Deri tani, politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump. Por ka gjasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.
Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirësojë jetën ekonomike të familjeve amerikane. Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë. Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan. Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara. Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjendet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër vjeçar.
Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike. Presidenti/tja e ardhshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile. Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim. Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lëmsh e rrëmujë, pa ndonjë shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt. Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti. Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalë nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit. Përfshirë Koreja e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqësi i ardhshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhshme. Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.
Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama, pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit, si të dështuar.
Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temperamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt. Donald Trump, në qoftë se siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare. Duke marrë parasysh rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.
Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.