Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” të dhënat më të fundit për realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatë zgjedhore të 2017. Periudha e monitorimit përfshin gjashtëmujorin e parë të 2020.
Nga gjithsej 903 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, deri në muajin qershor 2020 janë përmbushur 364 premtime, 185 premtime janë realizuar pjesërisht, 206 premtime kanë filluar të përmbushen, ndërsa 148 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre.
Numri më i madh i premtimeve është realizuar në fushën e çeshtjeve sociale (74%), fushën e bujqësisë (57%) dhe atë të administrates (53%). Ndërsa shkalla më e ulët e përmbushjes së premtimeve është shënuar në fushën e kulturës (28%) dhe atë të urbanizimit (22%).
Në pjesën më të madhe të periudhës së gjashtëmujorit të parë të 2020 komunat janë përballur me gjendje të renduar si pasojë e pandemisë COVID-19. Përkundër kësaj, rezultatet e dala nga vlerësimi i përmbushjes së premtimeve, tregojnë për një performancë të mirë të pushtetit lokal në përmbushjen e planeve dhe projekteve të parapara.
Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 nga 38 komunat, ngase 12 nga kryetarët actual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore (Skenderaj, Mamusha dhe komunat me shumicë serbe).
Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale. Për të parë detajet e premtimeve të dhëna, mund të vizitoni platformën elektronike të Institutit GAP duke klikuar në këtë link: https://bit.ly/2QnJo66