Rritja e kapacitetit të ujit të pijshëm në stacionet e pompimit, në kuadër të bashkëfinancimit nga Lux Dev dhe Komuna e Skenderajt ka bërë që Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura të emëroj Komisionin e përbashkët më qëllim të inspektimit, vlerësimit dhe pranimit të ujësjellësit të fshatit Polac.
Këtë Komision e ka takuar Nënkryetari Nura. Më këtë rast z. Nura e ka sugjeruar Komisionin që me ritme të shpejta të bëjë inspektimin, vlerësimin dhe pranimin e këtij projekti nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, pasi banorët e Polacit kanë shumë nevojë për ujë.
Nënkryetari Nura deklaroi edhe një herë se furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm është prioritet i lartë i udhëheqjes komunale të Skenderajt.
Ai më këtë rast është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin e komunës me Lux Dev në rritjen e kapacitetit të ujit të pijshëm në stacionet e pompimit, gjë që do të mundësoj furnizimin me ujë për fshatin Polac.
Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica Sami Miftari e informoi z. Nura me rritjen e kapacitetit të ujit gjë që do të mundësoj zgjerimin e rrjetit furnizues në fshatra dhe vendbanime.
Në vazhdën e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit në mes Komunës së Skenderajt dhe Lux Dev shumë shpejt pritet të nisin punimet edhe në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Kryshec.
Ndërkohë Komuna e Skenderajt bashkë me CDI-në zvicerane është duke vazhduar projektin e shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në 12 fshatra të Skenderajt.