptarët nën Mal të Zi, nuk do të merren seriozisht as nga Tirana as nga Prishtina, madje as nga ndërkombëtarët — por mbi të gjitha, as nga qeveria në Podgoricë, e cila do të vazhdojë të luaj me fatin e tyre politik dhe ekonomik, për derisa shqiptarët të mos kenë një strategji veprimi të përbashkët politike. Numëri i madh i këtyre partive nuk është asgjë tjetër veçse një fushë e përshtatshme për tu shfrytëzuar në bazë të thënjes së vjetër romake, “Divide et Impera”, përçajë e sundo. Shpresoj që zgjedhjet e të djelës që kaloi në komunën e Ulqinit të jenë një zgjim nga gjumi, nga një ëndërr e keqe, dhe që të ketë tronditur politikanët shqiptarët të këtyre trevave. Si rrjedhim, ende ka mundësi për shpresë se ata do të shikojnë përtej interesave të ngushta të karrigave të tyre partiake dhe të bashkohen për interesin e përbashkët të shumicës së banorëve të Komunës së Ulqinit. Ende ka mundësi për ndreqjen e gabimeve para zgjedhore. Ka ende mundësi për shpëtim, ka ende mundësi që politikanët shqiptarë të riabilitohen, jo vetëm në sytë e banorëve të kësaj treve, por edhe në sytë e të tjerëve jashtë kësaj komune, qoftë mbrenda Malit të Zi, qoftë jashtë tij. Pasi nevojiten 17 vende për të qeverisur Komunën e Ulqinit, lind pyetja nëse a do të bashkohen tani në koalicion, të pakën tri partitë kryesore të shqiptarëve të cilat duke bashkuar forcat, do të përbënin shumicën dhe si të tillë do të mund të qeverisin përsëri Ulqinin? Kjo besoj është dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo, por sidomos e banorëve të Ulqinit të cilët duan një qeverisje që do të mbronte dhe do të mështeste interesat e tyre politike, ekonomike dhe kombëtare. Duke iu referuar udhëheqësve të tri partive kryesore të shqiptarëve, redaksia e faqes elektronike, Lajme Nga Ulqini, në një artikull me titull: “A do të bashkohen këta tre burra që të shpëtojnë fëtyrën e ulqinakëve”, pyetje me vend dhe me seriozitetin më të madh, drejtuar klasës politike të Ulqinit, duke nënvijuar siç duket shqetësimet e mëdha në radhët e banorëve të asaj komune. Duke shprehur shqetsimet e saja mbi të ardhmen e komunës, redaksia bën këto pyetje: “A do të bashkohen këta tre burra për të shpëtuar fytyrën e Ulqinakëve? Apo ndoshta këta tre burra nuk do të mund të merren vesh se kujt t’i takojë ulësja e kryetarit të qytetit, e kujt ajo e kryetarit të Kuvendit? A do mund të merren vesh këta burra se kush do udhëheqë me departamente të ndryshme të komunës? Apo ndoshta këta tre burra as që e kanë ndërmend të bisedojnë për një gjë të tillë? Ndoshta për ta ky opsion nuk do të shqyrtohet fare, ose do të shqyrtohet sa për sy e faqe, ashtu siç u shqyrtua opsioni i bashkimit për zgjedhjet parlamentare, e i cili dështoi ende pa nisur mirë. E kjo “tentativë” do ju shërbejë, si edhe më heret, për të fajësuar njëri tjetrin për dështimin e iniciativës. A do të mendojnë një herë të vetme këta tre burra për të mirën e qytetarit, për të mirën e shqiptarëve në Ulqin? Ne qytetarët gabuam, kush me dëshirë, kush nga mosdija, e kush nga kushtet e vështira me të cilat po manipulon shtresa politike. Por a do gabojnë edhe këta tre burra, e do lejojnë këtë njollë në historinë e Ulqinit të shqipeve? Nazif, Fatmir e Mehmet, mendojini mirë veprimet tuaja sepse ju do shkruani historinë tonë, ju do vizatoni të ardhmen tonë. Mos shkatërroni atë për çka të parët tuaj e tonët kanë dhënë edhe jetën. Mendoni mirë …”, shkruhet në faqen elektronike Lajmet nga Ulqini. Përfundimi i zgjedhjeve të së djelës në Ulqin dhe gjëndja politike dhe ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi, ndiqen me interesim të madh edhe nga diaspora e madhe në numër nga ato troje shqiptare, sidomos nga diaspora që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Ameikës. Njëra prej organizatave që vepron në Nju Jork, Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Ana e Malit” e cila grumbullon rreth vetes shqiptarët e emigruar në Amerikë nga ato troje, i dërgoi një letër të hapur udhëheqësve të subjekteve politike të komunës së Ulqinit duke u bërë thirrje që tri partive kryesore të shqiptarëve dhe udhëheqsve të tyre, (Forcës së re Demokratike, Koalicionit “Për të Ardhmen e Ulqinit” dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve) që të bashkojnë fuqitë duke krijuar kështu një shumicë në kuvendin e komunës, ndonëse shumica dërmuese e kësaj komune janë shqiptarë. Letra e hapur e shoqatës “Ana e Malit”, shprehë ndjenjat e shumë shqiptarëve jo vetëm në diasporë, kurë shprehet se, “Apeli i ynë buron thjeshtë nga ndjenja e dashurisë sonë për vendlindjen dhe të ardhmen e saj. Tani është momenti që Ju të lëni në një anë interesat partiake, dhe vendimin Tuaj t’a bazoni në interesat e përgjithshme kombëtare apo në interesat e shumicës shqiptare të Komunës së Ulqinit. U jemi drejtuar me këtë rast pasi që juve u është dhënë edhe një mundësi e fundit që gjendjen ta ktheni në tabanin kombëtar dhe që asnjë subjekt politik shqiptar, të mos bëhet derë e hapur për dorëzimin e Komunës. Ju bëjmë thirrje që të shfrytëzoni këtë mundësi në favorin tuaj duke marrë parasyshë se çdo opcion tjetër shkon kundra interesit të pergjithshëm dhe do të mbani përgjegjësi dhe do të merrni gjykimin e përshtatshëm në faqet e historisë. Gjeneratat e ardhshme nuk do t’ju gjykojnë në bazë të asaj se çka është folur, por në bazë të asaj se si keni vepruar dhe koha është tani për të vepruar”, përfundon letra e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” në New York, drejtuar klasës politike të shqtarëve nën Mal të Zi. Edhe po të doja, unë nuk mund të shprehesha ndryshe dhe as më mirë se nga thirrjet e mësipërme drejtuar ndërgjegjes së faktorëve politikë të shqiptarëve në rrethin e Ulqinit. Shpresoj që këto thirrje të mos jenë thirrje në shkretëtirë, por të plotësohet dëshira e popullit për unitet dhe strategji të përbashkët programesh për përmirësimin e jetës të të gjithë banorëve të asaj komune. Thirrjet e banorëve të komunës Ulqinit, të pasqyruara në shkrimin e agjencisë, “Lajme nga Ulqini” dhe letra e hapur e të mërguarve shqiptarë në Amerikë nga Ulqini me rrethe, për nga forca e tonit të ashpër, janë tepër dëshpëruese nga një anë, por edhe shpresëdhënse nga ana tjetër se udhëheqsit politikë të partive shqiptare nën Mal të Zi, më në fund do të tregojnë ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë morale dhe politike duke dëgjuar zërin dëshpërues por shpresëdhënës të shqiptarëve kudo, i cili thërret për bashkim të forcave politike shqiptare në Mal të Zi.
Frank Shkreli: Liria nën presion anë e mbanë botës
Organizata jo-qeveritare Freedom House me qëndër në Uashington, botoi më 23 Janar raportin vjetor mbi lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës. Në raportin, Liria në Botë 2014, mbi liritë politike dhe civile në çdo shtet dhe territor të botës, Freedom House pohon se liria në botë ka rënë për të 8-tin vit me radhë. Në raportin e 41 të Freedom Haus, që konsiderohet si enti më i vjetër dhe më i besueshëm mbi gjëndjen e lirisë dhe të demokracisë në botë, thuhet se gjithsejt në 54 shtete, është shënuar një rënje e dukshme në fushën zbatimit të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërkohë që në 40-vende janë venë re përparime në këtë fushë. Në raportin vjetor thuhet se disa udhëheqës botërorë kanë përdorur, atë që raporti cilëson, si “autoritarizëm modern”, për të thyer ose margjanalizuar opozitën politike , por pa e zhdukur atë krejtsisht, ndërkohë që sa për sy e faqe pretendojnë të ruajnë rendin, qetësinë dhe begatinë. Objektivi kryesor i autoritarëve modernë, thotë Freedom House, është kapja e institucioneve në përpjekje për të dominuar jo vetëm degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes, por duan të kontrollojnë njëkohësisht edhe median, gjykatat, shoqërinë civile, ekonominë si dhe forcat e sigurimit. Këta pra janë, sipas raportit të Freedom House, autoritarët modern, të cilët i gjenë në çdo rajon të botës.
Raporti i sivjetëm thotë se zona e Euro-azisë vazhdon të mbetet njëra prej rajoneve gjeografike më shtypëse në botë, duke thënë se Bjellorusia, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë ndër vendet më shtypëse të lirive në botë, ndërsa shton se Rusia ka rritur shtypjet duke intensifikuar persekutimin e kundërshtarve politikë dhe të grupeve etnike të pambrojtura anë e mbanë vendit. Në raportin mbi Azinë thuhet se Kina, gjatë vitit të kaluar është treguar gjithnjë e më shumë jo tolerante ndaj kundërshtarve politikë, ndërkohë që autoritetet kineze, ndër të tjera, kanë arrestuar me dyzina aktivistë të cilët kanë bërë thirrje për reforma anti-korrupsion.
Në lidhje me Europën, raporti i Freedom House thotë se gjatë viti të kaluar, shumica e vendeve europiane treguan respekt për standardet demokratike dhe për liritë civile, edhe ndonëse disa prej tyre u përballen me lëvizje të tendencave dhe të një natyre nacionaliste. Raporti veçanërisht kritikon Kryeministrin e Turqisë, Recep Taip Erdogan se në qeverisjen e tij, ka treguar tendenca gjithnjë e më autoritare, duke përmendur shtypjen e protestave në Stamboll dhe fushatën e tij që ka ndërmarrë kundër zërave kritikë në media.
Raporti i përcakton 195 shtetet dhe 14 territore, si të ”lira”, “pjesërisht të lira” dhe “jo të lira”. Raportet individuale për secilin shtet dhe territor do të botohen kur të jenë gati, por kjo hartë me ngjyra përcakton kategoritë e ndryshme për secilin vend dhe rajon botëror
Zëvendës presidenti i Freedom House, dhe njëkohësisht autori i raportit, Arch Puddington i tha rëvistës amerikane Atlantic me rastin e botimit të raportit se, “Gjatë 30-vjetëve të kaluar nuk është shënuar asnjë përparim i dukshëm përsa u përket lirive në vendet e rëndësishme autoritare dhe të cilat vazhdimisht kanë rezistuar demokratizimin — siç është Rusia dhe vende të tjera në Euroazi, përfshirë vendet e Lindjes së Mesme, si dhe Kina, Irani, Venezuela” ndër të tjera. Zyrtari i Freedom House u shpreh se udhëheqsit e këtyre vendeve kanë mësuar nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, 20-vjetë më pare, që të mos ndërmarrim bërjen e reformave të rëndësishme, të cilat ata nuk mund i kontrollojnë, duke mos lejuar, ose të pakën duke penguar edhe veprimtarinë më të vogël të grupeve pro-demokratike të shoqërisë civile. I pyetur për protestat nepër rrugë dhe sheshe, përfshirë Tajlandën, Turqinë dhe Ukrainën, Z. Puddington tha se në disa vende ekziston tendenca që politikën ta zëvëndësojnë me protesta, duke dhënë si shembull Turqinë dhe Ukrainën, ku udhëheqsit e këtyre vendeve, besojnë se nëqoftse kanë një shumicë prej 52-për qind të votave, kjo, sipas mendimit të tyre i lejon ata të bëjnë si të duan dhe çka të duan. Andaj, tha ai, kur këta udhëheqës tejkalojnë mandatin e tyre duke kërcënuar demokracinë, dhe duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë popullit nuk i mbetet gjë tjetër veç të dalë në rrugë e të protestojë.
Autori i raportit vjetor mbi lirinë në botë, Arch Puddington tha për median se, “Jetojmë në një kohë, kur udhëheqsit e vendeve autoritare janë më të sigurt dhe më arrogantë se në të kaluarën dhe se tani midis tyre ekziston një lloj koalicioni, si të thuash, një aleancë e vendeve shtypëse, ” nënvijoi Z. Puddington.
Në lidhje me Shtetet e bashkuara, Raporti i Freedom House thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve më të lira në botë, por Presidenti i kësaj organizate kritikoi administratën e Presidentit Barak Obama se është treguar pasiv ndaj keqësimit të gjëndjes së lirive në botë, duke shtuar se Uashingtoni ka humbur rastet për të promovuar demokracinë dhe lirinë anë e mbanë botës. Zyrtari i lartë I Freedom House, Arch Puddington fajësoi gjithashtu edhe vendet demokratike në përgjithësi për mungesë interesimi në lidhje me shtypjen e lirisë në botë. Në lidhje me këtë, ai tha se “vihet re një mungesë vendosmërie nga ana e vendeve demokratike ndaj forcave demokratike të cilave po u bëhet presion ndaj veprimtarisë së tyre në vendet e mëdha autoritare”, dhe i akuzoi vendet perëndimore se janë të “gatëshme të bëjnë marrëveshje me shtetet autoritare me qëllim për të përmirësuar atmosferën diplomatike, por duke injoruar masat shtypëse të këtyre vendeve autoritare” ndaj popujve të tye, tha ai. Në lidhje me këtë, raporti i Freedom House, pohon se vendet demokratike, e sidomos Shtetet e Bashkuara nuk janë treguar të gatëshme për të vepruar në mbrojtje të lirive në vendet që raporti i cilëson si autoritare. Mbi këtë, eksperti Dejvid Shenker i Institutit Uashington i tha Zërit të Amerikës se, ” ndonëse publiku amerikan nuk është aspak i interesuar për një ndërhyrje tjetër ushtarake në Lindjen e Mesme, madje sipas sondazheve nuk dëshiron asnjë përzierje diplomatike e as financiare…përkrahësit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, i drejtojnë sytë dhe shpresat e tyre për mbështetje kah Shtetet e Bashkuara, por fatkeqsisht nuk po hasin në një përkrahje që ata do të dëshironin.”
Andaj, nuk është për tu habitur se kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera demokratike nuk promovojnë dhe nuk mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, ndodhë kjo që raporti i sivjetëm i Freedom House pohon rishtazi se është viti i 8-të me radhë që e pësuan keq liritë, të drejtat e njeriut dhe demorkacia anë e mbanë botës. Mbështetja dhe promovimi i lirisë, i demokracisë dhe i individëve dhe grupeve që i mbështesin këto liri anë e mbanë botës, historikisht ka qenë pjesë e pa ndarë e politikës së jashtme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Bota demokratike duhet të jetë më e angazhuar në mbrojtje të lirive individuale dhe në promovimin e demokracisë se ç’ka qenë gjatë dekadës së fundit, pasi duke promovuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë në mbarë botën, ndihmon të tjerët të sigurojnë lirinë për veten e tyre dhe njëkohësisht mbron edhe interesat kombëtare të botës demorkatike. Pasi siç tha edhe presidenti i Freedom House, David Kramer, “kur liria është në rënje anë e mabnë botës, si rrjedhim, ka më pak vende stabile dhe më pak vende partnere, duke pakësuar kështu mundësitë për bashkpunim në botë.” Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe e vendet aleate demokratike duhet ta marrin më seriozisht mbështetjen dhe promovomin e lirisë anë e mbanë botës, duke e bërë atë pjesë të pandarë të politikës së jashtme dhe ndëkombëtare, ashtuqë që liria dhe demokracia anë e mbanë botës, vitin që vjen të shënojnë rritje e jo rënie.
Frank Shkreli: Dom Gjon Buzuku dhe “Meshari”, libri i parë shqiptarëve
Siç dihet, ky vit shënon 460-vjetorin e fillimit të shkruarit në shqip të veprës së Gjon Buzukut, “Meshari” në vitin 1554, të cilën thuhet se ai e përfundoi një vit më vonë, vepër kjo që deri më sot konsiderohet si vepra e parë në gjuhën dhe në letërsinë shqiptare. Gjon Buzuku është vlerësuar nga dijetarë dhe akademikë shqiptarë, përfshirë edhe Eqrem Çabejn, si njëri prej personaliteteve më të dalluara të kombit shqiptar për kontributin e tij në hedhjen e themeleve të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar. Njëkohësisht, edhe Kisha Katolike e konsideron Dom Gjon Buzukun si një klerik të dalluar –ndër më të mëdhejtë e saj — për kontributin e tij në liturgji dhe në letrat shqip.
Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, si pjesë e festimeve të këtij jubileu, mundësoi që për herë të parë, Meshari i Buzukut të mbërrinte në atdhe pas pesë shekujsh dhe të ekspozohej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, për ta parë dhe për ta shijuar të gjithë shqiptarët. Ekspozimi i Mesharit në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë u konsiderua si një për ngjarjeve më kulmore të këtij përvjetori historik. Ja si e pat përshkruar mbërrijtjen e Mesharit nga Vatikani në kryeqytetin e kombit shqiptar me atë rast, ish-Ministri i Kulturës, i përndjekuri dhe i përvuajturi i burgjeve komuniste të Enver Hoxhës, i nderuari Visar Zhiti: “Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzier me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare. Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet, për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është. Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule. Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij…” Ndjenjat e të gjithë shqiptarëve, që vetëm një si Visar Zhiti mund t‘i përshkruante siç duhet.
Studiuesë të ndryshëm të jetës dhe veprës së Gjon Buzukut janë dakort për kontributin e madh që ai i ka dhënë letërsisë, gjuhës dhe identitetit të kombit shqiptar, por midis tyre ka të pakën dy variante mbi vendin e lindjes dhe të veprimtarisë së tij kishtare dhe kulturore. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që Buzuku të ketë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tij në zonën e Prizrenit, por shumica e studiuesve, përfshirë Eqrem Çabejn kanë shkruar se duke u bazuar në dialektin që përdor Buzuku, ai duhet të ketë lindur dhe vepruar në krahinën e Krajës, një zonë kjo midis Ulqinit dhe Shkodrës. Për më tepër, ata përcaktojnë edhe fshatin e Shestanit, si vendin ku mund të ketë lindur Gjon Buzuku. Ndonëse në mendimin tim ka pak rëndësi nëse Buzuku e ka prejardhjen prej Krajës ose prej Prizreni, rëndësi ka kontributi i tij i pakontestueshëm për kulturën dhe identitetin e kombit shqiptar, për të cilin të gjithë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, janë të një mendimi. Por megjithë pretendimet e studiuesve, të më falë lexuesi, por për arsye krenarie krahinore, më pëlqen më shumë dhe dua t’i besoj tezës së Eqrem Çabejt se Gjon Buzuku duhet të ketë lindur në një nga fshatrat e krahinës së Krajës, jo larg nga ku kam lindur edhe unë, andaj them për arsye krahinore, dhe për këtë arsye unë dhe bashkvendasit e mi ndjehemi krenarë për bashkvendasin tonë, Dom Gjon Buzukun. Bashkvendasit e mi në rrethin e Ulqinit e besojnë këtë tezë dhe sidomos këto 20-vitet e fundit janë përpjekur të përforcojnë këtë pretendim, duke mbajtur konferenca jubilare me ekspertë dhe akademikë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga dijetarë të huaj, në mbështetje të kësaj teze, se Gjon Buzuku, autori i librit të parë shqip, u përkiste këtyre trevave, ku edhe duhet të ketë shërbyer si prift i dioqezës së Tivarit. Megjithëse me burime të kufizuara financiare të organizuesve, nga këto konferenca kanë dalur botime dhe studime të posaçme, ndërkohë që ajka intelektuale e këtyre trevave është përpjekur të mbajë gjallë kujtimin e bashkvendasit të tyre, Gjon Buzukut, me aktivitetedhe botime të ndryshme.
Një vend të rëndësishëm të kësaj veprimtarie të vazhdueshme në kujtim të birit të këtyre trevave shqiptare e zën edhe revista, “Buzuku”, e cila para disa ditësh festoi botimin e numrit 40-ët të saj. Kjo revistë e shqiptarëve në Mal të Zi përpiqet të mbaj gjallë trashëgiminë e veprës së Gjon Buzukut dhe rolin e tij të rëndësishëm në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Sipas revistës tjetër me rëndësi për Shqiptarët në Mal të Zi, “Koha Javore”, kohët e fundit në Ulqin u përurua numri i 40-ët i revistës “Buzuku”, në një konferencë ku ishin të ftuar folës ekspertë, për të vlerësuar rolin e saj në ruajtjen edhe konsolidimin e gjuhës, të traditave dhe kulturës arbërore në këto troje shqiptare. Mbi të gjitha, sipas Kohës Javore, folësit u përqendruan tek roli i mbështetjes së identitetit kombëtar shqiptar që luan revista Buzuku dhe vlerësuan njëkohësisht edhe punën e kryeredaktorit të saj, Dr. Simë Dobrecit. Vetë, Dr. Dobreci tha në atë tubim se në revistën “Buzuku”, në vazhdimësi të traditës së jetës dhe veprës së Gjon Buzukut, “Jemi munduar të paraqesim kulturën tonë, adetet e traditën, rrënjën tonë.” Aty mori pjesë edhe akademiku Emil Lafe nga Tirana, i cili përgëzoi kryeredaktorin dhe bashkpuntorët e tij — përfshirë edhe dy ish-mësuesit e mi të tetë-vjeçares, Bahri Brisku dhe Riza Rexha, si anëtarë të redaksisë — për misjonin që sipas tij, ata i kanë vënë revistës, „Buzuku“, duke u shprehur se ai, “Është roli i ndriçimit të identitetit kombëtar, roli i nxjerrjes në pah të atyre pasurive të mëdha të folklorit, të kulturës popullore, të mitologjisë dhe të gjitha pasurive të tjera të botës shpirtërore shqiptare”, ka thënë akademiku Emil Lafe, duke shtuar se revista ka si mision jo vetëm zbardhjen e së shkuarës, por edhe të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve nën Mal të Zi. Ai përfundoi duke thënë se roli i revistës “Buzuku” tani dhe në të ardhmen është që të, “përballohet për të mbrojtur identitetin kombëtar, gjuhën dhe letërsinë, për të ecur bashkë me pjesën tjetër të popullit shqiptar kudo që është”. Sipas “Koha Javore”, në tubim foli edhe Dr, Nail Draga, Drejtor i Qëndrës Kulturore të Ulqinit, i cili vlerësoi punën e Kryeredaktorit Simë Dobreci, duke thënë se në saje të punës së tij të palodhur, “tani e kemi një arkiv prej 40 numërash, i cili do të shërbejë për të tashmen dhe të ardhmën”, por shtoi ai, “sikur mos të ishte revista Buzuku, shumçka do ta kishim humbur”. Edhe Kryetari i bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Dr. Gani Karamanaga e vlerësoi rëvistën “Buzuku”, duke thënë se, “Më e rëndësishmja është që ajo ka luajtur rolin e padiskutueshëm që shumë prej neve të këthehemi nga vetvetja, të mësojmë çka është gjuha shqipe, çka janë simbolet e shqiptarisë”, tha Dr. Gani Karamanaga.
Ashtu si edhe Gjon Buzuku në kohën e tij, edhe revista “Buzuku” sot, dëshiron të bëjë diçka për popullin e vet, përpiqet të ruaj dhe të vazhdojë trashëgiminë e Dom Gjon Buzukut që të bëjë aq sa ka mundësi, për të mbrojtur identitetin kombëtar në trojet shqiptare nën Mal të Zi dhe më gjërë. Zgjidhja e problemeve në lidhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve, si 460-vjetë më parë, ashtu edhe sot ka nevojë, sipas Gjon Buzukut, “për ndriçimin e mendjeve të njerëzve”, jo vetëm në trojet shqiptare nën Mal të Zi, por në trojet shqiptare në mbarë Ballkanin.
Urime revistës Buzuku në punën e saj fisnike në trojet tona nën Mal të Zi dhe, sipas lutjes së dom Gjon Buzukut, në këtë 460-vjetor të Mesharit, “Ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë, O Zot.” Nga tokat Arbërore, largoje të keqën, o Zot.