Gafurr Xhafer Loku (11.8.1949 – 21.2.1999)

Gafurr Xhafer Loku (11.8.1949 – 21.2.1999)

Gafurr Xhafer Loku u lind më 11 gusht të vitit 1949 në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Ciklin e ulët të fillores e kryen në fshatin e lindjes, ndërsa pjesën tjetër, në Han të Elezit. Pas përfundimit të fillores, Gafurri regjistrohet në gjimnazin e Tetovës, ku edhe ishte shpërngulur së bashku me familjen. Në gjimnazin e atjeshëm Gafurri e fillon veprimtarinë atdhetare nga e cila rrugë nuk u nda deri në rënien e tij, në shkurtin e vitit 1999.
Në 4 maj të vitit 1968, disa muaj  para se të shpërthenin demonstratat për flamur në Kosovë, Gafurr Loku, i cili ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme bashkë me veprimtarin e njohur, Rafi Halilin, ngritën flamurin kombëtar shqiptar në Fabrikën e Tekstilit në Tetovë, ku krahas shqiponjës, shkruan edhe parullën: “Do të lind edhe një Skënderbe”.
Krahas kësaj vepre të madhe, kur me 23 dhjetor në Tetovë, organizohen demonstrata masive për flamurin, në ballë të tyre krahas të tjerëve ishte edhe Gafurr Loku. Por pas demonstratave të zhvilluara do të pasojnë edhe arrestimet. Gafurri  nxënës i vitit të  III-të për pjesëmarrje në demonstrata do të dënohet me dënim administrativ për të mitur dhe e tëra kjo ishte vetëm fillimi i rrugës atdhetare të Gafurr Lokut.
Pas përfundimit të gjimnazit do të regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, ku edhe vazhdon veprimtarinë ilegale.
Për të sendërtuar qëllimet politike, Gafurr Loku bashkë me Rafi Halilin dhe shokë të tjerë, aktivitetin e tyre ilegal, e shtrijnë në formimin e celulave në Shipkovicë, Xhepqisht, Gajre, Zhelinë, Porojë e Reqicë të Tetovës, ndërsa në anën tjetër, në Kosovë, mbajnë kontakte me shokët e grupit “Bashkimi”. Në kuadrin e kërkesës të këtij grupi ilegal ishte ngritja e flamurit shqiptar kudo ku ka shqiptarë në Maqedoni, kërkesa për të drejtën e dy gjuhësisë, punësimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet, hapjen e shkollave  profesionale në qytete, posaçërisht në Tetovë. Qëllimi tjetër i këtij grupi atdhetar, ishte çlirimi i atdheut dhe bashkimi me Shqipërinë si një e drejtë legjitime. Për të realizuar këtë qëllim parashiheshin dy forma të veprimit, veprimi paqësor me demonstrata dhe veprimi tjetër me kryengritje të armatosur.
Për këtë qëllim, Gafurr Loku me shokë, morën disa pushkë në gjimnazin e Tetovës, ndërsa më 1 Maj 1972, me rastin e festës së punëtorëve, në disa qytete të Maqedonisë, ai me disa shokë shpalosin flamujt kombëtarë. Në këto rrethana, UDB-ja kishte filluar ndjekjen dhe arrestimin e këtyre atdhedashësve. Më 21 shtator të vitit 1972, në Prishtinë, arrestohen Rafi Halili e Gafurr Loku si dhe anëtarët e tjerë të “Grupit” në Tetovë. Gafurr Loku, krahas aktivitetit të tij në grupin e organizuar, ishte edhe autori i pamfleteve, të 26 gushtit 1972, të cilat u vendosën në muret e bibliotekës së qytetit dhe në Universitetin e Punëtorëve të Tetovës.
Pas hetimeve nga inspektorët e UDB-së,  më 21 janar të vitit  1973 i nxjerrin para gjyqit, të akuzuar nga neni 117 al. 1 dhe 2  lidhur me nenin 100, vepra të kualifikuara si bashkim për veprimtari armiqësore kundër rendit dhe shtetit. Gafurr Lokun e dënojnë 5 vite. Burgun e vuan në kazamatin famëkeq të Idrizovës ku edhe njihet me Rexhep Malën nga Hogoshti i Dardanës.
“Në kohën kur në Burgun famëkeq të Idrizovës, e sollën të burgosurin Rexhep Malaj, përcjellja dhe dhuna kundër të burgosurve shqiptarë u bë edhe më e madhe. Kundër Rexhep Malës filluan provokime nga më të ndryshme, deri në përpjekje për likuidimin e tij, thotë bashkëvuajtësi nëpër burgje, Raif Halili. Rexhep Malaj dënohet me 30 ditë vetmi, i shoqëruar edhe me tortura. Por pas dënimit të Rexhepit, i burgosuri, Njazi Korça nga Gjilani, protestoi kundër drejtorisë së burgut. Ndërsa në anën tjetër Rafi Halili në shkurtin e atij viti kërkon takim me drejtuesit e burgut për të kërkuar sqarime lidhur me dënimin me vetmi të Rexhep Malës.
Të pakënaqur me përgjigjet e organeve të burgut, në shkurt të vitit 1977, Rafi Halili, Gafurr Loku, Njazi Korça e Rushit Nesimi kërkojnë takim me drejtorin e burgut dhe përfaqësuesin e judikaturës, duke i paralajmëruar për grevë urie.
Nga burgu i parë, Gafurr Loku lirohet më 21 shtator 1977 dhe meqenëse babai i tij, nga Tetova ishte shpërngulur në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit, Gafurri kthehet në vendbanimin e ri, ku edhe martohet. Në vitin 1979 i lindi edhe djali, Dritoni, i cili vritet nga pushtuesit serbë pas 20 viteve.
Pas burgut dhe shërbimit ushtarak, Gafurri dhe Rafiu do të vazhdojnë përsëri studimet e mbetura në gjysmë nga arrestimi i parë, ku do të kryejë tri vitet e Fakultetit Ekonomik, por njëkohësisht Gafurri do të ketë lidhje edhe me organizatën ilegale “Kushtrimi i Lirisë” të cilën e kishte formuar Rafi Halili.
Pas demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981 në Kosovë, Gafurr Loku ishte  propagandues i shquar për Republikën e Kosovës. Pas demonstratave popullore të vitit 1981 në Kosovë dhe  në Tetovë ndërmerren shumë aksione të shpërndarjes së pamfleteve për të zgjuar shpirtin shqiptar. Gafurri me shokë,  më  27 qershor, 8 korrik, 16 shtator, 17 shtator, 21 dhjetorit 1981 dhe  më 9 mars 1982 në vigjilje të një vjetorit të demonstratave të Kosovës kanë shpërndarë pamflete.
Shpërndarja e pamfleteve të fundit bëri që, më 10 mars të vitit 1982 të zbulohet Organizata. Së pari bastiset shtëpia e Gafurr Lokut në Tetovë, ku pasoi edhe arrestimi i tij, më 13 mars 1982 në Kaçanik.
Më 16 gusht 1982 Gafurr Lokun e dënojnë  me 3 vite e 6 muaj burg për të ashtuquajturën propagandë armiqësore nga neni 133. Pas lirimit nga burgu, Gafurri sërish vazhdon Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe arrin të përfundojë  tri vite.
Në vitet 90, Gafurr Loku merr pjesë  në pajtimin e shumë ngatërresave e gjaqeve. Mori pjesë në të gjitha protestat që organizoheshin nga subjektet politike të kohës. Në një protestë ku brohoritjet më të mëdha ishin për UÇK-në, policia serbe arreston djalin e tij, Dritonin 20-vjeçar ku edhe e torturojnë shumë rëndë. Në qershorin e vitit 1998 në Puset e Nikës formohet njësiti i parë i UÇK-së, në krye me komandantin, Rufki Sumën.
Gafurr Loku, kontaktet me UÇK-në, në Puset e Nikës i mbante gjatë natës, fillimisht në malet e Bushëve  të Poshtëm.
Situata në Kosovë gjithnjë e më shumë vinte duke u rënduar. Krahas forcave policore ushtarake serbe që pozicionoheshin kudo, disa ditë para se të vritej  nëpër aksin rrugor Ferizaj-Hani i Elezit qarkullonin makina pa targa. Në popull flitej se këto makina kundër shqiptarëve i ushtronte ”Dora e Zezë” serbe. Nën urën e Krivarekës, në Gryk të Kaçanikut u gjetën edhe disa shqiptarë të masakruar. Pushtues serbë, më 21 shkurt të vitit 1999, rreth orës 20.00 organizojnë atentat, me ç’rast Gafurrin e vrasin ne shtëpinë e tij bashkë me djalin 20-vjeçar, Dritonin, i cili sapo ishte kthyer nga Batalioni “Imer Alushani”, i Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova, me qëllim për t’iu bashkangjitur radhëve të UÇK-së, në Puset e Nikës.
Pas përfundimit të luftës, me nismën e ish-ushtarëve të UÇK-së, të Brigadës 164 dhe me punën e pandërprerë të ushtarëve të TMK-së të kësaj njësie si dhe ndihmën e donatorëve të tjerë, arritën që të ndërtojmë një shtëpi në qendër të Hanit të Elezit, ku sot jetojnë nëna e dëshmorit, dhe bashkëshortja e tij me 5 fëmijët e Gafurr Lokut.
Trupi i tij rivarroset në varrezat e Dëshmorëve në Puset e Nikës. Në përfundim të luftës, Brigada 164 e ka marrë emrin e këtij dëshmori. Batalioni 36 i xhenios i TMK-së mban emrin e Gafurr Lokut. Në shenjë respekti familja ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes së QPK-së, nga Zona e Neredimes, Brig. 162 dhe Brigada 164. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …