Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur realizimin me sukses të ushtrimit fushor “Arrow Bravo 25” nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me fokus në ngritjen e kapaciteteve taktike, operacionale dhe ndërveprueshmërisë së trupave pjesëmarrëse. Sipas Maqedoncit, ky ushtrim shërbeu për vlerësimin dhe validimin e Kompanisë së Shtabit dhe Kompanisë B në detyra thelbësore për zbatimin e misionit. Gjatë operacioneve të planifikuara dhe të simuluara nga Kontrolli i Forcës së Ushtrimit (UF), trupat ushtarake përballuan skenarë realistë që testuan aftësitë e komandimit, vendimmarrjes nën presion dhe bashkëpunimin ndër struktural. “Arrow Bravo 25” u zhvillua me qëllim forcimin e reagimit të shpejtë në situata të ndryshme, duke garantuar siguri dhe mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ministri Maqedonci publikoi edhe pamje nga ky ushtrim përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar: “FSK, ushtria jonë, krenaria jonë.”
