Njoftimi i plotë i Gani Bajraktarit:
Ka ndërruar jetë, pedagogu, luftëtari, çlirimtari,
Iku në amshim për të mos vdekur kurrë, njeriu i mirë e human, patrioti e atdhetari,
Na mërziti shumë Vëllai ynë, Prijësi, Legjendari, …
Zymber BAJRAKTARI,
Jeta yte vëlla nuk ish veç një rrëfim: do aq kohë sa jetove për të bërë një udhë përshkrim!
Do të na mungosh shumë!
Lavdi veprës tënde, që do të na ndriçojë për jetë e mot!
Ngushëllime miqve të shumtë të Zymberit, anekënd trojeve shqiptare, nxënësve të tij, bashkëluftëtarëve dhe farefisit të gjerë! Qoftë i Parajsës Luftëtari i Lirisë!
AGJENDA e përcjelljes së veprimtarit Zymber Bajraktari
– 12.00-14.00- Homazhe pranë arkivolit në Hollin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj
– 14.00 – Akademi Përkujtimore nën patronatin e Shoqatave të Luftës dhe komunës së Skenderajt, në Sallën e Shtëpisë së Kulturës
– 15.00 Varrimi me Ceremoni Shtetërore në Varrezat e Fshatit Klinë e Epërme.
Biografia e shkurtër e veprimtarit të çështjes kombëtare Zymber (Hetem) Bajraktari, Mr.Sci. (1952-2023)
– Zymber Bajraktari ka lindur më 22 Maj 1952 në Klinë të Epërme, komuna e Skenderajt.
– Shkollën Fillore e ka mbaruar në Klinë të Epërme dhe në Skenderaj,
– Shkollën Normale e ka mbaruar në Prishtinë, ndërsa
– Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e ka përfunduar në Gjakovë.
– Ka punuar arsimtar në fshatrat Bellanicë dhe Duhël të Komunës së Malishevës (atëherë të Suharekës), si dhe në Shkollën Fillore në Fshatin Llaushë, të Komunës së Skenderajt.
– ZYMBERI, duke qenë stërnipi i Dëshmorit të Atdheut – Ramadan Bajraktarit, dhe nipi i Zymber Bajraktarit të rënë në Petnjice të Malit të Zi në mbrojtje të tokave shqiptare, ishte brymosur fuqishëm me ide patriotike që në fëmijërinë e tij të hershme.
– Aktivitetet e tija patriotike të kohës i kishte shpërfaqur nëpërmjet aktiviteteve të Grupit Letrar të Shkollës së Llaushës, i cili kishte ngjallur “kureshtjen” e sigurimit jugosllav të kohës, meqë ky Grup Letrar përveç shkëlqimit në garat letrare të kohës kishte dhënë shkëndijat e rimëkëmbjes së ndjenjave kombëtare çlirimtare të banorëve liridashës të Llaushës, Drenicës e më gjërë. Këto shkëndija do të bëhëshin më vonë sinjalet e para të luftës për liri, sepse ishin pikërisht nxënësit e Arsimtarit Zymber, çlirimtarët e Llaushës, ata që ndër të parët i kthyen pushkën armikut ardhacak që kishte futur rrënjët në qindvjeçarin e fundit në Kosovë.
– Këto aktivitete, bashkë me aktivitetin e shquar të Zymberit në Grupin Amator Dramatik në Skënderaj, i cili nxirrte shfaqje me përmbajtje patriotike para artëdashësve ne Kosovë, i ranë në sy pushtetit serb të instaluar dhunshëm në Kosovë dhe kolaboracionistëvë të tyre, duke e shënjestruar dhe përndjekur atë, nëpërmjet bisedave informative, kërcënimeve e shantazhimve nga më të ndryshmet.
– Mirëpo, Zymberi jo vetëm që nuk u frikësua, por përkundrazi, ai nuk ndaloi, thelloi aktivitetin e tij kombëtar e patriotik, duke mos pushuar për asnjë moment, deri në çlirimin përfundimtar të vendit:
o Ishte aktivist i shquar i Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë,
o Ishte nismëtari dhe themeluesi i Lidhjës Demokratike të Kosovës në Bashkësinë Lokale të Klinës së Epërme,
o Ishte Kryetari i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës të Bashkësisë Lokale Klinë e Epërmë, duke qëndruar në këtë pozitë deri në Vitin 1998,
o Ishte nismëtari dhe njëri nga tre themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë të Epërme,
o Ishte Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
o Ishte Zëdhënës i Brigadës 114 Fehmi Lladrovci, Zona Opertive e Drenicës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
o Ishte korrespondent i Radios së Luftës “Kosova e Lirë”
o Ishte korrespondent i Radio Televiozionit Shqiptar, gjatë kohës së Luftës në Kosovë.
Pas çlirimit të vendit në Qershor të Vitit 1999, Zymberi ishte ndier i përmbushur, prandaj kishte vendosur që punën e shtetformimit të vendit të çliruar t’ua linte në duar gjeneratave më të reja, duke mos pushuar në asnjë moment në aktivitetet e tija humanitare dhe sociale në Drenicë, Mitrovicë dhe Kosovë, krahas aktivitetit të tij privat e familjar.
– Kultura e tij e punës dhe pasioni i tij i pashembullt për të kontribuar sa më shumë në të mirë të vendit dhe njerëzimit, Zymberin e ndoqën gjatë gjithë jetës. Ai mbaroi Studimet Master për Bletari në Universitetin Bujqësor të Tiranës, fushë në të cilën ishte i mishëruar që në rini. Vitet e fundit të jetës ai i kaloi duke kontribuar në fushën e Bletarisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në nivel vendi në edukimin e brezave të të tërë të bletarëve në Kosovë, në cilësinë e ekspertit të fushës.
Zymber Bajraktari, do të mbahet në kujtesë për veprimtarinë e tij atdhetare, për organizimin e jetës sociale, politike e çlirimtare. Ai gjithashtu, do të mbahet mend për organizmin e popullatës në kohën e luftës së fundit, si dhe për aktivitetin e tij humanitar për familjet në nevojë.
Lavdi për jetë e mot veprës së pedagogut, atdhetarit, humanistit e çlirimtarit, Zymber Bajraktari!