Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për shqiptarët kudo, dhe Evropën në përgjithësi, ishte dhe mbeti figurë shumë më e lartësuar se sa vetë mitet dhe legjendat që arbëreshët ndër shekuj kanë krijuar për të.
Kështu do të shprehej përafërsisht, studiuesi i mirënjohur arbëresh, Matteo Mandala për kryeheroin tonë kombëtar, në një intervistë të dhënë këtë vit, për media.
Me rënien e Krujës më 1415 nën okupimin otoman,vetëm pak vite më vonë, Gjon Kastriotit do ti merreshin të katër djemt peng, përfshi edhe vet Skënderbeun.
Por në momentin që pushtetarët e Sulltanit para dënesjeve të së ëmës, po merrnin me forcë Gjergjin e vogël, me ç`rast i ati Gjon Kastrioti, i fliste për herë të mbramë në gjuhën amtare shqipe, duke i lënë porosinë e fundit djalit të vet, që herë do kur, të kthehej e ti çlironte tokat e të parëve dhe mbronte atdheun, ata ende nuk e dinin se po merrnin peng një fëmijë i cili pas burrërimit dhe kalitjes ushtarake, do të shndërrohej në kryetrimin shqiptar dhe kryeluan të Evropës, që për dy dekada e gjysmë me radhë, do të mbronte Shqipërinë dhe Evropën nga vërshimi otoman, si dhe tu shkaktonte humbjet më të mëdha pushtuesve turko-aziatik në Ballkan dhe Evropë.
Skënderbeu ishte dhe mbeti kryetrimi i vetëm-njëhershëm dhe i papërsëritshëm mbarëshqiptar, i cili përveç asaj që thuhet se lindi si djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe Vojsava Tribaldit në Mat të Shqipërisë, në shumë shkrime e veçanërisht në studimet serioze të autorit Prof.Dr. Eqrem Zenelaj,ofrohen fakte dhe dëshmi bindëse, që kryeheroi ynë, të ketë ardhur në jetë si pjestarë i fisit Kastrat në Mazrekë të Hasit.
Sido që të jetë, tek e fundit nuk është me rëndësi parësore vendlindja por mbi të gjitha qëndron fakti se Skënderbeu lindi shqiptar, bëri një luftë të bujshme fitimtare për 25 vjet me radhë, si dhe mbrojti popullin dhe atdheun me nderë e krenari duke mbetur i pathyer deri me shkuarjen në amshim më 17 janar të vitit 1468 të kryeheroit tonë mbarëkombëtar.
Gjergji Kastrioti ynë, në të gjitha fushëbetejat tregoi zotësi aq të mëdha, sa nuk mundi ti dëshmonte asnjë “nizam” tjetër i gjithë perandorisë otomane, në moshën e tij, ndaj kryetrimi i ardhshëm i Arbërisë dhe shpëtimtari i Evropës, u kthye në njërin nga pesë gjeneralët më të famshëm evropian e botëror të të gjitha kohërave, të cilin Sulltani për meritat e veçanta dhe fitoret mahnitëse,e nderoi me titullin “Skënderbe”!.
Mbiemër ky lartësisht dhe deri në piedestal cilësor, si për nga përmbajtja dhe domethënja, që i përkthyer në gjuhën shqipe, do të thotë Aleksandri i madh,ashtu edhe për bazën faktike dhe argumentin e fortë e të pamohueshëm të autoktonisë arbërore,ngase sipas të dhënave historike, edhe vet Aleksandri i madh, ishte me origjinë pellazgo-ilire dhe paraardhësi ynë më famëmadh në kohën e tij.
Skënderbeu me një ushtri të vogël nga 8 deri në 15 mijë trupa,por me zemër të madhe e të stërvitur mirë dhe pikërisht siç e kërkonte nevoja për kundërvënje një perandorie aq të madhe,nuk shpëtoi vetëm Shqipërinë apo Arbërinë e atëhershme,por edhe Evropën e sidomos Italinë, nga vërshimi i ushtrive Osmane e cila Brenda 25 viteve sulmoi mbi 30 herë vetëm trojet tona,ku Gjergji ynë doli pothuajse në çdo betejë fitimtar.
Faktet nga arkivat në Vatikan dhe qendrat tjera më të mëdha evropiane, jo vetëm se plotësojnë gjithnjë e më tepër figurën historike të Skënderbeut, por edhe dëshmojnë me të dhëna autentike, se Princi i Arbërit, u shndërrua në mbrojtësin kryesor të traditës,kulturë dhe qyterimit evropian, duke mudur sulltanët më barbarë dhe turpëruar perandorinë më të madhe të kohës, e cila shtrihej si enigmë e frikshme në tri kontinente të botës.
Madje meritat e tij në mbrojtje të Evropës dhe vlerave të saj,e shtynë edhe vet vet Papa Piu-n e II-t,që pesë shekuj më parë me të drejtë dhe arsye të plotë,ta ngriste Skënderbeun në piedestal të lavdisë, duke e shpallë atë edhe “Atlet të Krishtit”!
Gjergj Kastrioti Skënderbeu çmohet dhe vlerësohet lartë,mga Evropa deri në SHBA, heroizmat e të cilit ishin aq të shumta e të pakufi , sa që nuk di njeriu as sot, se çfarë të përmendë më parë:
Tri rrethimet e Krujës,me nga 100 deri në 150 mijë ushtarë otoman që zgjatën nga viti 1450 deri më 1468, dhe u udhëhoqën nga sulltanët më barbar të kohës,për të cilët Kruja u kthye në vdekje,duke mos harruar edhe vrasjen e kryekomandantit renegat Ballaban Baderës, apo betejën e Torviollit më 26 qershor 1444,ku Ali pashë Evrenozi nga 25 mijë ushtarë, la 8 mijë të vdekur e 2 mijë të zënë rob bashkë me armatim dhe paisjet më moderne të kohës, atë Otonetës në Dibër më 27 shtator 1446, apo 21 korrikun e vitit 1452, kur GjergjKastrioti Skënderbeu, brenda ditës zhvilloi dy beteja fitimtare, në mëngjesë duke asgjësuar ushtrinë e Hamza Pashës me 10 mijë ushtarë në Modricë, kurse në mbrëmje të po asaj dite edhe atë të Taip Pashës me15 mijë kalorës otoman, në Meçad.
Luftën me Venedikun,nga nëntori i vitit 1447 deri më 23 korrik të vitit 1448, kur ushtria madhështore e Mbretit të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,pasi demoloi tërësisht forcat venedikase të udhëhiqura nga Daniel Juriç Sebenqini dhe mori Dejën,Drishtin e Shkodrën me rrethinë,çliroi edhe qytetin shqiptar të Tivarit, apo heroizmat e treguara në Itali.
Më 1461 Skënderbeun me kalorësit e tij trima e shohim ti shkojë në ndihmë edhe mbretit Ferdinand të Napolit, ku kryetrimi ynë, jo vetëm që doli fitimtar,por shpëtoi edhe vet Ferdinandin dhe mbretërinë e tij.
Më 1462 Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, siç ështëw historikisht e njohur, ngadhnjeu kundër ushtrive otomane edhe në Pollog e Livadhi të Ohrit.
Vetëm në betejën e Vajkalit në gusht të vitit 1465,ushtria e Sulltanit humbi dhjetëra mijëra ushtarë bashkë me kryekomandantin e saj, Jakup Arnauti e në rrethimin e dytë të Krujës edhe Ballaban Baderën për të cilin thuhet se ishte i pari që u ngjit në muret Konstandinopojës gjatë betejës së vitit 1453 duke shënuar kështu fundin e ekzistencës së Perandorisë Bizantine.
Këto dhe shumë fakte tjera,dëshmojnë se për çfarë heroi dhe kryetrimi kombëtar e ndërkombëtar si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, bëhet fjalë në të vërtetë, atëherë edhe sot, 5 shekuj e gjysmë pas shkuarjes së këtij idhulli në amshim.
Për të gjithë ata të cilët pa të drejtë dhe asnjë argument akuzojnë Skënderbeun tonë të madh se kinse vrau “muslimanët” duhet rikujtuar çdo herë dhe bërë përfundimisht të ditur fort e mirë, se vet Ballaban Pasha, kundërshtari më i fortë i Skënderbeut, i cili në vërshimet e mëvonshme në krye të ushtrive otomane do të masakronte mbi 14000 mijë shqiptar të pafajshëm, në vitin 1443,kur Skënderbeu e mori Krujën, ai mbante postin e udhëheqësit të këshjellës apo siç thuhej atëherë- qe dizdar i kalasë së Krujës,të cilin Skënderbeu jo se nuk e vrau,por bashkë me ushtarët otoman, vetëm i dëboi nga Kruja me rrethinë.
Kryetrimi ynë, ishte heroi që nuk vriste as priste për çdo gjë,dhe pa shkak e arsye të forta.Forcën e tij ai nuk e dëshmoi asnjëherë me vrasjen e të dobëtit e të pafuqishmit, por nuk e kurseu atë në beteja të drejtpërdrejta me kundërshtarin.
Ai siç bashkoi arbrit e asaj kohe, unifikoi edhe qëndrimin e Evropës perëndimore duke i dhënë orientim dhe vlerë të përbashkët gjithë kontinentit të saj.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu njihte tri gjuhë, gjuhën amtare shqipe, latinishten dhe osmanishten e vjetër dhe në kohën kur në Evropë sundonin monarkitë absolute, duke ditur rolin e diplomacisë në afrimin me shtetet tjera dhe mardhënjet ndërkombëtare,posa krijoi shtetin arbëror, ngriti menjëherë edhe një rrjet të përsosur diplomatik që ia kishin lakmi shumë popuj tjerë më të mëdhenj, vuri lidhje të rregullta dhe mbante kontakte të vazhdueshme me të gjithë mbretërit e kohës së tij.
Ndaj, i mrekulluar nga fuqia unifikuese,heroizmi dhe aftësitë e gjithanshme edhe diplomatike të tij, Papa Piu i II-t, qysh atë kohë, kishte imagjinuar që pikërisht veprimtaria e Skënderbeut, të merrej si shembull për krijimin e Evropës së bashkuar.
Kurse Papa Pali i VI-t, në vitin 1968, veprën unifikuese të Skënderbeut e proklamoi për model sipas të cilit duhej ndërtuar edhe Evropa e Re,ndërsa ajo që duhet ti bëjë edhe më tepër krenar shqiptarët kudo,është fakti se veprimtaria e kryeheroit tonë kombëtar, konsiderohet edhe si pararendëse e aleancës më të madhe botërore, asaj Evro-Atlantike të Paktit NATO.
Sot shumë institucione, objekte,rrugë dhe sheshe në gjithë botën, mbajnë emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut,duke filluar nga kryeqytetet e vendeve tona si Tirana dhe Prishtina, e deri te Parisi në Francë, Roma në Itali, Çikago në SHBA, Gjeneva në Zvicër, Shkupi në IRJM,Zagrebi në Kroaci e shumë qytete tjera të mëdha në Evropë dhe globin mbarë.
Emri i tij edhe në kohën që ne jetojmë, bënë përjashtim vetëm në Turqi. Atje megjithëse jetojnë nga 7-8 milion sa mendojmë ne, deri në 15 milion shqiptar sipas shkrimeve në gazetat gjermane, megjithatë emri i Skënderbeut,jo vetëm se vazhdon të mbetet i ndaluar , por as bashkëkombësit tanë, nuk guxojnë ta quajn veten shqiptar.
Dhe përveçse nuk ka asnjë shkollë fillore e të mesme, se lëre më qoftë edhe një Universitet a fakultet të vetëm në gjuhën shqipe, Turqia bënë presion të madh e të pareshtur, në Shqipëri dhe Kosovë që kryeheroi i kombit tonë, të mos mësohet nëpër shkolla dhe të fshihet tërësisht edhe nga librat dhe historia jonë kombëtare.
Gjergj Kastrioti -Skënderbeu bashkë me princin hungarez të Transilvanisë Janosh Huniadin, konsideroheshin armiqtë më të frikshëm të pushtuesve osmanli në truallin evropian dhe për gjallje të këtyre dy heronjve,otomanët kurrë nuk mundën ta pushtonin Evropën, as të arrinin para dyerve të Vjenës në Austri, me gjithë ëndërrën e sulltanëve otoman.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me gjeneralët dhe bashkëluftëtarët e tij trima, shkatërroi mese 20 ushtri të huaja,ndërsa sipas Marin Barletit, vetëm ai me dorën e vet, asgjësoi mbi 3 mijë kundërshtar në fushëbeteja
Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe rënies së Shqipërisë nën pushtimin turk, përkrenarja, shpata dhe mburoja e kryeheroit tonë, u vendosën në muzeun historik evropian të armëve në vjenë të Austrisë, ku gjenden edhe sot.
Për meritat e tij të veçanta Skënderbeu,më 1965, u shpall Hero Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, titulli më i lartë, me të cilin për vlerat dhe kontributin e pa zëvendësueshëm të figurës së tij heroike, është nderuar vetëm ai deri më tani.
Ndërsa që nga fillimi i këtij moti jubilar, në shenj kujtimi të 550 vjetorit të shkuarjes së kryeheroit tonë në amshim,nga qeveritë e të dy shteteve shqiptare, ky vit u shpall-viti mbarëkombëtar i Skënderbeut.
Ideja si ide më duket e qëlluar, por kufizimi kohor, jo krejtësisht i pranueshëm, sepse siç dihet që moti botërisht, në realitet Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ishte as është emër- kujtimi, vetëm për një vit, por hero e kryetrim i përjetësuar në mit pavdekësie dhe legjendë epoke që nuk njeh kurrë fund as mbarim!
I pari që shkroi për kryeheroin tonë,ishte prifti me origjinë arbërore Martin Segoni, në skicën letraro-historike “Tregimi mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun” e cila sipas studiuesve përmban të dhënat të rëndësishme, për figurën e heroit tonë kombëtar.
Kurse librat e vjetër më me rëndësi, kushtuar Skënderbeut vlerësohen ai i Marin Barletit (1508-1510),dhe i Gjon Maria Vijemit, në shkrimet e të cilëve janë mbështetur shumica e historianëve të huaj dhe shqiptar për krijimin e veprave të tyre dhe rindërtimin e historisë së Skënderbeut.
Deri më tani, ka mbi 1200 vepra nga më të përkryerat, jo vetëm letrare dhe artistike, por edhe muzikore e operistike të cilat i janë kushtuar kryetrimit tonë legjendar.
Vetëm në ekspozitën e hapur me libra në Bibliotekën publike “Marin Barleti” dhe Universitetin e Shkodrës,u shfaqën më shumë se 120 tituj, 50 prej të cilëve thuhet se i takojnë fondit të librave të rrallë, kushtuar kryeheroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Megjithatë për turpin tonë,në trojet shqiptare “tyrbe” u ngritën si për kryerenegatin Ballaban Badera,në zonën e Petrelës, i cili masakroi mbi 14000 kryesisht gra e fëmijë të pafajshëm shqiptar, e që për fat të mirë më 1967 u rrënua, ashtu edhe për pushtuesin Sulltan Murati vetëm dy kilometra larg ngrehinës 25 metërshe pushtuese,car-lazaresko-serbe,që e shoqëron atë në Gazimestan të Dardani-Kosovës, e cila ekziston e himnizohet edhe sot nga turko-aziatët shqipfolës, pa të cilët ëshë 100% e sigurtë se shqiptarët do të kalonin miliona herë më mirë dhe me dhjetëramijëra viktima më pak.
Figura historike dhe udhëheqëse e cila u mungon për më tepër se 550 vjet shqiptarëve, është dhe mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu,kryetrimi ynë i cili krijoi shtetin e parë të Arbërit,ktheu përfundimisht në rrugë të mbarë të gjitha trojet tona etnike si dhe orientoi bashkëkombësit e vet drejt Evropës qysh në kohën e tij,një personalitet unifikues kombëtar për të cilin,edhe sot shqiptarët kanë nevojë më tepër se kurrë, njëjtë nëse jo edhe më shumë, se 5 shekuj e gjysmë më parë, kur kryeheroi ynë shkoi në amshim.
Lavdi jetës dhe veprës madhështore të kryeheroit tonë kombëtar, i përjetshëm dhe i paharruar për jetë e mot,qoftë kujtimi për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun,kryetrimin më të madh shqiptar në histori!