leoni

Gani Koci

Gani Koci: U dashka të vdiset për një ilaç, i cili gjendet në Klinikën e Onkologjisë

Po më duhet të përballem me një sfidë të jashtëzakonshme për shkak të rrethanave të padrejta në sistemin tonë shëndetësor!

Ditët e fundit, jam diagnostikuar me kancer në mëlçi. Pas një sërë ekzaminimesh të kryera në Klinikën Onkologjike në Prishtinë, onkologu konfirmoi se vuaj nga një tip i veçantë kanceri në mëlçi. Në përputhje me protokollet shëndetësore ndërkombëtare, mjeku më përshkroi terapinë standarde, që përfshin edhe përdorimin e një medikamenti esencial(Pembrolizumab) për trajtimin e këtij lloj kanceri. Këtë formë të mjekimit me kanë rekomanduar edhe onkolog te huaj nga klinika onkologjike me renome botërore.

Për fat të keq, edhe pse ky ilaç ndodhet në listën esenciale të barnave, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që ai të shpërndahet vetëm për pacientët që vuajnë nga kanceri i mushkërive dhe i lëkurës, duke lënë jashtë pacientët, si mua, që vuajnë nga kanceri i mëlçisë. Ky ilaç nuk gjendet në tregun e rregullt dhe mund të sigurohet vetëm në mënyrë ilegale, me një çmim të papërballueshëm, deri në 8,000 euro për një dozë.

Kjo situatë më detyron, ashtu si shumë të tjerë që kanë nevojë për këtë ilaç, të përballem me një realitet të hidhur ku jeta ime dhe e të tjerëve varet nga vendime burokratike dhe politika absurde të Ministrisë dhe Qeverisë.

Është e papranueshme që në një kohë ku mjekësia ka përparuar kaq shumë dhe ekzistojnë mundësi për shërim, të privohesh nga e drejta për trajtim për shkak të kufizimeve të tilla! Nevojitet ndërhyrje urgjente për të ndryshuar këto politika dhe për të shpëtuar jetët e atyre që kanë nevojë për këto barna.

U dashka të vdiset për një ilaç i cili gjendet në Klinikën e onkologjisë, por që Ministra e ka kufizuar përdorimin e tij në mënyrë selektive!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …