I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka filluar vizitën e tij në Kosovë, ku pritet të takohet me kryetaren, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti, opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar lidhur me çështjen e dinarit serb. Ai ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Prishtinë, do të angazhohet për një zgjidhje të vendimit të pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre. Banka Qendrore e Kosovës e filloi zbatimin e një rregulloreje të re nga 1 shkurti, që përcakton se vetëm euroja do të përdoret për pagesa me para të gatshme, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Escobar, gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë në Bruksel e quajti “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve për të zbatuar këtë rregullore. Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Në mungesë të dinarëve në vendbanimet e tyre në Kosovë, serbët e Kosovës udhëtuan dhjetëra kilometra drejt qyteteve serbe, në afërsi të kufirit me Kosovën, për t’i tërhequr mjetet që ata pranojnë nga Qeveria e Serbisë. (REL)
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …