Pas deklaratave politike nga VMRO, ZNAM dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë kundër Balancuesit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, sot dëgjuam edhe një deklaratë shqetësuese nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për gjoja “heqje të dilemave” për Balancuesin dhe ligjin e gjuhëve, të cilën e shohim si të motivuar politikisht. Hapja e temave të këtilla dhe çdo vendim eventual në drejtim të cenimit të mekanizmave dhe të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është asgjë tjetër veçse rikthim i Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit. Këto deklarata dhe veprime, janë skenarët e vërtetë për destabilizim të vendit dhe tregojnë qartë se kush janë ata që dëshirojnë dhe provokojnë tensione.
Duam t’i rikujtojmë pushtetit aktual se këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur edhe me amendamentet kushtetuese edhe me ligjet e tjera në fuqi, të cilat janë votuar me shumicë të dyfishtë dhe absolute, nga përbërje të ndryshme parlamentare ku kanë participuar të gjjtha partitë më të mëdha maqedonase. Dilemat eventuale janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të lartë ligjvënës, në Kuvendin e RMV-së dhe shumica dërmuese prej tyre me koncensus politik dhe me miratim të ekspertëve të fushatës. Për të gjitha këto arritje që i siguruan vendit kohezionin ndëretnik, barazinë e bashkësive etnike dhe qytetarëve në përgjithësi, si dhe të ardhmen euro-atlantike, garantues janë edhe faktori ndërkombëtar, SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së.
Njëkohësisht ju bëjmë thirje partive shqiptare që pa legjitimitet hyjnë në këtë Qeveri monoetnike të tërhiqen nga kjo aventurë dhe të kuptojnë se aty janë vetëm për tu shërbyer projekteve antishqiptare duke i aprovuar ato me heshtjen dhe servilizmin e tyre.