Tetë standardet e përcaktuara paraprakisht për Kosovën, tani janë konvertuar në 10 të ashtuquajtura principe, të cilat kërkohen të realizohen në procesin e bisedimeve, për të përkufizuar statusin politik të Kosovës.
Dhe të gjitha këto principe, aspak parimore dhe aspak të njerëzishme, do t’ i ngelin në qafë Kosovës edhe për shumë vjet, derisa më në fund do të degjenerojë tërë procesi, ashtu sikurse ka degjeneruar çdo konferencë ndërkombëtare antishqiptare e deritanishme si ajo e Londrës, ashtu edhe ajo e Versajës e deri te ajo e Jaltës, e Ramujesë, e shumë të tjera si këto. Në të gjitha takimet e deritanishme ndërkombëtare, çështja shqiptare në përgjithësi dhe çështja e Kosovës në veçanti janë trajtuar njëanshëm dhe gjithnjë duke favorizuar robërinë për shqiptarët dhe sundimin mbi ta të qarqeve sunduese kolonialiste serbe e greke.
Iluzionet e pacifistëve dhe të neopacifistëve të vendit tonë ende nuk janë shuar, sepse ende gjendet ndonjë diplomat i huaj, i cili deklaron se Kosova do të bëhet e pavarur, gjendet ndonjë slloven që parasheh pavarësi të kushtëzuar dhe ndonjë ministër nga Shqipëria që insiston në këtë pavarësi më shumë se vetë Beogradi zyrtar. Deklarata e tillë liderëve pacifistë dhe atyre që iu shkojnë pas iu shërbejnë për pak kohë, aq sa për të pasur mbështetje dhe për të vazhduar bursën e zezë të iluzioneve e vetëmashtrimit.
Drejtorët politikë të Grupit të Kontaktit kanë nënshkruar dhjetë të ashtuquajtura principe aspak parimore dhe aspak të drejta, principe këto të cilat do të jenë pjesë e ingranazheve politike diplomatike gjatë periudhës sa do të zgjasë procesi i bisedimeve lidhur me përkufizimin e statusit gjysmak dhe të paqëndrueshëm të Kosovës.
Këto principe, të cilat do t’ i marrim në shqyrtim, parashohin fillimisht një status kompatibil të Kosovës me standardet ndërkombëtare. Dhe si mund të krijojë standarde ndërkombëtare një krijesë administrative, e cila nuk ka kurrfarë statusi, sikurse është Kosova, dhe a mund të ndërtohen standarde ndërkombëtare pa pasur qoftë edhe një segment të kompetencave të mirëfillta nga zyrtarët vendorë për të ndërtuar standarde të tilla?
Principi në vazhdim parasheh përfillje të plotë dhe maksimale të vlerave demokratike evropiane, nëse me “vlera” evropiane nënkuptohet presioni sistematik, i panatyrshëm dhe i panjerëzishëm që i detyron shqiptarët të heqin dorë nga vetvetja, dhe të pranojnë, që për hir të shteteve sllave të jetojnë të ndarë në pesë shtete. Ky imponim nuk mund të jetë kurrfarë vlere në kuptimin e vërtetë të fjalës, por presion brutal për t’ i detyruar shqiptarët të tërhiqen nga një e drejtë njerëzore, e natyrshme dhe demokratike, sikurse është parimi, që një komb të jetojë në kuadër të një shteti, ashtu sikurse Bullgaria, Serbia, Greqia, etj.
Një princip tjetër, i radhës, parasheh që Kosova të jetë bashkësi multietnike, të jetë një krijesë e barabartë, si për shumicën dërrmuese shqiptare, edhe ashtu edhe për pakicat e shpifura kombëtare, të shpikura në kohën e regjimit fashist të Milosheviqit.
Principi tjetër parasheh decentralizimin e pushtetit, sipas kërkesave që do të parashtrojë Qeveria e Serbisë, sepse procesi i tillë i filluar nga zyrtarët vendorë, ka ngecur, pasi që nuk është pranuar nga serbët vendorë as nga ata të Beogradit.
Principi mbi të gjitha principet aspak principiel është insistimi për ruajtjen me polici dhe ushtri serbe të kishave dhe manastireve sllave.
Nuk bëhet fjalë për ruajtjen e trashëgimisë mijëvjeçare ilire shqiptare, të trashëgimisë romane e bizantine, turke e evropiane, por kërkohet të ruhen monumentet fizike të pushtuesve serbë, me qëllim që Kosova nga aspekti fetar të jetë një oazë e fesë shënsaviste serbe, fe e cila në esencë nuk është as fe e mirëfilltë ortodokse, përderisa të gjithë të parët e kësaj feje kanë arsyetuar dhe kanë yshtur vrasjen masive të 200 myslimanëve në Bosnje dhe të dhjetëra mijëra shqiptarëve. Nuk është fe e mirëfilltë njerëzore ajo fe përderisa me imponimin e një ikonografie mitike fiktive kërkon stopimin e kohës dhe të zhvillimit të ligjshëm njerëzor, për hir të restaurimit të miteve të periudhës së barbarisë.
Drejtorët e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit kërkojnë që Kosova të ketë një status, i cili siguron rajonin dhe nuk i rrezikon vendet fqinje. Edhe me këtë rast zbulohet mesazhi i përrallës së qengjit dhe ujkut. Tekefundit edhe po të jetë shtet Kosova, cilin nga shtete në rajon do të mund ta rrezikonte?
Natyrisht se nga kjo bashkësi, ende e pa formë dhe e patrajtë, do të kërkohet edhe mbizotërimi i ligjit, si dhe karakteri multietnik i policisë dhe organeve të drejtësisë. Ky “princip” nënkupton kthimin anakronik të gjendjes kushtetuese të vitit 1974, në kohën kur as ekziston Jugosllavia si e tillë, as edhe një krijesë e tillë artificiale juridike, kushtetuese.
Hartuesit e principeve për të ardhmen e Kosovës kanë paraparë edhe zhvillimin ekonomik të saj, në mënyrë që ky vend të mund të përparojë dhe të mund të ekzistojë pa qenë i varur ekonomikisht.
Principi i fundit, principi i dhjetë, parasheh që edhe për një periudhë të pacaktuar kohore në Kosovë të jetë e pranishme qeverisja e administratës së huaj së bashku me forcat ushtarake të NATO-s. Ky është principi i vetëm i prezencës së forcës për të realizuar nëntë principet e tjera, aspak të ligjshme dhe aspak demokratike.
Këto janë shkurtimisht përmbajtjet e dhjetë të ashtuquajturave principe, mbi të cilat do të mund të sajohej një krijesë e tillë politike administrative, që nuk do të kishte as edhe një element të vetëm të shtetit kombëtar, as një element të vetëm të shteteve, sikurse janë Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, apo ish RJ e Maqedonisë, se lërë më të jetë e begatuar me elemente të tjera shtetformuese. Një krijesë e tillë amorfe, krejtësisht eksperimentale, nuk mund të qëndrojë në asnjërin prej këtyre principeve pa princip dhe në mungesë të shprehur të realizmit politik.
Nëse faktori politik ndërkombëtar mendon se mund të ushtrojë ndikim dhe në këtë mënyrë mund ta nënshtrojë përcaktimin deklarativ të liderëve të Kosovës, këtë vullnet antishqiptar nuk mund t’ia imponojnë shqiptarëve liridashës, të cilët tanimë do t’i arsyetojnë të gjitha organizimet, qofshin ato edhe ilegale, deri te krijimi i formacioneve të ndryshme, të cilat vështirë se do të mund të kontrollohen. A.Q
Fundi i iluzioneve dhe fillimi i kompromiseve
Mbledhja e drejtorëve politikë të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, mbajtur ditë më parë nëVashington, rikonfirmoi qëndrimin tashmë të njohur ndërkombëtar, lidhur me çështjen shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti për çështjen e Kosovës. Pavarësisht nga përpjekja që bënë diplomatët e këtij “grupi” për ta qepë me penj të padukshëm “qefinin” që po i përgatitet Kosovës, tashmë është e sigurt se çështja e përkufizimit dhe zgjidhjes së statusit të vendit tonë do të bëhet me kompromis dypalësh, ose me zgjatjen e agonisë historike, jo vetëm për Kosovën, por për tërë popullin shqiptar.