Frank Shkreli

Frank Shkreli: Vatikani dhe Kosova dardane

Marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Kishës Katolike Shqiptare janë aq të vjetra sa është edhe vet historia e Kishës Katolike Universale. Siç është shprehur vet Shën Pali: “Kështu, prej Jerusalemit e deri në Iliri e kam kryer plotësisht detyrën time….”.  Këto marrëdhënie, historikisht, kanë pasur të bëjnë në veçanti edhe me Dardaninë e vjetër, me Kishën e Dardanisë dhe me besimtarët e saj gjatë shekujve, pasi Dardania konsiderohej si një krahinë e veçantë kishtare dhe administrative, me qendër në Shkupin shqiptar — sipas historianëve kishtarë të Dardanisë së vjetër, bazuar në dokumentat zyrtarë që pasqyrojnë komunikimet midis Vatikanit dhe ipeshkvijve katolikë dardanë, gjatë një historie shumë shekullore, e deri në ditët e sotme.

 Në vazhdimësi të këtyre marrëdhënieve historike, ditët e fundit, u njoftuan dy lajme të mira nga Prishtina që të bëjnë optimist se e ardhmja e lidhjeve të Vatikanit me Republikën Dardane të Kosovës, me Kishën Katolike Shqiptare dhe me besimtarët e saj atje, do të jetë edhe më e ndritshme.  Sipas një lajmi të botuar në revistën Drita, organ kulturoro-fetar i Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës,  Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji njoftuan nga Katedrala Shën Nënë Tereza në Prishtinë se më 9 dhe 10 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitojë Republikën e Kosovës.  Lajmi tjetër me rëndësi është shpallja zyrtarisht e asaj që quhet Bula Papënore e që është një dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake dhe i firmosur nga Papa, me anë të të cilit merren vendime të rëndësishme për Kishën. Vendimi me vlerë të veçantë dhe historik që bartë ky dokument është se Rrethin Kishtar në Kosovë, aktualisht i njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngritë në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, me emërin Dioqeza Prizren – Prishtinë dhe njëkohësisht emron ipeshkvin e saj të parë, Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin. “Ky nuk është thjesht një akt formal – juridik, edhe pse i nevojshëm. Unë nuk jam këtu për të kryer një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës…Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush si dhe rritjen tuaj shpirtërore. Tregon gjithashtu edhe kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja”, është shprehur Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich ndërsa njoftoi dekretin e ri për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë, fund javën që kaloi.

 “Ky akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018 dhe lexuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, nga ish Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të shënohet në analet e historisë së krishterimit ndër ne”, shkruan Don Fatmir Koliqi, në revistën Drita.

Njoftohet se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç takimeve që do ketë me komunitetin katolik të Kosovës, do të zhvillojë edhe takime të tjera.  Është kjo një vizitë historike për shtetin e ri të Kosovës dhe për Kishën Katolike atje, pasi është hera e parë që një zyrtar i lartë i Vatikanit, në nivel të Sekretarit të Shtetit, viziton Prishtinën. Revista katolike Drita e cilëson vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Palodin si, “Një akt historik i këtyre viteve dhe muajve që kanë karakterizuar realitetin e raporteve të Kishës dhe të Vendit tonë me Selinë e Shenjtë”.

Pa dyshim se vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin në Kosovë, paraqet një rast të veçantë për komunitetin katolik të vendit, që sipas revistës Drita do të do të jetë edhe “një inkurajim për Kishën lokale ‘të vogël’, për të ecur gjithmonë në rrugën e besimit e të dashurisë vëllazërore”, duke “kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit si dhe për t’u sjellë të gjithëve afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papës Françeskut.”  Prandaj, komuniteti katolik i Kosovës e pret me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinalit Pietro Parolin, ndërsa vendi e pret me një interes të veçantë. S’ka dy dyshim se vizita e udhëheqsit të lartë të Vatikanit po tërheq një interesim të veçantë, jo vetëm në radhët e besimtarëve katolikë në Kosovë, por edhe mbarë vendit.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri një vizitë të papritur në selinë e dioqezës së Kosovës në Prishtinë me rastin e ngritjes së Kishës Katolike të Kosovës nga Administraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe të emërimit të ipeshkvit dioqezan, imzot Dodë Gjergjit.  Radio Vatikani njoftoi se gjatë takimit me udhëheqsit e Kishës Katolike në Kosovë, Presidenti Meta përshëndeti vendimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë, ndërsa vlerësoi përkujdesin e tij atëror për Kombin shqiptar.  Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe diasporën, Ambasadori Flamur Gashi u shpreh për Radio Vatikanin se qëllimi i vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë , Z. Ilir Meta në Prishtinë të hënën ishte për të, “Uruar përzemërsisht këtë vendim të Selisë së Shënjtë dhe të Papa Françeskut, si shenjë mirënjohjeje për të gjithë shqiptarët, që tregon Selia e Shenjtë dhe si një përkujdesje të veçantë ndaj Kosovës dhe ndaj popullit tonë. Presidenti Meta vlerësoi lartë gjithë përkujdesjen, që sidomos nën drejtimin e Papa Françeskut, Selia e Shenjtë, për Shqiptarët, të paharruara janë momentet e shënjtërimit të Nënë Terezës, emërimi i kardinalit shqiptar Ernest Troshanit, vizita e parë në Evropë që bëri Papa Francesku ishte në Shqipëri, lumturimi i martirëve shqiptarë, vizita në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup para disa kohësh e Papa Françeskut dhe së fundmi lajmi i gëzuar i krijimit të dioqezës së Kosovës dhe emërimi me kompetenca të plota i ipeshkvit por edhe vizita në qershor e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolini. Pra, Presidenti Meta ishte i entuziazmuar dhe tepër i gëzuar për këto që po ndodhin në raportet e shqiptarëve, në përgjithësi, me Selinë e Shënjtë nën drejtimin e Papa Franceskut”, tha për Radio Vatikanin në gjuhën shqip, Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe për diasporën, Ambasadori Flamur Gashi.

Vendimi i Papa Françeskut për të themeluar Dioqezën Prizren – Prishtinë, emërimi i Shkëlqesisë së Tij Imzot Dodë Gjergjin, si Ipeshkvin e saj të parë dhe vizita, muajin që vjen, me 9-10 qershor në Kosovë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, janë në vetvete ngjarje me rëndësi në vazhdimësinë historike të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Vatikanit, në veçanti, dhe midis Vatikanit dhe Kombit Shqiptar në përgjithësi. Hapi i natyrëshëm dhe i doemosdoshëm tani, për çimentimin e këtyre lidhjeve shekullore, është pa dyshim ngjarja madhore përfundimtare që të gjithë shqiptarët kudo presim me pa durim pa dallim feje a krahine në marrëdhëniet midis dy shteteve – njohja pra zyrtare diplomatike e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit, si shtet i pavarur dhe sovran dhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy palëve.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …