Në Kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë të Kosovës, më 5 mars u mbajt manifestimi qendror në shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në nderim të Komandanti Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Manifestim u mbajt nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa. Në manifestim ishin të pranishëm: Kryetari i Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i MFSK-së, Haki Demolli, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadorë, ministra, deputet, veteranë, invalidë dhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, qytetarë dhe nxënës të shkollave të Kosovës. Manifestimi për Epopenë e UÇK-së vazhdon sot paradite me homazhet në Kompleksin memorial në Prekaz, dhe pas dite, me Akademinë Përkujtimore kushtuar “Epopesë së UÇK-së”.
Pas revistës që iu bë kuadrateve të FSK-së, nga kryetari Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas intonimit të himnit shtetërorë dhe kombëtar, drejtuesit e shtetit dhe përfaqësuesi i veteranëve të UÇK-së, vendosën kurora me lule pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.
Në manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, kryetari Hashim Thaçi, në fjalën e tij, pos tjerash tha: “Kushtetuta moderne e Kosovës, mua si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës më jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarr iniciativa për të ndryshuar ligjin për FSK-në“. Ai duke iu drejtuar të pranishmëve, shtoi: ”Para nesh të nderuar qytetarë janë rreshtuar pjesëtarët e FSK-së e që për mua si Komandant Suprem, dhe mbi të gjitha për ju qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, këta janë ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Asnjë qëndrim i caktuar i qarqeve jo dashamirëse nuk mund ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Ajo mbetet trashëgimia jonë më e madhe dhe më e pasur që ka krijuar historia e Kosovës. Ashtu siç do të jetë e përjetshme dhe e vlerësuar lart sakrifica sublime e Jasharëve dhe gjithë dëshmorëve të Kosovës, ashtu do të jetë i përjetshëm lavdia dhe emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prandaj të nderuar ushtarë të FSK-së, unë sot dua të bëj të qartë publikisht se në ditët në vijim shumë shpejt, brenda kompetencave të mia kushtetuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumë pritur i themelimit të Ushtrisë së Kosovës të bëhet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në”, e përmbylli fjalën e tij, kryetari i Kosovës Hashim Thaçi.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa në fjalën e tij, ndër të tjera theksoi: “Epopeja e UÇK-së” për çdo qytetar të Kosovës është festë e lirisë së Kosovës, është kremtja e vlerave të atdhedashurisë, patriotizmit dhe sakrificës sublime për Kosovën.
Kosova, institucionet e saj, si dhe qytetarët kanë sfidat e veta, që janë të shumta dhe të cilat ndryshojnë krahas prosperitetit tonë. Kosova ka bërë transformime epokale dhe historike, falë rezistencës së saj paqësore, unike për këtë pjesë të botës, falë luftës çlirimtare të popullit të saj.
Ne sot mburremi me institucionet e reja shtetërore të ngritura në partneritet me miqtë tanë, mburremi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të cilën shohim ushtrinë tonë, një forcë paqeje e stabiliteti jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, një anëtare të ardhshme të Aleancës Veri atlantike. Kemi policinë, institucionet e sigurisë të afta dhe të organizuara sipas standardeve më të larta”.
Në përfundim të manifestimit Trupa Muzikore e FSK-së ekzekutoi disa pika muzikore. Manifestimi për Epopenë e UÇK-së vazhdon nesër paradite me homazhet në Kompleksin memorial në Prekaz, dhe pas dite, me Akademinë Përkujtimore kushtua “Epopesë së UÇK-së”.