Gani Xhemë Paçarizi (15.5.1967 -18.7.1998)

Gani Xhemë Paçarizi (15.5.1967 -18.7.1998)

Menjëherë pas luftimeve në Prekazin e Ahmet Delisë, të Tahir Mehës e të Komandantit Legjendar Adem Jashari, pas rezistencës heroike në Gllogjanin e Rrafshit të Dukagjinit, pas shkatërrimit të forcave ushtarake serbe në “Digën e Radoniqit” e pas një numri të madh aksionesh të stuhishme anembanë Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës shënon fitore; fiton me publicitetin në botë dhe shtrihet në mënyrë të rrufeshme. Aksionet e 26 prillit të vitit 1998, i pari në aksin e magjistrales Prishtinë – Pejë, te Balinca e Llapushës dhe i dyti në aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, te Krusha e Vogël e Anadrinit, ndikuan në dinamikën e shtrirjes kah Anadrini e Hasi por edhe në forcimin e Zonës së lirë të Llapushës, me qendër organizative, operative e koordinuese në Malishevë.

Kazerrnirnr i repartit të luftëtarëve të lirisë në fshatin Drenaj (ish – Drenoc) të Zatriqit ndikoi në forcimin e korridorit logjistik që kalonte nëpër Pashtrik e fshatrat e Hasit e të Anadrinit, kah Kabashi, kah Malisheva e kah Shqiponja e Dushkajës në Gllogjan, ndikoi në shtrirjen e mëtejme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në drejtimet: kah Rahaveci, kah Retia, kah Drinasi, kah Kromniku, kah Hoça e Vogël, kah Krusha e Madhe e kah Qëndresa (ish – Randubrava), çka kulmoi me daljen publike të çlirimtarëve dhe shpëtirntarëve, në Drenaj të Zatriqit të Anadrinit. Mirëpo, tërë këto aktivitete logjistike dhe operative e detyruan policinë serbe, të mbështetur nga fundërrinat e ish – ushtrisë jugosllave që të rrudhet kah Rahaveci, kah Hoça e Madhe e kah Zaçishti, por me pretendime që të sulmojë, madje disa herë gjatë maj – korrikut, dhe ta shkatërrojë strukturën komanduese në Drenaj e në Drinas. Luftimet në Bardhatin, në “Qafën e Gardhishtit”, në Drinas, në Kromnik, në Reti e Fortesë, e forcuan edhe më shumë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe pse në periudhën e përmendur përjetësohen: Milaim Krasniqi, Elmi Morina, Mehediri Morina, Naser Krasniqi, Sadri Thaçi, Sakip Bellaqa, Feim Gashi e Përparim Thaçi.

Pas hyrjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec, në fshatin Fortesë të Anadrinit përjetësohet dëshmori i kombit Gani Xhemë Paçarizi, ndërsa plagoset rëndë luftëtari më i moshuar Isuf Sherif Gashi i Drenajt, axhë i dy dëshmorëve, e babë i dy luftëtarëve, i njohur si Baca i Madh.

Dëshmori i kombit, Gani Paçarizi është i lindur më 15 maj të vitit 1967, në fshatin Lumnishtë (ish – Lubizhdë) të Llapushës së Malishevës. Në shkollën fillore të vendlindjes shquhet si nxënës i zellshëm, sa për shkathtësi në disiplinat politeknike, aq edhe për sport e krijimtari letrare.

Për çdo veprimtari, në moshën fëmijërore, frymëzohej duke dëgjuar këngë e kronika familjare për të parët trima të shquar, që nuk duronin turpin dhe marre n te praku i derës, ndërsa me dëshirë për t’u shkolluar, Ganiu regjistrohet në gjimnazin e Malishevës. Por, fillimi nuk i shkoi mbarë, Malisheva e veçanërisht Qendra Shkollore “Abdyl Frashëri”, gjatë lëvizjeve të vitit 1981 qe shndërruar në një “çerdhe shlligash” prandaj edhe fokusohet, sa nga strukturat policore serbe, aq edhe prej argatëve shqipfolës, dhe Ganiu dënohet me 15 ditë burg dhe përjashtim nga shkolla, sepse “nëpër fshatrat e Malishevës, të Rahavecit, të Klinës, të Drenasit e të Therandës, shpërndante trakte me karakter armiqësor”, sipas vendimit, atëherë të plotfuqishëm.

Për t’i realizuar ëndrrat e së ëmës, Kadës, e të babë Xhemës, të lodhur, sa nga mosha aq edhe nga skamja, Gani Paçarizi regjistrohet në Gjimnazin e Kijevës, ku për idol në rrugën e idealit e kishte profesoreshën Xhevë Krasniqi, dëshmore e kombit, bashkëshorte e komandant Fehmi Lladrofcit, kurse po këtu, në Kijevë fillon bashkëveprimin me komandant Mujë Krasniqin – Kapuçin, sot dëshmor i kombit.

Në Kijevë evoluaon veprimtaria patriotike e Ganiut. Por, edhe këtu gjendet në shënjestër të “Engjujve të kaltër” të sigurimit serb dhe sërish i shqiptohet masa e përjashtimit nga shkolla, vetëm pak ditë para se të maturohej. Madje, prej këtij përjashtimi, nuk ndiqej më vetëm Ganiu, por edhe të gjithë Paçarizët, sa në Lumnishtë aq edhe në Dragabil. Tashmë, si më i pjekur, konkludoi se vazhdimi i veprimtarisë ia rrezikonte familjen, edhe ashtu të ndjekur e të persekutuar në çdo kohë, por edhe shokët idealit. Kështu, vendosi për ta marrë rrugën e kurbetit, si shumë veprimtarë të tjerë. Edhe rruga e kurbetit, Ganiut i doli plot gjemba; ndjekjet dhe maltretimet e shoqëruan deri në Gjermani, ku sërish do të takohet me profesoreshën Xhevë dhe me strategun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – komandant Fehmi Lladrofcin, me të cilin do të jetë në çdo formë të organizimit e të manifestimit të revoltës kundër shtypjes dhe shfrytëzimit, kundër dhunës serbe mbi shqiptarët, nën amullinë e pacifizmit dekadent, deri në ardhje në Kosovë, përkatësisht deri në përjetësi.

Pas konstituimit të të gjitha formave të veprimit të fondit “Atdheu në rrezik, vendlindja thërret”, Gani Paçarizi vendosi të kthehet në Kosovën tashmë të ndezur në luftë, braktis mërgimin dhe u bashkohet luftëtarëve më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, në mars të vitit 1998, shumë luftëtarë të lirisë thyejnë Pashtrikun Plak dhe kalojnë me veprim në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në Gllogjan e Shqiponjë.

Betejat në Grykën e Llapushnikut, luftimet e majit të vitit 1998; në Llapushnik, në Gjergjicë, në Balincë, në Kijevë, në Bardhatin, në Drinas, në Gardhisht, në Kromnik, në Apterrush, në Reti e Rahavec, Gani Paçarizin e gjetën shumë të përgatitur; moralisht, fizikisht dhe profesionalisht. Merr pjesë, drejton dhe komandon shumë luftime në Qafën e Duhlës, në Bllacë, në Grebnik e nëpër shumë fushëbeteja të Drenicës. Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenaj të Anadrinit, më 26 prill 1998, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, më 5 maj, Gani Paçarizi vjen në fshatin Drenaj. Në këtë pikë, ai formon një formacion të luftëtarëve të lirisë dhe shkëlqen në Betejën e Bardhatinit, më 12 maj kur i përjetësohen dragojt e Anadrinit; Milaim Krasniqi e Elmi Morina, kurse më 14 maj, në luftimet në Bregun e Drinit, në fshatin Gexhë, i përjetësohet bashkëluftëtari Mehedin Morina i Gllarevës.

Pas thyerjes së forcave serbe në Bardhatin e Gardhisht, më 6 qershor 1998, granatohet Drinasi për ta thërmuar formacionin e këtij fshati dhe nga luginat jugore të Nënzatriqit serbët të depërtojnë në Drenaj dhe të shkatërrohet fshati – kazermë e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rrafshin e Anadrinit. Por, kjo nuk arrihet pasi që nuk thyhet as formacioni i Drinasit me Naser Krasniqin, e as ai i Drenajt, në krye të të cilit qëndronin dragojt si: Selajdin Mullabazi – Mici, Mensur e Tafil Zyberaj, Bedrush e Fehim Gashi, Eshrafedin Kastrati e Isuf Berisha, sot dëshmorë të kombit, e Selim Krasniqi, Xhemë e Islam Gashi, sot të burgosur vetëm se e deshën Kosovën e Lirë e shtet të pavarur.

Më 26 maj 1998, ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë, Ganiu mbetet pa tre luftëtarë më të shquar të Batalionit të Drenajt i përjetësohen: Feim Gashi, Sakip Bellaqa e Përparim Thaçi, por Gani Paçarizi me bashkëluftëtarët bëri përpjekje mbinjerëzore për tërheqjen e trupave të pajetë dhe të Islamit të plagosur për të mos rënë në duart e bandave serboçetnike të Bogosav Shoriqit.

Më 16 – 17 qershor 1998, Gani Paçarizi merr pjesë në Betejën e Kromnikut, buzë aksit rrugor Klinë – Gjakovë, jo larg Urës së Rakovinës, ku çdo gjë ishte shkrumbuar nga zjarri i luftës në të cilën qëndronin luftëtarët e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Edhe pse kanonadat nuk pushonin, luftëtarët e Gani Paçarizit arritën për ta mbrojtur Kromnikun e Sadri Thaçit të përjetësuar në këto granatime.

Më 16 korrik, Ganiu për herë të fundit viziton vendlindjen; varrin e të et Xhemës, çmallet me nënën Kadë dhe sërish i kthehet fshatit Drenaj, duke kaluar nëpër Zatriq për t’u gjetur në “Rrasat e Rahavecit”, së bashku me Mensur Zyberajn e Isuf Gashin, më 17 korrik, kur përreth “Rrasave” çdo gjë ishte nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe më 18 korrrik 1998, Ganiu së bashku me luftëtarin më të moshuar, Jusuf Sherif Gashin, gjendet në fshatin Fortesë të Anadrinit.

Forcat srebe, në orët e mëngjesit dërgonin emisarë, misionarë e vëzhgues për vlerësimin e gjendjes në Rahavec, por edhe Gani Paçarizi është në krye të detyrës në fshatin Fortesë dhe në një aksion të zjarrtë kundër një komandosi të bandave serboçetnike, përjetësohet më 18 korrik të vitit 1998, në Bardhabregun e Fortesës së Agim Kelmendit. Në këtë aksion plagoset rëndë Jusuf Sherifi -Baca i Madh.

Ceremoniali i përcjelljes solemne të dëshmorit të kombit Gani Paçarizi, bëhet nën “Lisat e Qarrit” të vendlindjes, më 19 korrik 1998 dhe morën pjesë komandantët dhe ushtarët e lirisë, e në krye të formacioneve ishte Ismet Jashari – komandant Kumanova.

Sot, trupi i Gani Paçarizit prehet në Kopshtin e Dëshmorëve në Landavicë. Nënë Kada me nipin, Kastriotin, dhe mbesën, Doruntinën, e shoqëruar nga e reja, Hatixhja, viziton “Kopshtin e Lirisë” dhe dëgjon vargje për Ganiun – krenari e luftës për lirinë e Kosovës e për bashkimin e trojeve shqiptare.

Emrin e Gani Paçarizit e mbajti gjatë luftës Brigada 124 e Zonës Operative të Pashtrikut, kurse sot e mban Brigada 322 e Zonës së Dytë të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. Në selinë e kësaj brigade, në Rahavec, shkëlqen Ganiu i derdhur në bronz, ndërsa rapsodët si Rrahman Pagarusha, Ali Krasniqi e Osman Sefa me Ymerin, e ringjallën me vargjet e tyre në telat e çiftelisë, kurse shkrimtari Ramadan Krasniqi e përkujtoi me shkrime në librin “Dëshmorët e Llapushës” ..

Edhe në fshatin e lindjes, në Lumnishtën e Llapushës, shkëlqen lapidari që flet shumë, që bart mesazhin se Kosova është tokë e shtrenjtë sa liria e saj, sa gjaku i derdhur, sa gjymtyrët e invalidëve, sa lotët e nënave e sa rinia shqiptare që dergjej nëpër kazamate serboçetnike deri në luftën e Gani Paçarizit e të Bahtjar Morinës, të cilit i lindi Lumnishta për t’ia dhënë Kosovës.

E nëna Kadë?! – Nënë Kada me zonjën Tixhë, kujdeset për lapidarët, për lulet dhe për oxhakun të cilin në Kosovën e Lirë e të Pavarur do ta ndezë Kastrioti, sot nxënës shembullor, i vëllai i Doruntinës dhe do t’u tregojë moshtarëve se “Kush e solli Doruntinën”. (S. C,)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …