Funksionalizimi i OSS për BRE në vitin e ardhshëm

Grupi punues ndërinstitucional për themelimin e One Stop Shop për Burime të ripërtërishme të Energjisë, ka mbajtur takimin e radhës ku u prezantua hulumtimi “Analiza e Barrierave” për investime në këtë sektor që është realizuar nga kompania Fichtner. Me këtë rast u tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që funksionalizimi i OSS për BRE të bëhet vitin e ardhshëm.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka vlerësuar punën e grupit punues për themelimin e OSS që koordinohet nga Zv.Ministrja Besa Zogaj-Gashi, duke theksuar se rezultatet konkrete të kësaj pune do të behën pjesë e kornizës ligjore dhe orientimeve të Qeverisë për këtë sektor.

Stavileci tha se Burimet e Ripërtërishme të Energjisë dhe Efiçienca e Energjisë janë

pjesë e rëndësishme e Strategjisë së Energjisë të Kosovës, duke  ditur rëndësinë e investimeve në këtë sektorë, që përveç tjerash përbën edhe obligim që ka marrë vendi, andaj funksionalizimi i OSS do të t’i jepte shtytje investimeve në BRE.

Ndërsa, Arben Nagavci nga USAID, ka vlerësuar të arriturat në këtë proces, në të cilin kontribuon përmes projektit REPOWER, duke theksuar se presin rezultate konkrete. Ai tha se USAID është i interesuar që Kosova të jetë e gatshme për përmbushjen e obligimeve në sektorin e energjisë që rrjedhin nga obligimet e procesit të integrimit në BE.

Më pas, eksperti i energjisë, Ali Hamiti duke prezantuar hulumtimin “Analiza e barrierave” ka thënë se nga hulumtimi i realizuar del se dy barrierat që kanë rol të veçantë janë: – në fushën e financimit të projekteve të BRE,  dhe në procesin e autorizimit të projekteve të BRE-së.

Ai tha se një element i rëndësishëm për heqjen e barrierave në BRE, në periudhën afatmesme dhe afatgjate është forcimi i kornizës-strukturës së investimeve në përgjithësi, e cila është e rëndësishme për investitorët e huaj potencialë të interesuar për projektet e BRE-ve në Kosovë.

Më pas të pranishmit kanë zhvilluar një debat nga ku kanë prezantuar qëndrimet e tyre dhe kanë dhënë rekomandimet në funksion të lehtësimit të procedurave të investimeve në BRE dhe funksionimit të OSS-së.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …