Studiues të nderuar shqiptarë! Këshilli Organizues, i përbër nga institutet tona shkencore, nga shoqatat tona autoktone, nga shoqatat e shkrimtarëve, nga universitetet, arkivat, etj., vitin 2021 e ka shpallur Vit të Pranverës Shqiptare ’81. Prandaj, në këtë vit jubilar – 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981, Këshilli Organizues, përveç veprimtarive tjera, ka paraparë edhe organizimin e Konferencës shkencore për 1 prill 2021.
Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë, me Institutin Albanologjik, me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup…, ka propozuar një numër temash për studiuesit që do të marrin pjesë me kumtesa në Konferencë. Kumtesat do të mbahen nga studiues, të cilët do të shtjellojnë gjerësisht pikëpamjet dhe kërkimet e tyre shkencore në kuadër të tematikave të përgjithshme të përcaktuara nga Këshilli Organizues.
Ftojmë edhe institutet tjera, Akademitë tona, universitetet, krerët e Lëvizjes Kombëtare të asaj kohe, shkrimtarët, pedagogët e universiteteve tona, studiuesit dhe të gjithë të interesuarit që të japin propozime edhe për tema tjera dhe të përfshihen në përgatitjen e kumtesave shkencore (edhe të kujtimeve…) për Konferencën shkencore.
Kumtesat e Konferencës dhe materialet tjera me interes, kushtuar 40-vjetorit të demonstratave, do të botohen në kuadrin e përmbledhjeve të punimeve të Konferencës, të cilat do të përgatiten për botim më së largu deri në qershor të vitit 2022.
Disa nga tezat e përgjithshme të parapara:
1. Jugosllavia në rrjedhat gjeopolitike të kohës dhe kundërthëniet Lindje-Perëndim.
2. Jugosllavia përballë lëvizjeve ilegale në Kosovë, 1945-1981.
3. Gjendja politike, arsimore, kulturore e sociale e shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare deri në fillim të viteve ‘80.
4. Reflektimi i demonstratave të vitit 1981 në zhvillimet shoqërore e politike në Jugosllavi.
5. Ndikimi i demonstratave të vitit 1981 në zhvillimet shoqërore e politike në Kosovë.
6. Shtypja e dhunshme e demonstratave dhe procesi i zhbërjes së autonomisë së Kosovës.
7. Ndikimi i demonstratave në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
8. Shteti shqiptar dhe demonstratat e vitit 1981.
9. Dimensioni ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981.
10. Jehona e demonstratave në Evropë dhe qëndrimi i shteteve evropiane ndaj tyre.
11. Jehona e demonstratave në SHBA dhe qëndrimi i qeverisë dhe shtypit amerikan ndaj tyre.
12. Historiografia shqiptare dhe sllave mbi demonstratat e vitit 1981.
13. Qëndrimi i shteteve evropiane ndaj emigracionit politik shqiptar.
14. Reflektimi i demonstratave të vitit 1981 në diasporë.
15. Demonstratat e vitit 1981 në kujtimet e pjesëmarrësve të kohës.
Studiuesit, abstraktet mund t’i dërgojnë deri më datën 1 mars, në adresën elektronike të Institutit të Historisë-Prishtinë: [email protected] ose në: [email protected]