Menjëherë pas identifikimit të rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, Forca e Sigurisë së Kosovës ngriti gjendjen e gatishmërisë operacionale në nivelin 2 dhe krijoi Forcën për Detyrë, me qëllim të menaxhimit të aktiviteteve rreth pandemisë. Por, FSK nuk pranoi të përfitojë nga pako e qeverisë e cila ndau nga 300 euro pagesë shtesë për punonjësit e sektorëve esencial të cilët i janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit. Drejtuesit e ushtrisë, thonë se këtë e kanë bërë në shenjë solidariteti. Ushtria e Kosovës, me njësitë e specializuara për të realizuar operacione në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile, sipas zëvendëskomandantit të FSK-së, Enver Cikaqi, vendosi në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të mbrojtur qytetarët nga përhapja e virusit. Gjatë periudhës së pandemisë, njësitë e Komandës së Logjistikës dhe Policisë Ushtarake të FSK-së, zhvilluan aktivitete transportuese edhe nga të gjitha pikat kufitare për në qendër të karantinimit.
