Mid-hat Frashëri

Frank Shkreli: Mid-hat Frashëri, kolosi i harruar i kombit

Disa burime tregojnë se Mid-hat Frashëri mbajti fjalimin drejtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Radio Londra më 16 gusht, 1949, ndonëse disa të tjera e përcaktojnë transmetimin e fjalimit të Midhat Frashëri në BBC, si në “vjeshtën e vitit 1949”. Cila do qoftë data e saktë e përvjetorit të trasnmetimit, ia vlen t’a kujtojmë fjalimin dhe njeriun e madh të kombit që u foli shqiptarëve me atë rast, vetëm disa vjetë që regjimi komunist kishte uzurpuar pushtetin në Tiranë. Po e kujtojmë atë me disa përditësime nga disa shënime të më hershme mbi këtë kolos të kombit, natyrisht, për vet meritat e mëdha të këtij burri të madh, trashëgimtar i familjes së madhe rilindase të Frashënlijve, mendimtarit, shkrimtarit, politikanit dhe mbi të gjitha Shërbestarit të Shqipërisë, siç e quanin bashkohasit dhe bashkluftarët e tij.  Në fjalimin e tij në BBC, ai paralajmëroi për fatkeqsinë komuniste dhe paralajmërimin e krijimit të Komitetit, “Shqipënija e Lirë”.  Sidoqoftë, fati i tij dhe i Shqipërisë deshi që ai të ndërronte jetë në mërgim, më 3 tetor, 1949 në New York, më pak se dy muaj pas transmetitmit të fjalimit në BBC.  Nëse vdekja e tijë papritur, aq shpejt pas fjalimit në BBC, kishte të bënte me jehonën që bëri në atë kohë ai transmetim, mbetet për t’u zbuluar nga historianët.

Pa dashur të futem në intrepretime të ndryshme, dua vetëm të shënoj këtë përvjetor me një kujtim modest, në emër të disa bashkombasish të mi, ish-bashkpuntorë të ngushtë të Midhat Frashërit – të cilët nuk janë më – por të cilët i kam njohur dhe me disa prej tyre kam patur fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave dhe të cilët, besoj se po të ishin gjallë nuk do t’a lenin këtë përvjetor të kalonte pa thënë diçka për mësuesin dhe udhëheqsin e tyre të dashur. Në emër të ish-kolegëve të mi po përpiqem të kujtoj, në emër të tyre, njeriun që ata adhuronin me gjithë zemër e shpirt.

Për ta, Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por e konsideronin edhe si udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh.  Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, ish-kolegë të mi, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos kujtonte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, më tregonin se ai iu referohej  atyre si “djemtë e mijë”.  Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, ose “Lumua” që ishte bërë si emër i dytë i tij. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm i ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s.  Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një “Shqipëri të Shqiptarëve”, siç thonin ata.

Ata flisnin për udhëheqsin e vet, si njërin prej tyre, i cili sipas ish-kolegeëve të mi, ishte i thjeshtë e i dashur me të gjithë – gjithmonë me ta — gjatë luftës nepër borë e shi e të ftohtë — si në fitore ashtu edhe në humbje.  Ata kujtonin arratisjen e tyre nga Shqipëria me lundër nepërmjet Shkodrës për të shpëtuar kokën nga Enver Hoxha, kur çlirimi i vendit fatkeqsisht u zëvendësua me sundimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, i cili detyroi që shumë prej bijve më të mirë të kombit të arratiseshin e të merrnin rrugët e botës.  Ish-kolegët e mi kujtonin jetën nëpër kampet e refugjatëve në Itali dhe gjetiu, në gjëndje shumë të vështira të asaj kohe, pa mbështetje dhe pa shpresë, shpesh edhe pa ushqim të mjaftueshëm.  Pasi e dinin se isha i lindur në trojet shqiptare nën-ish-Jugosllavinë, kolegët e mi më flisnin shpesh për pasionin e thellë dhe dashurinë që Midhat Frashëri kishte pasur për Kosovën dhe për trojet shqiptare në përgjithësi, gjithmonë theksonin ëndërrën e tij për një Shqipëri Etnike.   Megjithë humbjen politike dhe megjithë vuajtjet nepër rrugët e mërgimit, të gjithë ish-kolegët e mi, pothuaj pa përjashtim, pohonin se megjithë humbjen dhe përball situatës së zymtë të pas luftës si përfundim i fitores së komunizmit dhe të ndarjes me familjet e tyre, ndonëse ata vet kishin humbur shpresat, ata pohonin se ishte Midhat Frashëri ai, i cili, sipas tyre i frymëzonte ata, u jepte shpresë, u jepte forcë për të shikuar me optimizëm drejtë së ardhmes.  “Shpresa mbahet me punë dhe ideal”, ka shkruar Midhat Frashëri dhe pyetjes se “Cili duhet të jetë ideali ynë?, ai i është përgjigjur duke thënë se ideali ynë, “Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.”

Prandaj, në përvjetorin e tramsmetimit të fjalimit të Midhat Frashërit në BBC, gushtin e vitit 1949, dua të kujtoj edhe ata që kanë qenë afër tij dhe me të cilët kam pasur nderin dhe privilegjin t’i njoh për së afërmi.  Pikëspari Zonjën e ndershme Lulu Vrioni, të mbesën e Midhat Frashërit dhe për mendimin tim, ndoshta spikerja më e mirë që kam njohur unë.  Talat Karagjozi, i cili më thoshte se Midhat Frashëri i kishte vdekur në duartë e tija dhe kurdoherë që fliste për të, i mbusheshin sytë me lotë, pasi nga ajo ditë e sot, spekullohet se me të ardhur në Amerikë, Midhat Frashëri u helmua pas deklaratës që kishte bërë në radion BBC të Londrës në lidhje me formimin e lëvizjes anti-komuniste në mërgim dhe pas themelimit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, kryetar i së cilës ishte zgjedhur Mid-hat Frashëri.   Ndër të tjerët  e kësaj gjenerate, me të cilët kam punuar,  kanë qenë I nderuari Xhevat Kallajxhiu, Ruzhdi Daca, Gaspër Kiçi, Bardhyl Pogoni,   Dr. Tako Bacaj,  Ramazan Turdiu, pastaj djemtë e Profesorit dhe gjeografit të njohur dhe kartografit  të parë  shqiptar nga Kosova, Ahmet Gashi – autorit  të parë të gjeografisë  së Shqipërisë më 1935 —  vëllëzërit  Dr. Faton Gashi dhe Prof. Luan Gashi i Lidhjes Kosovare, jeta e të cilëve ishte e dendur me veprimtari patriotike dhe kontribute edhe për vendin e adaptuar, Amerikën – njëri si mjek i dalluar e tjetri si profesor shkencash politike.   Kujtimet e këtyre ish-kolegëve e miqëve të mi për Midhat Frashërin – ish-udhëheqsin dhe mësuesin e tyre – sikur janë bërë pjesë e kujtimeve për ish-kolegët e mi dhe për mësuesin dhe udëheqsin e tyre, Midhat Frashërin, birin e Abdyl Frashërit dhe nipin e Naimit dhe Sami Frashërit.

Në fjalimin e tij të famshëm në BBC-në e Londrës, në gusht të vitit 1949, Midhat Frashëri iu drejtua shqiptarëve kudo që ishin duke paralajmëruar se kombi shqiptar po e kuptonte se çfarë kishte sjellur fitorja e komunizmit në Shqipëri, duke thënë se, “Kadalë, kadalë raca Shqiptare, ajo racë së cilës nuk i mungon asnjë virtyt njerëzor, ajo racë që vuan por edhe që ndjen, që ofshan por që edhe shpreson dhe nuk harron, ajo racë themi, filloi të shohë të vërtetën, të shohë rrezikun edhe fatkqesinë, në të cilën e hodhën matrapazët komunistë.  Po i çilte sytë dhe po e mprehte vullnetin e saj”.   Ai e pat përfunduar fjalimin e tij duke shprehur shpresën se të gjithë Shqiptarët do ta kenë shpirtin dhe mendjen gjithëmonë për të mirën e Shqipërisë.  “Kjo,” ka thënë ai, “është lutja jonë ndaj Zotit të Madh dhe lusim që gjithnjë Shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë Shërbëtorët e Shqipërisë.”

=

Fatkeqsisht — edhe në këtë përvjetor të këtij fjalimi në BBC — ky trashëgimitar i denjë i Rilindjes kombëtare – jo vetëm që në Shqipërinë e tij të dashur nuk konsiderohet si Shërbestar i Atdheut, por përkundrazi, historia komuniste e ka etikuar atë gjithnjë me njollosjen si “reaksionar”, madje edhe “tradhëtar” të kombit.  E ke? Midhat Frashërin, djalin e Abdyl Frashërit! Midhat Frashërin e Kongresit të Manastirit ku së bashku me At Gjergj Fishtën vendosën themelet e alfabetit shqip!  Midhat Frashërin e Konferencës së Paqës në Paris edhe aty së bashku me At Gjergj Fishtën e Mons. Luigj Bumçin për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!  Midhat Frashërin, i cili me fjalime e shkrime, nepër konferenca ndërkombëtare dhe me deklaratat e tija në gjuhë të ndryshme, me fanaticizëm ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar!

Historia e regjimit komunist të Enver Hoxhës i kishte shlyer edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike të kombit, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga historia, por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Historia shqiptare do ta thotë fjalën e fundit.  Kjo është arsyeja pra që Mid-hat Frashëri Meriton të kujtohet, jo vetëm me rastin e përvjetorit të transmetimit të fjalimit të tij në radion BBC të Londrës me 16 gusht, 1949, por gjithmonë dhe nga të gjithë shqiptarët kudo, pa marrë parasyshë ndryshimet në pikëpamjet politike dhe ideologjike midis tyre.  Në këtë përvjetor, po të mund të fliste, Midhat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha për “të përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund të fitojnë luftërat që e presin kombin, për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhëshëm.

 

 

Frank Shkreli: Trysnitë ndaj lirisë së shtypit në rajonin e OSBE-së

 

Muajin e kaluar u emërua Përfaqsuesi Për Lirinë e Medies, i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE).   Kryetari në detyrë i kësaj organizate, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Z. Sebastian Kurz, i cili kryesoi procesin konsultativ për të identifikuar dhe për të emëruar kandidatin më të përshtatshëm në këtë detyrë, njoftoi se Këshilli Ministerial i OSBE-së kishte miratuar emërimin e francezit, Harlem Desir, si përfaqsues i ri i kësaj organizate për lirinë e medies.   Në njoftimin e OSBE-ës për emërimin e Z. Desir në këtë detyrë, thuhet se Përfaqsuesi për Lirinë e Shtypit, në rolin e tij, ndër të tjera, ushtron funksionin e paralajmërimit ndaj trysnive dhe rreziqeve që mund t’i kanosen lirisë së medies në 57-vendet anëtare të OSBE-ës dhe njëkohësisht të propozojë ndërhyrjen e shpejtë ndaj shkeljeve serioze të lirisë shtypit në rajon.  “Liria e medies përballet me trysni në rritje e sipër, përfshirë edhe rajonin e vendeve anëtare të OSBE-ës”, është shprehur në një deklaratë për media, Ministri i jashtëm i Austrisë dhe Kryetari në detyrë i OSBE-ës, Sebastian Kurz, duke thënë se, “Kjo është edhe arsyeja që më kënaqë fakti se Harlem Desir, një figurë e njohur publike, do të shërbejë si zëri i kësaj organizate për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve”.

Para emërimit të tij në detyrën e përfaqsuesit të OSBE-ës për lirinë e shtypit, Harlem Desir ka shërbyer si Ministër i Francës për Çështjet Evropiane pranë Ministrisë së Jashtme të atij vendi dhe në një numër detyrash me rëndësi në parlamentin evropian.   Mandati i kësaj detyre me rëndësi kërkon që Përfaqsuesi i OSBE-ës për lirinë e medies duhet të jetë një personalitet i njohur, me reputacion ndërkombëtar, i cili posedon përvojën e nevojshme në fushën e medies e nga i cili pritet që – në vlerësimet e tija — të jetë i pa anshëm, objektiv dhe i pavarur në kryerjen e funksionit të tij.  Duket se emërimi i Z. Harlem Desir si përfaqsues i OSBE-ës për Lirinë e Medias është pritur mirë nga entet ndërkombëtare që merren me mbështjen e lirisë se medies. Është kjo një detyrë e cila vlerësohet shumë nga gazetarët dhe nga ente dhe organizata që merren me lirinë e shtypit, sidomos për mandatin e saj për të ngritur zërin në arenën ndërkombëtare, në mbështetje të lirisë së medies, pikëspari në radhët e vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë.

 Njëra nga këto organizata, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qëndër në New York, është shprehur me rastin e emërimit të Z. Desir në këtë detyrë, “Se, një kohë kur liria e shtypit është në keqësim e sipër në shumë vende të OSBE-ës – duke filluar nga Turqia, ku Presidienti Rexhep Erdogan po burgos një numër të madh gazetarësh e deri tek Rusia ku gazetarët po vriten pa asnjë ndëshkim ndaj atyre që kryejnë këto akte, ose Hugaria e Polonia ku media shtetërore kontrollohet rrept – pasja e një zëri për të ngritur shqteësimet kundër shkeljes së të drejtave të gazetarëve dhe për të mbajtur përgjegjëse shtetet që lejojnë dhe tolerojnë një gjë të tillë — është jetësore për lirinë e medies.”

 Në një intervistë që Z. Desir dha javën e kaluar për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG) u shpreh se prioriteti i tij në mandatin e detyrës së re prej tre vjetësh, do të përqendrohet pikërisht mbi tri çështje me rëndësi për gazetarët: mbi sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre në terren, me mos ndëshkimin zyrtar të atyre që shkelin dhe që abuzojnë me të drejtat e gazetarëve dhe me lirinë e shtypit në përgjithësi dhe me luftën kundër dhunës ekstremiste (“online”) në internet.  Harlem Desir theksoi se për realizimin e këtyre prioriteteve, ai pret që të bashkpunojë me autoritetet vendase, me shoqërinë civile — sidomos në vendet e OSBE-ës — për të zgjidhur problemet që rrjedhin nga sfidat dhe trysnitë me të cilat përballet sot liria e shtypit.

Në lidhje me sigurinë e gazetarëve, në kryerjen e detyrës dhe përgjegjësive të tyre, në intervistën me entin e lirisë së shtypit, KMG-ën, Z. Desir u shpreh se kjo çështje për ‘të është, “Prioriteti absolut”: siguria fizike, pra, e gazetarëve dhe ndëshkimi i krimeve që kryhen ndaj gazetarëve, kudo qoftë në rajonin e 57-vendeve anëtare të OSBE-ës. Ai shtoi se mos ndëshkimi i atyre që abuzojnë me lirinë e shtypit, është një problem në rritje e sipër dhe nevojitet një vëmendje serioze ndaj këtij fenomeni nga ana e vendeve anëtare, pasi është një problem që vazhdon të jetë—megjithëse jo e vetmja — një prej sfidave kryesore me të cilat përballet liria e shtypit në vendet anëtare të OSBE-ës.

“Në disa vende të OSBE-ës, gjëndja e lirisë së shtypit vazhdon të keqësohet dita-ditës, duke çuar në burgosjen e gazetarëve për shkak të punës së tyre – që është një shkelje flagrante e angazhimeve që kanë marrë përsipër vendet anëtare të OSBE-ës”, nënvijoi përfaqsuesi i ri për lirinë e medias i OSBE-ës, Z. Harlem Desir dhe shtoi se, “Jemi dëshmitarë të qindra hetimeve kriminale nga autoritetet  e ndryshme qeveritare kundër zërave kritikë, ndërkohë që 150 gazetarë mbeten në burg” në rajonin e OSBE-ës, vetëm e vetëm se kanë ushtruar punën e tyre si gazetarë, ka theksuar Z. Desir në intervistën e tij me entin për mbrojtjen e lirisë së shtypit, KMG.

I pyetur se cili ishte mesazhi i tij për gazetarët dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit kudo, përfaqsuesi i ri i OSBE-ës për lirinë e medies, u shpreh se, “Roli i gazetarit është shumë i rëndësishëm në shoqëritë tona.  Në shumë vende anëtare të OSBE-ës, gazetarët rrezikojnë jetën për t’i sjellë publikut lajmet për të cilat njerëzit kanë nevojë në jetën e përditshme, ashtuqë të jenë më mirë të informuar mbi botën që na rrrethon. Që të jemi më të angazhuar në shoqërinë tonë, që nepërmjet medies së lirë, të bëjmë të njohura nevojat tona, të gjejmë mbështetjen e nevojshme dhe që të lidhemi me njëri tjetrin”, theksoi Z. Harlem Desir. Ai shtoi se, “Demokracitë tona bëhen më të forta nepërmjet debatit të hapët e të sinqertë, përfshirë mosmarrveshjet midis nesh dhe çështjet e vështira me të cilat përballet shoqëria”.

Në fund të intervistës, Z. Desir u angazhua duke u shprehur se, gazetarët (në personin e tij) kanë një mbështetës të dedikuar për ta dhe për punën e tyre, duke premtuar se, “Do të ngrit zërin tim për ju, kur ju ose puna juaj shumë e rëndësishme përballet me kërcënime ose me përpjekje për të shuar zërin tuaj.”

Sot, në shumë vende anë e mbanë botës, përfshirë vendet anëtare të OSBE-ës, liria e shtypit dhe liria e fjalës përballen me sfida dhe trysni serioze, ndoshta si kurrë më parë ç’prej shembjes së komunizmit.  Këto trysni, fatkeqsisht, po diktohen jo vetëm në vendet me regjime autoritare, por edhe në vendet që, në përgjithësi, konsiderohen si demokratike. Organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të cilat ndjekin situatën e lirisë së fjalës, anë e mbanë botës, kanë venë re rritjen e dukshme në survejimin e gazetarëve, shtypjen e fjalës së lirë dhe ushtrimin e influencës nga qeveritë e ndryshme, sfida këto që, në sytë e organizatave ndërkombëtare, mbrojtëse të lirës së fjalës, përbëjnë një shqetësim serioz për lirinë e medies dhe për zhvillimin e shoqërisë civile në përgjithësi.  Fatkeqsisht, diktohet një përpjekje gjithnjë e më e madhe nga ana e qeverive të ndryshme që ato të ruajnë monopolin e tyre mbi përhapjen e lajmeve dhe të informacionit, ndërkohë që me anë të frikësimeve dhe trysnive të llojlojshme, sipas enteve të ndryshme mbrojtëse të fjalës së lirë, monitorojnë dhe bllokojnë mjetet e lira të komunikimit.

Në një raport më heret këtë vit, organizata e të drejtave të njeriut, Freedom House u shpreh se po rritet numri në listën e vendeve evropiane ku liria e shtypit gjëndet përball një rreziku gjithnjë më të madh.  Sidomos, sipas këtij raporti, vendet në jug-lindje të Evropës, veçanërisht në Ballkan, ushtrojnë frikësime, kërcënime dhe burgosje ndaj gazetarëve, ndërkohë që monopolet mediatike janë nën kontrollin e drejtë për drejtë të qeverive, të cilat ndjekin shembullën e Rusisë dhe të Kinës. “Dhe çfarë po bëjnë demokracitë botërore në lidhje me këto kërcënime ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit”, pyet me ironi Freedom House, duke u përgjigjur njëkohsisht se vendet perëndimore sipas saj bëjnë, “Jo shumë dhe sigurisht jo aq sa duhet”.  Freedom House me të drejtë paralajmëron se, “Nëqoftse humbasim Evropën dhe Shtetet e Bashkuara si kampione të lirisë së shtypit…ka të ngjarë se do të humbasim edhe orientimin tonë në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit në përgjithësi, ose edhe më keq, sipas saj, ka mundësi që si rezultat i krijimit të kësaj situate, të përballemi me qeveri të cilat, më në fund, pa u hy ferra në këmbë, të kundërshtojnë dhe të shkelin rregullisht të drejtat e përgjithëshme të qytetarëve të vet. Një atmosferë e tillë ndërkombëtare, ku mohohet ose shkelet liria e fjalës dhe e shtypit pa asnjë ndëshkim, nuk përbën një botë më të sigurt por një botë më të rrezikshme për të gjithë dhe jo vetëm një kërcënim, për të drejtat e njeriut në përgjithësi, por edhe për paqën dhe sigurinë botërore, në veçanti.

 

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …