Zëvendësndihmës Sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim që i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të arrijë synimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që, sipas tij, është “arritja e një zgjidhjeje” ndërmjet dy shteteve. Escobar, që njëherësh është i dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se çështjet, që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme është ajo e personave të pagjetur. “Tema më urgjente (që do të lëvizte gjërat përpara në dialog) është çështja e personave të pagjetur. Kjo është një temë humanitare që nuk duhet të bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ka familje që po presin me vite për të kuptuar se çka ka ndodhur me më të dashurit të tyre. Unë thjesht nuk e kuptoj pse për këtë çështje nuk mund të ketë kompromis”, tha Escobar.