Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, ju fton në konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet e raportit statistikor “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në ndërmarrjet publike qendrore në Kosovë.”
Ky raport analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe terren.
Në vitin 2023, ndërmarrjet publike së bashku punësonin 12,278 persona. Në terma të përgjithshëm, 22% e të gjithë të punësuarve në ndërmarrjet publike janë pjesë e administratës dhe menaxhmentit, derisa 78% janë pjesë e punëve në terren. Raporti po ashtu jep përgjigje në pyetjet se sa përqind e të punësuarve në këto ndërmarrje janë gra? A vërehet një trend më pozitiv në përfaqësimin e grave në bordet e ndërmarrjeve dhe në pozitat e larta menaxheriale viteve të fundit?
Datë: 24 dhjetor 2024 (e martë)
Ora: 10:00
Vendi: Instituti GAP, Prishtinë