Frank Shkreli

Frank Shkreli: Tallje dhe fyerje ndaj përfaqësuesve të shtypit shqiptar

Shpërthimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama ndaj gazetarëve dhe medias shqiptare në përgjithësi, të mërkurën në Tiranë, ishte sa e pa precedencë aq edhe shqetësuese.  Ndodhë kudo në botë që një udhëheqës i lartë kritikon një gazetar ose ndonjë artikull të veçantë kritik ndaj tij ose administratës së tij.  Nuk është diçka që u pëlqen gazetarëve dhe atyre që besojnë në fjalën e lirë, por ndodhë kudo, përfshirë edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Fatbardhësisht, këtu në Amerikë dhe në vendet demokratike, ka ligje të forta dhe sistemi juridik dhe politik është i tillë që liria e shtypit në përgjithësi, edhe kur sulmohet, nuk pëson ndonjë dëm të madh dhe politikanët normal, heret ose vonë. e shohin se lufta kundër lirisë së medias dhe kritikat dhe fyerjet kundër gazetarëve individë ose si grup, nuk përfundojnë mirë për ta.   Politikanët e pjekur zakonisht nuk i shpallin luftë medias e pse, historikisht, përfundojnë të humbur.

 

Ndaj shpërthimit të zemëruar të Kryeministrit Rama pati shumë reagime, përfshirë edhe shoqatat e gazetarëve të Shqipërisë.   “Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë shpreh shqetësimin e indinjatën e thellë për sulmin dhe ofendimet e kryeministrit Edi Rama ndaj mediave sot më 25 Tetor 2017, pas përfundimit të seancës plenare, ku shumica qeverisëse votoi kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish ministrit të tij të brendshëm, i përmendur në përgjimet e drejtësisë italiane, mbi një organizatë shqiptaro-italiane të narkotrafikut”.   Ndërsa Unioni i Gazetareve Shqiptarë në deklaratën e tij u shpreh se,”Deklarimet e dites së sotme të zotit Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, drejtuar reporterëve të mediave të vendit, janë një arrogancë në komunikim dhe fyerje e një përfaqësuesi të lartë politik dhe shtetëror ndaj gazetarëve në pergjithësi”, ndërkohë u bëri thirrje gazetarëve që, ditën e premte, të dalin në protestë kundër qëndrimit të Kryeministrit Rama ndaj medias, për të bojkotuar veprimtarinë e kryeministrisë.

Me të drejtë, gazetarët shqiptarë dhe organizatat e tyre e ndjejnë veten të ofenduar por ndoshta edhe të frikësuar nga një presion i hapët dhe i drejtë-për-drejtë politik ndaj medias, siç ishte shfaqja e djeshme e kryeminsitrit Rama me gazetarët e pranishëm pas seancës plenare të parlamentit shqiptar. Si përfundim, gazetarët shqiptarë, ashtu siç ka ndodhur gjatë këtytre 27-vjetë post-komunizëm, në vend që pas një gjysëm shekulli diktaturë, ta ndjejnë vetën më të sigurt dhe më të lirë në shprehjen e mendimeve të tyre, e ndjejnë sot veten të sfiduar  dhe të frikësuar, për të mos thënë të kërcënuar zyrtarisht nga autoritetet.   Se të fyer nga numri një i qeverisë, po se po.   Kjo shfaqje shpërthyese e Kryeministrit Rama e bën më të vështirë sot punën e gazetarit ose gazetares shqiptare dhe jo më të lehtë në atë vend.

Por e vërteta është se ky shpërthim ndaj medias nga një politikan shqiptare i nivelit më të lartë nuk është as hera e parë dhe fatkeqsisht nuk do të jetë as e mbramja.   Jo se gezaterët kudo përfshirë edhe ata në Shqipëri, janë të pafajshëm dhe nuk bëjnë kurrë gabime, por historia e këtyre 27 viteve është dëshmitare se politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, kudo dhe në përgjithësi — ndryshe nga kolegët e tyre në vendet Përendimore të cilave ata pretendojnë se duan tu bashkohen – shpesh herë në marrëdhënjet midis tyre dhe në takime me përfaqsues të medias kanë sulmuar median.   Fatkeqsisht, me reagimet e tyre ndaj medias, ata të bindin se përsa u përket pikëpamjeve të tyre mbi mbrojtjen e fjalës së lirë dhe lirisë së medias, ata janë më afër qëndrimeve të “putinëve”, “erdoganëve” dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa afër vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias.

Lirinë e shtypit e kam tepër për zemër ndoshta për arsye se një pjesë të madhe të jetës time ia kam kushtuar asaj duke punuar dhe vepruar në këtë fushë.  Por, sulmet ndaj lirisë së shtypit dhe kritikat e politikanëve ndaj gazetarëve dhe punës së tyre më shqetësojnë edhe më shumë se, siç është shprehur dikur Thomas Xhefersoni,“   Liria e jonë në përgjithsi, varet nga liria e shtypit dhe si e tillë nuk mund të kufizohet, pa u humbur fare”.  Sulmet kundër gazetarëve më shqetësojnë se liria e shtypit pra konsideorhet si baza e të gjitha lirive të tjera të njeriut, për ata që besojnë në të drejtat dhe liritë bazë të njeriut.   Liria e shtypit është edhe liria e parë që zhduket në një shoqëri që ka marrë rrugën drejtë autoritarizmit.

Prandaj rasti i djeshëm në Tiranë duhet të na shqetësojë, por duhet të na shtojë gjtihashtu besimin dhe kurajon se për lirinë e shtypit ia vlenë të luftohet, se duhet folur haptazi dhe shpesh, si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysëm të lirë, siç është cilësuar Shqipëria.  Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ndër më të mirët dhe më të fortit në botë.   Si i tillë, zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe universale, është edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve.  Prandaj kjo liri duhet të trajtohet nga të gjithë, përfshirë gazetarët, por sidomos duhet të trajtohet si diçka e shenjtë nga udhëheqsit më të lartë të vendit dhe të kombit – përfshirë edhe ju Z. Kryeministër.   Ashtu siç shprehet edhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë ”Nuk është faji i medias që drejtësia italiane ka arritur të përgjojë narkotrafikatë shqiptarë, kushërinj të largët të ish ministrit të brendshëm të qeverisë, duke e lakuar emrin e tij si përfitues të aktivitetit të tyre.   Nuk është faji i medias shqiptare që prokuroria e krimeve të rënda të Shqipërisë ka nisur hetimet dhe i kërkoi kuvendit arrestimin e ish ministrit të brendshëm”. Por është detyra dhe roli i shtypit të lirë të bëjë pyetjet e nevojshme në lidhje me këtë çështje, në përpjekje për të zbuluar të vërtetën, për të mirën e publikut dhe të shoqërisë.  Detyra e medias është që të mundësojë qytetarët të jenë të informuar më mirë, me qëllim që ata të jenë më në gjëndje për të influencuar pozitivisht ecjen e punëve qeveritare në përgjithësi dhe zyrtarëve të lartë, si grup dhe si individë, në veçanti.   Për ndryshe, siç ka thënë Xhorxh Washingtoni, nëqoftse ne dhe medias na mohohet fjla e lirë,“Atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane.”

Është provuar, sidomos gjatë shekullit të kaluar se një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e lirë nuk mund të ekzistojë gjatë si e tillë pa një shtyp të lirë që informon publikun mbi veprimtaritë e qeverisë dhe të përfaqsuesve të saj dhe për të siguruar votuesit shqiptarë se përfaqsuesit e zgjedhur mos abuzojnë me pushtetin dhe me kompetencat që u janë besuar atyre nga populli, por që ta ushtrojnë pushtetin dhe obligimet e tyre si përfaqsues të popullit, për të mirën dhe interesin e përbashkët.

Është e pa besueshme për mua që një klasë politike e një vendi, i cili nuk ka njohur liri shtypi për pothuaj një gjysëm sheklulli nën cenzurën e fortë komuniste, të sillet në këtë mënyrë me përfaqsuesit e medias sot në çerek shekullin e parë të shekullit 21. Pikërisht, për arye të asaj përvoje të frikshme gjatë shekullit të kaluar, mbrojtja e lirisë së shtypit zë vend të përhershëm dhe të dukshëm në traktate dhe marrveshje ndërkomëtare siç janë:  Deklarata Univerale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Traktati i Aleancës NATO, Karta e Bashkimit Evropiana për të Drejtat Themelore të Njeriut si dhe Karta e OSBE-së për Sigurinë në Evropë, si dhe në kushtetutat e vendeve demokratike anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë.

Në atë mundësinë time modeste vetëm si një individ – jam munduar të flas shpesh për lirinë e shtytit, jo vetëm në trojet shqiptare, por anë e mbanë botës — si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysëm të lirë.   Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ndër më të mirët dhe më të fortit në botë.   Si i tillë, zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe universale, është edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve, të lirisë dhe të demokracisë.  Ky është një obligim i shenjtë i Kryeministrit të vendit – pa marrë parsysh se cili është ai dhe cilës parti i përket — por dhe i qeverisë që ai kryeson si edhe i institucioneve të shtetit në përgjithsi.  Kjo, njëkohësisht, është gjithashtu përgjegjësi morale dhe detyrim kombëtar dhe profesional edhe i gazetarëve. Por, nëqoftse roli i shtypit të lirë mbrohet ndërkombtarisht, ndër të tjera, me qëllim për të ekspozuar pa drejtësitë, krimin dhe abuzimet nga ana e qeverive dhe zyrtarëve të tyre, atëherë gazetarëve kudo – përfshirë Shqipërinë — duhet tu sigurohet një mjedis pune ku të mund të veprojnë në gjëndje sigurie, në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa fyerje nga ata që, në të vërtetë, duhet të jenë mbrojtësit më të fortë të tyre dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi, që është alfa dhe omega e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …