Fundi i palavdishëm i flamurit të paligjshëm të Ibrahim Rugovës

 


Ditë më parë në kryeqendrën tonë, për herë të parë deri tani, përveç flamurit shqiptar, u shpalos edhe flamuri personal i Ibrahim Rugovës, për të cilin ka marrë vendim të shpaloset, kryetari i komunës së Prishtinës, z. Ismet Beqiri, pa përfillur procedurën paraprake, dhe pa marrë pëlqimin as të qytetarëve, të cilët si po shihet dhe si qëndrojnë punët tash për tash, nuk dëshirojnë flamur tjetër, përveç flamurit kombëtar shqiptar.
Ndodhej ajo që edhe pritej, mirëpo ndodhi pikërisht më 28 Nëntor, kur nuk duhej të ndodhte, dhe kur pak kush e kishte pritur, sepse shpalosja e një flamuri tjetër, me rastin e Festës kombëtare të Flamurit dhe të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte një përdhosje e papranueshme, ishte një ndërhyrje e panatyrshme dhe antikombëtare. Në këtë mënyrë krejtësisht të paligjshme, u shpalos ky flamur i paligjshëm, kreatorët dhe afishuesit e të cilit, qëllim të vetëm kanë pasur dhe kanë përçarjen edhe më të thellë të kësaj pjese të kombit, pikërisht në momentet vendimtare, kur duhet të vendoset për përkufizimin e statusit të vendit tonë.
Arsyetimi i kryetarit të komunës, Ismet Beqiri, para kamerave televizive, për shpalosjen e flamurit të Rugovës, nuk ishte vetëm një arsyetim naiv, por edhe i mbrapshtë dhe i pa emancipuar. Ky kryetar arsyetonte se flamuri i Rugovës qenka i bukur, i hijshëm në radhë të parë, dhe lavdëronte padronin e tij, Ibrahim Rugova, i cili paska prirje të veçantë për ndërrimin e simboleve dhe prirje për qepjen dhe qëndisjen e flamujve.
Shpalosja e flamurit të Rugovës, pikërisht në Ditën e Flamurit kombëtar ishte një provokim tejet i papërgjegjshëm, veprim i kundërligjshëm, meqë ky flamur i kontrabanduar në këtë mënyrë, as e ka marrë pëlqimin e qytetarëve, as ka kaluar nëpër procedurë të rregullt ligjore. Në këtë mënyrë i shkelin dhe i përdhosin institucionet, ata që thirren në institucione, dhe ata që kanë krijuar një traditë të tërë të “institucionalizimit” fiktiv dhe shterpë në esencë, por gjithnjë me qëllim të përçarjes dhe thellimit të ndasisë së njerëzve tanë.
Lajmit sensacional, për shpalosjen e flamurit të presidentit nëpër sheshet e Prishtinës, i dhanë publicitet euforik, gazetaresk, sidomos RTK-ja dhe TV 21. Me qëllim për ta promovuar këtë flamur, si ngjarje historike për Kosovën, ata shpalosen opinionet e cunguara dhe të censuruara të qytetarëve, të cilët të ekstazuar e të ekzaltuar flisnin para kamerave për këtë flamur aq “të bukur” të presidentit Rugova.
Ndërkohë, duke qenë në dijeni se të gjithë flamujt e kontrabanduar qenë hequr nga sheshet e Prishtinës, gjatë natës së 27 Nëntorit, gazetarët e këtyre mediumeve dhe mediave të tjera pro LDK-iste, u hutuan dhe e ndalen propagandimin. Madje në lajmet e ditës nuk publikuan asnjë të dhënë, dhe asnjë pamje për valëvitjen nëpër sheshet e Prishtinës të flamurit të presidentit të tyre të dashur, Ibrahim Rugova.
Mirëpo, pa vonuar, ndodhi ajo që duhej të ndodhte, kur liridashësit dhe bijtë më besnikë të Kosovës, i nxorën flamujt e kontrabanduar dhe publikisht ua dhanë zjarrin atyre flamujve mu para ndërtesës së Kuvendit komunal të Prishtinës, ndodhi kjo në kohën kur nëpër sheshet e Prishtinës vërshuan si uragan mijëra luftëtarë të brigadave dhe batalioneve të UÇK-së, që po parakalonin qetas, në kërkesë për lirimin e Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliut. Duke ecur si gjithnjë vetëm kah fryn era, gazetarët e RTK-së dhe TV 21-shit, Radio Blues, Radio Kosovës e të tjerë, ndërruan qëndrimin, ashtu si kameleoni ngjyrën. Ata priten më kot nga policia e Kosovës që të intervenonte, mbase edhe të derdhej gjaku, në mënyrë që të dënoheshin “vandalistët” që po e digjnin flamurin e presidentit, “vandalistët” të cilët dikur moti në vitin 1981, kishin djegur mu në sheshin e Prishtinës edhe flamujt e pushtuesit e të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbët. Mirëpo nuk ndodhi ashtu. Përkundrazi pjesëtarët e SHPK-së jo vetëm që nuk intervenuan, por as i dhanë fare rëndësi kësaj ndodhie, meqë as kishin qenë të njoftuar, as kishte ushtruar ndokush ankesë për mallin kontrabandë, që po digjej mu para ndërtesës së Kuvendit të Prishtinës.
Duke parë ndërrimin e situatës, redaktorët e këtyre dy shtëpive publike, dhe të mediumeve pro politikës së LDK-së, duke parë epilogun e ndodhisë, disa orë më parë e konceptuar si ndodhi historike, e tani krejt e palavdishme, ata ia kthyen ndryshe. Filluan të filmojnë pamje nga djegia e mallit kontrabandë, morën opinione të tjera të qytetarëve të arsyeshëm, të cilët shprehnin mendimet e tyre se për flamurin e ardhshëm të shtetit të Kosovës, duhet të pyeten fillimisht qytetarët e Kosovës, ata që kanë lënë gjymëtarët nëpër frontet e luftës, dhe për një flamur të tillë duhet të vendos Parlamenti, e jo kjo apo ajo parti, ky apo ai farë kryetari. Kështu, brenda ditës këta gazetarë filluan, që “ngjarjen e bujshme dhe historike” ta zbresin në nivelin e një ngjarje të pabujshme. Ata arritën ta përmbyllin “ndodhinë e ditës” pa eufori, por gjithsesi me një ngarkesë tjetër në ndërgjegjen sa e sa herë të tradhtuar tradhtuar profesionale, mbase edhe kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …