Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar të arriturat e vendit përgjatë këtyre viteve.

Duke dashur që ta bëjmë më konkrete dhe më të prekshme endrrën e anëtarësimit në BE, dhe përfitimet që ai sjell për qytetarët dhe shoqërinë, kërkuam nga Bashkimi Evropian që të na mundësojë një mekanizëm përmes të cilit qytetarët do të mund të ndjejnë disa nga dobitë konkrete të anëtarësimit në BE, para se të bëhemi shtet anëtar i Unionit, ka theksuar kështu në konferencën për media, Bajrami.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Integrimi në Bashkimin Europian është një nga qëllimet kryesore strategjike dhe programore të Frontit Europian. Pas tejkalimit të bllokadës të procesit integrues dhe hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, kemi punuar dhe shrytëzuar të gjitha të kapacitetet politike dhe institucionale për të vazhduar me fazën e dytë të negociatave për anëtarësim apo hapjen e kapitujve.

Mbaruam me sukses procesin e skriningut i cili filloi më 15 shtator 2022 dhe përfundoi më 7 dhjetor të vitit 2023. Ky ishte një operacion gjithpërfshirës dhe dinamik, që zgjati plot 15 muaj, dhe në të cilin morën pjesë 900 ekspertë nga administrata e Maqedonisë së Veriut, që realizuan mbi 850 prezantime përapara 800 ekspertëve të Komisionit Evropian.

Duke dashur që ta bëjmë më konkrete dhe më të prekshme endrrën e anëtarësimit në BE, dhe përfitimet që ai sjell për qytetarët dhe shoqërinë, kërkuam nga Bashkimi Evropian që të na mundësojë një mekanizëm përmes të cilit qytetarët do të mund të ndjejnë disa nga dobitë konkrete të anëtarësimit në BE, para se të bëhemi shtet anëtar i Unionit.

Kjo kërkesë e jona nuk hasi në vesh të shurdhër dhe Komisioni Evropian në maj të vitit të kaluar paralajmëroi Planin për Rritje për Ballkanin Perëdnimor, i cili u zyrtarizua dhe prezantua më 8 nëntor 2023, si pjesë e Pakos së zgjerimit, bashkë me Raportin vjetor të Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor është mekanizmi apo instrumenti kryesor për integrim të përshpejtuar dhe zhvillim ekonomik të rajonit, dhe përbëhet nga 4 shtylla kryesore:

* Integrim ekonomik në tregun e vetëm të Bashkimit Europian,
* Nxitja e integrimit ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor,
* Përshpejtim të procesit reformues sa ju përket reformave fundamentale.
* Rritja e mbështetjes financiare për reforma dhe zhvillim të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Instrumentit të Reformës dhe Rritjes.

Me këtë plan, do të vihen në dispozicion 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 4 miliardë janë kredi të volitshme dhe 2 miliardë euro grante të pakthyeshme.

Këto mjete do të shfrytëzohen për projekte në Infrastrukturë, Energjetikë, Transformim të gjelbër dhe digjitalizim, zhvillim të kapitalit njerëzor, sundimin e së drejtës dhe shumë fusha të tjera, që do të na mundësojë transformim të tërësishëm ekonomik dhe shoqëror në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030.

Transhet e këtyre mjeteve nga të cilat Maqedonia e Veriut do të mund të shfrytëzojë afër 900 milion euro, do të lëshohen 2 herë në vit, sipas dinamikës së implememtimit të reformave në fusha të caktuara.

Këto reforma, apo përpilimi dhe miratimi i Agjendës reformuese, është obligim i secilit prej shteteve të Ballkanit Perëndimor për të shfrytëzuar këtë mekanizëm zhvillimor dhe përshpejtues të integrimit në BE.

Me një mobilizm të madh të të gjitha institucioneve shtetërore, mbeshtetje të Komisionit Evropian dhe konsultave të vazhdueshme me sektorin civil jemi në finalizim të Agjendës Reformuese, duke përmbushur me përpikshmëri dhe në kohë të gjitha obligimet teknike të cilat i kishim si shtet.

Bashkimi Europian do të hapë fusha të caktuara të Tregut të Vetëm të BE-së për vendet e Ballkanit Perëdnimor, duke ofruar përfitime konkrete për qytetarët para anëtarësimit. Disa nga këto përfitime janë:

* Promovimi i Korësive të gjelbëra- që do të reduktojnë kohën e pritjes në vendkalimet kufitare për mjetet transportuese mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me çka do të sigurohet funizimim më efikas i prodhimeve dhe rritje e shkëmbimit tregtar mes vendeve të rajonit dhe BE-së.
* Pjesëmarrje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që do të reduktojë dukshëm koston e pagesave ndërkufitare, nga e cila do të përfitojnë konsumatorët dhe bizneset. Pjesëmarrja në SEPA gjithashtu do ta nxisë tregtinë, do të rrisë konkurrueshmërinë e kompanive vendase përmes reduktimit të provizioneve transaksionale, si dhe do të përpshpejtojë pagesat mes BE-së dhe rajonit për qytetarët dhe bizneset.
* Pjesëmarrja në programin FREE WIFI për Ballkanin Perëndimor, ku do të sigurohet qasje në internet falas për më shumë se 500 komuna të Ballkanit Perëndimor.
* Pjesëmarrje në Rrjetin Evropian të Qendrave të Inovacionit Digjital që do të mundësojë tranzicion më të shpejtë digjital për institucionet dhe bizneset, duke rezultuar në shërbime më të shpejta dhe cilësore për qytetarët.

Ky plan do të na mundësojë të avancojmë shpejt dhe sigurt në procesin e negociatave, duke kapur hapin me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të cilët tani më një dekadë negociojnë me BE-në.

Plani për rritje gjithastu synon të reduktojë dallimet ekonomike nëmes ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe ekonomive të shteteve anëtare të BE-së, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Shtyerja e bisedimeve për anëtarësim në BE apo pasivizimi i agjendës evropiane e vendos në pikpyetje edhe procesin e reformave në vend dhe si rezultat rrezikon stagnim, pasiguri, izolim dhe mungesën e një perspektive të qartë zhvillimore për shtetin dhe qytetarët.

Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen europiane të vendit. Përkrahja të cilën e kemi nga partnerët tanë europian është më e madhe se kurrë, dhe ky është një moment dhe mundësi të cilën doemos duhet ta shfrytëzojmë.

Nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Europian, andaj duam siguri, zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe perspektivë të qartë për qytetarët tanë dhe gjithë këtë e garanton vetëm anëtarësimi në BE, që ofron mundësi të reja dhe më shumë fonde.

Nuk guxojmë të ndalemi, aq më pak të kthehemi prapa! Ne dijmë se si duhet ta përgatisim shtetin për në Bashkimin Europian, duke i thënë Jo Rusisë dhe forcave politike që pëfaqësojnë mendësinë e regresit dhe izolimit në shtetin tonë.

Ju faleminderit,

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …