‘Gogoli i luftës’, me të cilin pushtetarë aktualë po luajnë nuk është sa ata e marrin seriozisht ndonjë intervenim nga Serbia, pasi e dinë fare mirë se forcat ushtarake të NATO-s, pikërisht për këtë po qëndrojnë në Kosove qe 25 vjet, po krejt kjo po bëhet me qëllim për të qëndruar në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur, duke përhapur panik në popull, në mënyrë që të zhvendoset vëmendja nga problemet e vërteta dhe degraduese që ia ka sjellë vendit kjo qeveri e papërgjegjshme, arrogante, e padijshme, të cilën nuk e meriton ky popull fatkeq.
Ditë më parë në Prishtinë, kryeministri Kurti, është pyetur nga gazetarët për raportet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një reagim të tij injorues, shpërfillës dhe me cinizëm, ai është përgjigjur. Këtu jemi në Klinikën e Urologjisë e kam përshtypje që nuk ka lidhje kjo pyetje me Klinikën e Urologjisë. Prej këtu do të shkoj në Malishevë ku do të vizitoj një fermer jashtëzakonisht të suksesshëm. Kam përshtypjen se kjo pyetje se nuk ka lidhje as me të. Pasdite do ta kemi një mbledhje të Qeverisë mbase atje do të mund të jetë vendi për pyetje të tilla”, tha Kurti, i cili nuk flet as për vizitën e kryetares, Vjosa Osmani, e cila qëndron në vizitë zyrtare Uashington, ku edhe mori pjesë në Samitin e NATO-s. Dihet se Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ka pritur në takim Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Cinizmi dhe arroganca e Kurtit kurdoherë që pyetet për marrëdhëniet dhe mos ftesën e tij për vizita nga autoritetet amerikane, ia terratisin mendimet dhe e vënë në siklet, andaj edhe vepron me krekosje, shpërfillje, në stilin e tij ‘amelika, amelika’, me mungesë elementare të respektit për shtetin, pa të cilin nuk do të ishim këtu ku jemi. A ka naivet më të shëmtuar sesa ta qesëndisësh shtetin më të fortë të botës por edhe shtetin më mik dhe më të dashur të shqiptarëve përgjithësisht. Ky qëndrim përbuzës i Kurtit dhe i disa ministrave ndaj Amerikës po thellohet sidomos tani kur këta krerë zyrtarësh po përhapin panik se gjoja Kosova do të sulmohet nga Serbia dhe Rusia.
Kurti me klanin e tij e dinë fare mirë se Amerika dhe NATO-ja janë garantues të paqes dhe sigurisë në Kosovë por edhe në të gjitha shtetet e rajoni dhe nuk merakosen për kontrapunktet e kontroversat e Albinit, Glaukut e të tjerëve. Ata tani po e mbështesin kryetaren, Vjosa Osmani, opozitën dhe shoqërinë civile.
Çka i solli Kosovës, Albin Kurti dhe qeveria e tij gjatë këtyre viteve, me qëndrimin tashmë të njohur, por tejet të dëmshëm.
Për herë të parë në historinë e saj Qeveria-Kurti i solli Kosovës sanksione nga Amerika dhe BE-ja.
I irritoi shumicën e partnerëve ndërkombëtarë, veçmas Amerikën me qëndrimet e tij të papërgjegjshme.
Përçau shqiptarët në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore.
Shfaqi urrejtje kundër kreut të luftës, duke u zotuar se kurrë nuk do t ua përmend emrat, në ditët më të rëndësishme të historisë, ku ata kanë qenë, janë dhe do të jenë protagonistë historikë.
Kundërshtoi dhe po kundërshton sistemin gjyqësor, meqë nuk po arrin ta uzurpojë.
Ra ndesh me Gjykatën Kushtetuese dhe me Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ka ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim.
Ja edhe disa ndërhyrje dhe shkelje të ligjeve:
Ligji për zyrtarët publikë.
Ligji për paga.
Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg
Shkarkimi i 8 anëtarëve të bordit të RTK-së.
Shkarkimi i 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP-së.
Ligji për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ligji për Këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës.
Manovrat politike të Albin Kurtit, propaganda mujshare e një pjese të Vetëvendosjes, përpjekja për ta mbajtur edhe me tej elektoratin me premtimet, që tashmë janë zbërdhulur dhe me premtime të reja, ekzibicionet politike me faktorë ndërkombëtarë, në dëm të interesit të Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht, degradimi i imazhit të vendit dhe vënia e sanksioneve nga Amerika e BE-ja, përpjekja naive për të mbuluar çdo lakuriqësi të militantëve të vetë, sikur është rast i skandaleve të Mimoza Kusarit, Donika Shvarcit, Martin Berishajt e shumë të tjerëve, ndarja e jashtëligjshme e tenderëve njëburimorë për pasurimin e klasës së militantëve të vet, duke shkelur krejt hapur dhe pa pikë turpi ligjin, sulmet kundër sistemit të drejtësisë, shkeljen enorme të Kushtetutës, injorimi dhe manovrat për ta degraduar opozitën nga brenda e nga jashtë, përçarja jo pa sukses e faktorit politik shqiptarë në Kosovën Lindore dhe në Maqedoninë e Veriut, e shumë veprime të tilla, janë “merita” që Albini i ka arritur me tërë makinerinë e tij të veprimit, politik e qeveritar.
Përpjekjet e Qeverisë-Kurti për ta shtrirë sovranitetin dhe sundim e ligjit në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, pa u koordinuar me faktorin ndërkombëtar, nuk janë veprime të qëndrueshme, dhe ai e di fare mirë këtë, por e bën me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme ta përdor si argumentin kryesor për të fituar elektorat, pavarësisht se pikërisht këto veprime i shkojnë për shati në radhë të parë Serbisë, të cilën sidomos në këtë segment e mbështet dhe e arsyeton Bashkimi Evropian, Amerika, Franca, Gjermania, Italia, madje edhe Turqia, te e cila i ka varur shpresat, Albin Kurti.
Fakti se Serbia vetëm po ankohet dhe po e mban të nderë situatën me shtimin e pranisë ushtarake rreth kufirit të Kosovës, do të thotë se një ditë, kur të marrë dritë jeshile nga Rusia, ajo do t iu thotë BE-së dhe Amerikës, nuk pres më, ose ndalojeni Kurtin ese e ndaloj unë. Për të arsyetuar një intervenim të tillë, ajo mund të inskenojë kur të dojë trazira ne veri, pastaj Beogradi zyrtar, nuk do të kërkojë asociacion as autonomi por bashkimin me Serbinë, pa e hapur fare mundësinë e shkëmbimi të territoreve, opsion të cilin Kurti nuk e pranon vetëm për inat të ish kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, edhe sepse kjo ishte kauza kryesore në fushatën e tij, zgjedhore.
Me Albin Kurtin dhe ekzibicionet e tij politike do ta humbin edhe de iure Veriun por edhe tri komunat shqiptare të Kosovës Lindore.
Ahmet Qeriqi
- 7. 2024
Prishtinë