“Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve. Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve të historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme. Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë. Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.” Nga fjalimi i At Gjergj Fishtës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris – 1919 Shkas për këtë shkrim u bë një artikull që lexova në faqen e internetit të Agjencisë së lajmeve INA, me qendër në Shkup. Redaksia e INA-së me të drejtë ankohet për një problem që e quan aktual, por në të vërtetë është një problem i vjetër dhe i vazhdueshëm. Por, për më tepër, është një fenomen shqetsues edhe për nga fakti se ka mbijetuar në median shqiptare, dhe që në të vërtetë është një çpikje dhe shpifje e politikës dhe medias anti-shqiptare të fqinjëve, ç’prej shekullit të kaluar, kur Shqiptarët në trojet e veta në ish-Jugosllavi, cilësoheshin me lloj-lloj epitetesh fyese për t’i dalluar ata nga “Shqiptarët e vërtetë” të Shqipërisë së cunguar, në përputhje me zbatimin e strategjisë politikës sllave se shqiptarët nën ish-Jugosllavi nuk janë aty në trojet e veta, por të ardhur. Agjencia Ina specifikisht ankohet ndaj disa “medieve në Shqipëri, që vazhdojnë t’i quajnë Shqiptarët e Maqedonisë si shqiptaro-maqedonas”, duke shkruar se epitete të tilla, “përbëjnë një skandal”. Ajo citon profesorin e Universitetit të Shkupit, Avzi Mustafa, i cili shpreh zemërimin e tij ndaj këtij fenomeni në median shqiptare duke thënë se, “Duhet të ndërpriten emërtimet e tilla. Sepse me këto emërtime ata na llogarisin se ne jemi si emigrantë apo diasporë në Maqedoni. Shqiptarët e Maqedonisë janë autoktonë dhe duhet të llogariten ashtu siç janë, e jo të emërtohen ashtu siç është praktikë në mediet e Shqipërisë, si maqedonas apo shqiptaro -maqedonas. Në kontekstin gjeografik nëse duhet të përdoret, atëherë le të përdoret ajo që u takon shqiptarëve, dhe të quhen shqiptarë të Shqipërisë Lindore. Por, do të ishte më e drejtë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të thirren shqiptarë të Maqedonisë”, u shpreh për Agjencinë INA, Profesori i Albanologjisë në Universitetin e Shkupit, Avzi Mustafa. “Ne jemi një komb, kemi një identitet shqiptar dhe nuk dallojmë me shqiptarët në Shqipëri, ndërsa dallojmë shumë nga maqedonasit”, tha në deklaratën e tij për INA-n, Profesori Mustafa. Agjencia INA njofton gjithashtu se me nismën e saj, një grup intelektualësh së shpejti do i drejtojë një peticion medieve, institucioneve dhe udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë me qëllim që të, ”ndërpriten së përdoruri emërtime të tilla shpifëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.” Naser Pajaziti, njëri ndër drejtuesit e Agjencisë së lajmeve INA deklaroi në lidhje me këtë nismë se, “Qëllimi ynë është që të ndërpriten praktika të tillë, sepse konsiderohen si fyese dhe denigruese për çdo shqiptar në Maqedoni. Me këtë fushatë kërkojmë mbështetje nga mediet, intelektualët shqiptarë dhe institucionet që të ndërpritet emërtimi i tillë i shpifur”, u shpreh Naser Pajaziti, i agjencisë INA. Kjo nismë e Agjencisë INA meriton mbështetjen e të gjithëve, si një çështje prioritare, sidomos të përfaqësuesve të medies por edhe të gjitha enteve politike, akademike dhe kulturore, anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi ky nuk është vetëm një problem për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, ndaj të cilëve janë përdorur epitete shpifëse e denigruese. Nuk ka të falur që media shqiptare të bie pre e përdorimit të këtyre epiteteve kur shkruan për shqiptarët në trojet e veta. Mediat dhe politika sllave që i kanë shpikur këto epitete fyese ndaj shqiptarëve, i kanë përdorur dhe vazhdojnë t’i përdorin për qëllime të caktuara politike dhe gjeopolitike. Por, këtë nuk duhet ta bëjnë media dhe politika shqiptare. Në përpjekje për të përçarë e sunduar, politika sllave i përcaktonte shqiptarët që jetonin në trojet e veta në ish-Jugosllavi, me termin denigrues “shiptari” ose me epitetin edhe më denigrues, “shiftari”, për t’i dalluar ata nga shqiptarët e Shqipërisë, termi sllav për të cilët është “albanci”. Qëllimi i kësaj politike shekullore anti-shqiptare nga fqinjët ishte që të zhdukeshin gjurmët e karakterit të kombit shqiptar në tokat e pushtuara prej tyre, siç ka thënë edhe At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqss në Paris pothuaj 100-vjet më parë është, “për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqën”. Prandaj, gjithnjë sipas Fishtës në të njëjtin fjalim, pasi “shka merr prej Mitrovice e tutje, asht krejt shqiptare” si e tillë atëherë, të gjithë shqiptarët kudo, sidomos brenda kufijve të vetë etnikë dhe gjeografikë, duhet të përdorin parime të njëjta drejtshkrimore në lidhje me përcaktime të tilla në media, por edhe në prononcime e deklarata politike, si një ndërmarrje kjo e pandashme e ndërgjegjes dhe e identitetit të përbashkët kombëtar.
Frank Shkreli: Roli i fesë në politikë
Kohët e fundit në mediet shqiptare është venë re një debat mjaft i nxehtë në lidhje me rolin që duhet të luaj feja në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Është pak i çuditshëm fakti se feja dhe roli i fesë në shoqërinë dhe politikën shqiptare po debatohen në këtë kohë, sikur shqiptarët nuk kanë probleme të tjera jo fetare, me të cilat duhet të merren në këtë moment, siç janë problemet e mëdha ekonomike dhe sfida të tjera politiko-shoqërore të botës shqiptare. Por ndoshta nuk duhet të habitemi për këtë debat mbi influencat e huaja, ndërkohë që Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe ndërkohë që edhe Kosova gjendet përballë sfidash të mëdha të konsolidimit të shtetit si dhe të përpjekjeve diplomatike për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Disa analistë shprehen se ky debat po nxitet dhe inkurajohet edhe nga element të huaj me influencë në hapësirat shqiptare, në përpjekje për të mbjellë ngatërresa, dhunë e përçarje dhe për të përhapur urrejtje në radhët e shqiptarëve dhe si rrjedhim për të vonuar ose për të zhdukur përgjithmonë aspiratat e kombit shqiptar për integrim në organizmat eurotlantike.
Megjithëse çështjet e ditës dhe taktikat e përdorura në të kaluarën kanë ndryshuar, duket se edhe sot si gjithmonë më parë në periudha kur kombi shqiptar është gjendur para vendimeve historike për të ardhmen e vet, ndërkohë që shqiptarët, si kurrë më parë në histori, janë në prag të një të ardhme më të mirë — diçka ose dikush del për të penguar përparimin e këtij kombi, duke sulmuar gjënë më të shenjtë të tij, harmoninë fetare. Kësaj here po debatohet dhe diskutohet mbi influencën e fesë dhe rolin që duhet të luaj feja e shumicës apo e pakicës, sidomos në jetën politike, kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan. Kush po e lufton dhe kush po përpiqet të dhunojë këtë dhunti morale që Perëndia ia ka falur kombit shqiptar?!
Feja është një faktor me rëndësi në jetën e individit dhe të një populli. Shqiptarët, historikisht, me të drejtë janë njohur për tolerancën e tyre fetare ndaj njëri tjetrit dhe i janë paraqitur edhe botës së qytetëruar, dhe atje ku mbizotërojnë konfliktet fetare, si një shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Kjo ka qenë dhe është një ndjenjë krenarie për të gjithë shqiptarët e tri besimeve kryesore. Shqiptarët deri tani e kanë konsideruar fenë si një çështje që ka të bëjë me jetën private të individit, dhe si një rit që praktikohet brenda mureve të xhamisë, të kishës, të teqesë ose në ndonjë objekti tjetër fetar dhe nuk e kanë konsideruar fenë si pjesë e pandashme të jetës politike të shoqërisë dhe të influencës së saj në qeverisje dhe në bërjen e politikës së shtetit. Prandaj, ky dallim pra mbi rolin që duhet të luaj feja, dmth., nëse feja duhet të jetë diçka private për indidvidin, si plotësuese e nevojave shpirtërore të njeriut, a po të shikohet si një fenomen i rëndësishëm i jetës politike dhe shoqërore të një vendi, është tepër i rëndësishëm. Ky dallim midis këtyre dy roleve që duhet të luaj feja, është tepër i nevojshëm të bëhet, kur të merren parasysh dhuna, përçarjet dhe urrejtjet që kanë prekur vendet, të cilat historikisht kanë vuajtur dhe vuajnë nga dhuna dhe mosmarrëveshjet fetare. Në qoftë se nuk bëhet ky dallim dhe nëse një shoqëri, përfshirë edhe shqiptarët, nuk vendosë se feja është çështje private dhe si e tillë, influenca e saj duhet të rrijë larg dhe të mos ndikojë në sferat publike dhe politike të jetës shoqërore, atëherë një shoqëri me probleme të tilla pasqyron vendet ku feja është bërë shkak konfliktesh e dhune, madje edhe lufte. Për ndryshe, pa këtë dallim të qartë, mbi rolin e fesë, nuk ka shpresë për ruajtjen ose zhvillimin e një shoqërie civile progresive.
Me dilemën mbi rolin e fesë në jetën publike dhe politike janë përballur e përballen shumë shtete dhe shoqëri, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ndonëse kushtetetuta e Amerikës është e qartë mbi ndarjen e shtetit nga feja, pasi ato luajnë role të ndryshme në jetën e njeriut dhe të shtetit, roli i fesë në politikë u debatua ashpër dhe haptas gjatë fushatës për president me 1960. Në atë kohë, kandidati i Partisë Demokrate ishte Xhon Kenedi, i besimit katolik, por që deri atëherë Amerika nuk kishte pasur president që i përkiste këtij besimi dhe si e tillë, ajo fushatë ishte e para ku u debatua haptazi roli që duhej të luante feja në një shoqëri, si ajo e Amerikës. Xhon Kenedi, i vetëdijshëm se shumica protestane e shikonte atë si një kandidat që i përkiste fesë katolike, u detyrua të fliste në lidhje me rolin e fesë në politikë, një fjalim që edhe sot konsiderohet si një kryevepër në lidhje me këtë subjekt, e që mund të shërbejë si një përvojë historike nga e cila mund të marrin mësim edhe të tjerët.
Në shtator të vitit 1960, kandidati për president Xhon Kenedi, në një përpjekje për të zhdukur dyshimet e shumicës protestane në lidhje me përkatësinë e tij katolike –mbajti fjalimin para një grupi priftërinjsh protestanë në qytetin Hjuston të shtetit Teksas. Me atë rast, ai bëri disa deklarata në lidhje me rolin, që sipas tij duhej të luante feja në politikë dhe në shoqëri. Ai u tha atyre se besonte fuqishëm në ndarjen absolute të shtetit nga feja, duke theksuar, ndër të tjera, se asnjë besim nuk duhet të favorizohet mbi të tjerat, pa marrë para sysh shumicën përbërëse të njërës ose tjetrës fe. Ndërkaq, ai nënvizoi besimin e tij të thellë në lirinë e fesë duke thënë se, ”Unë besoj në një Amerikë, e cila zyrtarisht nuk është as katolike, as protestane as hebreje”, duke shtuar se ai besonte në një Amerikë, ku asnjë zyrtar qeveritar nuk kërkon as nuk pranon udhëzime mbi politikën e shtetit, nga asnjë burim as udhëheqje kishtare ose fetare. Xhon Kenedi pat thënë me atë rast se ai besonte në një Amerikë ku asnjë ent fetar të mos përpiqet të imponojë, në mënyrë direkte ose indirekte, vullnetin e tij mbi publikun e gjerë ose të ushtrojë influencë mbi aktet dhe veprimtarinë publike të zyrtarëve të shtetit. Ai ka thënë gjithashtu se beson në një shtet ku, “Liria e fesë është pa dallime dhe e barabartë për të gjithë”, duke shtuar se “një akt kundër një enti fetar duhet të konsiderohet si një akt kundër të gjitha feve.” Xhon Kenedi me fjalimin e tij, përkrahu idenë se njerëzit duhet të jenë të lirë të besojnë çfarë dëshirojnë, pa iu imponuar asgjë atyre, duke theksuar se besonte në një Amerikë ku amerikanët nuk janë të ndarë në bazë të feve, por besonte në një Amerikë ku të gjithë kanë një ndjenjë vëllazërimi dhe ku anëtarët e të gjitha feve trajtohen si të barabartë.
Shqiptarët mbi të gjitha besojnë në liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës dhe të besimit, për veten dhe për të tjerët. Për këto liri është derdhur shumë gjak dhe gjatë shekujve janë humbur aq jetë shqiptarësh. Kurrë shqiptarët nuk ka njohur ndasi dhe as urrejtje fetare midis tyre as me të tjerët. Shqiptarët u dalluan si të vetmit në Evropë që strehuan dhe shpëtuan hebrenjtë nga nazistët. Kjo është fryma vëllazërore e shqiptarit që nuk ka njohur asnjëherë kufij as dallime fetare. Andaj, shqiptarët sot nuk guxojnë të bien pre e influencave të huaja që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, por të jenë besnikë të traditës dhe kulturës kombëtare, përfshrirë edhe harmoninë fetare. Kjo është në interesin kombëtar dhe ky shqetësim duhet të jetë në ndërgjegjen e çdo shqiptari, por duhet të jetë sidomos e ngulur në ndërgjegjen e çdo udhëheqësi fetarë dhe politik që feja të mos përdoret për qëllime përçarjesh dhe konfliktesh vëllazërore.