Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) nga data 22-28.10.2016, do të realizojë ushtrimin fushor ,,Shqiponja 5’’. Stërvitja e përgjithshme ,,Shqiponja 5’’ është planifikuar deri në detaje nga grupet planifikuese të FSK-së të mbështetura nga ekspertë të fushave të ndryshme nga Garda Kombëtare e shtetit Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) dhe do të realizohet në bashkëpunim me institucionet dhe agjencitë civile vendore për reagim ndaj emergjencave. Trupat e njësive të FSK-së do të jenë në lëvizje në të gjithë vendin gjatë 24 orëve, me qëllim ushtrimi, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin lëvizje më të theksuara në rajonin e Prizrenit, Malishevës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.
Prandaj, njoftojmë opinionin se gjatë ditëve në vazhdim trupat e FSK-së do të lëvizin nëpër rrugët e vendit. Aty ku do të realizohen ushtrimet lëvizjet do të jenë më të shtuara, dhe e gjithë kjo do të bëhet pa penguar lëvizjen e lire të qytetarëve, pa cenuar pronën dhe pasurinë e tyre. Ushtrimi ka për qëllim përgatitjen e njësiteve tona, që në raste të fatkeqësive të vërteta të jenë në gjendje që në kohë sa më të shkurtër t`u dalin në ndihmë qytetarëve tanë.
Ushtrimi fushor ,,Shqiponja 5”, do të realizohet në kuadër të Planit vjetor dhe në funksion të realizimit të objektivave të Ministrit dhe Komandantit të FSK-së, si dhe do të vëzhgohet nga një numër i madh ushtarakësh nga disa shtete të ndryshme. Ardhjen e kanë konfirmuar vëzhgues nga ShBA, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria etj.
,,Shqiponja 5’’ është planifikuar deri në detaje nga grupet planifikuese të FSK-së të mbështetura nga ekspertë të fushave të ndryshme nga Garda Kombëtare e shtetit Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA). Kontribut gjithashtu kanë dhënë edhe Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në(NALT) dhe Komanda Amerikane për Evropë(US ARMY EUROPE), të cilët në vazhdimësi janë pjesë e procesit të zhvillimit dhe ecjes përpara të FSK-së.
Qëllimi i ushtrimit fushor ,,Shqiponja 5’’ është trajnimi i liderëve dhe njësive për detyrat kolektive, me qëllim të ngritjes së nivelit reargues të kapaciteteve operacionale, testimi i kapaciteteve ekzistuese nga njësitë e nivelit taktik dhe operacional, dhe testimi i ndërveprueshmërisë me institucionet tjera vendore të sigurisë e gjithashtu edhe verifikimi i arritjeve të deritashme si dhe mbajtja e nivelit të gatishmërisë për reagim në rast të fatkeqësive, etj.
,,Shqiponja 5’’është ushtrimi fushor i përgjithshëm i FSK-së, i cili mbahet çdo vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ku marrin pjesë të gjitha njësitë taktike dhe operacionale të FSK-së.