Frank Shkreli: Vdiq, Barbara Bush, “Gjyshja e Amerikës”

Frank Shkreli: Vdiq, Barbara Bush, “Gjyshja e Amerikës”

Barbara Bush, e quajtur si në përkëdhelje, “Gjyshja e Amerikës”, ose “gjyshja e të gjithëve” bashkshortja e Presidentit të 41-të dhe nëna e Presidentit të 43-të të Shteteteve të Bashkuara, ndërroi jetë më 17 prill në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e saj në Huston të shtetit Texas, e rrethuar nga familja. Ajo la pas, “plot shtëpinë”: Bashkshortin e saj prej 73-vjetësh, ish-presidentin Xhorxh H.W. Bush, pesë fëmijtë me bashkshortët e tyre, 17 nipa e mesa dhe shtatë stërpnipa dhe stërmesa.  Në një njoftim për publikun me rastin e vdekjes , ish-Presidenti Xhorxh W Bush tha se, “Nëna ime e dashur ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Laura, Barbara, Xhena dhe unë jemi të pikëlluar, por zemërat tona janë të qetësuara sepse e dimë se shpirti i saj është i qetë… Unë jam me fat që Barbara Bush ishte nëna ime. Ajo do na mungojë  shumë mua dhe familjes….”.

Barbara Bush ishte bashkshorte, nënë, gjyshe, stërgjyshe e devotshme dhe mbështetëse e përkushtuar në luftën kundër analfabetizmit. Ajo ishte direkte në komunikim me median dhe me të tjerët, një karakateristikë e të folurit troç që e dallonte ish-Zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara. “Njerëzit më duan”, kishte thënë ajo me një rast, “sepse e dinë që unë jam e drejtë, se i dua fëmijtë dhe se e adhuroj dhe respektoj bashkshortin tim”.   Barbara Bush, njihej gjithashtu edhe për shërbimin ndaj të tjerëve, për vullnetarizmin e saj për të ndihmuar personat dhe familjet në nevojë, gjë që e ka bërë atë ndër figurat më të dashura në historinë e këtij vendi dhe në zemërat e të gjithë atyre që e njihnin dhe me njerëzit me të cilët takohej edhe rastësisht.

 Me zgjedhjen e bashkshortit të saj president të Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 1989, Barbara Bush ishte e vetdijshme se ajo vet nuk ishte zgjedhur në asnjë detyrë zyrtare por kishte urdhëruar stafin e saj se, “Çdo ditë duhet të bëjmë diçka për të ndihmuar të tjerët.”  Kështuqë, përveç ceremonive zyrtare si zonja e parë e vendit, në të cilat ajo duhej të merrte pjesë, Barbara Bush u angazhua në shumë veprimtari organizatash bamirëse, pikërisht, për të ndihmuar ata të cilët kishin nevojën e ndihmës nga shoqëria.

Ajo kishte marrë përsipër një numër kauzash për të ndihmuar të pa strehët dhe të moshuarit, për të ushqyer të uriturit, ndërmori përpjekje për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe ishte në krye të fushatës për të ndihmuar fëmijt. Por mbi të gjitha, Barbara Bush do të njihet për fushatën e saj kundër analfabetizmit – për mundësinë e shkrim-leximit për të gjithë, për fëmij dhe për familje.  Nën udhëheqjen e të ndjerës, Fondacioni i saj me këtë mision që ajo ka themeluar për këtë qëllim, gjatë viteve, ka mbledhur më shumë se 110-milion dollarë, në mbështetje të programeve kombëtare për të luftuar analfabetizmin, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ajo e shihte këtë program dhe arsimin në përgjithësi si një doemosdoshmëri, që sipas saj ndihmonte sado pak familjet dhe fëmijtë e tyre në nevojë, ashtuqë të kishin një mundësi më të madhe për të qenë të suksesëshëm në jetë.

E orientuar gjithmonë nga familja dhe kujdesi i saj për të, Barbara Bush është cituar të ketë thënë se, “Ajo që ndodhë në shtëpinë tuaj është po aq e rëndësishme sa edhe çfarë ndodhë në Shtëpinë Bardhë.”  Thënë ndryshe, çfarë ndodhë në Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë shembull për të gjitha familjet amerikane. Për periudhën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si familja e parë e Amerikës, familja Bush ishte me të vërtetë shembull për të gjitha familjet amerikane dhe kredia për këtë, pa dyshim, i shkon të ndjerës Barbara Bush, e cila vente rregull dhe zbatonte disiplinën.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …