Garda Kombëtare e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë mbajtën krosin me moton “Së bashku për paqe’’

Garda Kombëtare e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë mbajtën krosin me moton “Së bashku për paqe’’

Sot në sheshin ,,Skënderbeu” të Prishtinës, në organizim të Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak të MFSK-së, u mbajt krosi në atletikë, ku morën pjesë mbi 300 pjesëtarë të FSK-së, pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe pjesëtarë të Ushtrisë Amerikane për Evropë. Në hapjen zyrtare  të garës morën pjesë: Ministri i MFSK-së, z. Haki Demolli, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr,  drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë të Ministrisë dhe oficerë të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës. Në fjalën e tij, drejtuar ushtarëve dhe oficerëve të Gardës Nacionale të Ajovës, Forcave Amerikane dhe të FSK-së, ministri Demolli tha se aktivitetet e tilla po mbahen me qëllim të thellimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

“Përpos vizitave në shtetin e Kosovës po zhvillojmë edhe këtë kros. Këto dy forca përveç aktiviteteve ushtarake, siç janë ushtrimet e përbashkëta fushore dhe trajnimet, po zhvillojnë edhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, siç është edhe ky kros me sloganin “Së bashku për Paqe”.Në fund ministri Demolli përgëzoi sportistët duke ju uruar suksese të gjithë pjesëmarrësve  dhe duke jua  rikujtuar se fituesit e garës do të shpërblehen me medalje.

Ndërsa, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr, pas i uroi pjesëmarrësit, ndër tjera tha se, “fuqia e shteteve tona është në zemrat tona” dhe pres t’i nderojë me medalje fituesit.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Operacione gjeneral brigade Zymer Halimi,   tha se, edhe ky aktivitet i përbashkët dëshmon më së shumti bashkëpunimin për paqe në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

Gara filloi në shtegun, nga Sheshi “Skënderbeu” deri te rreth-rrotullimi, afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë ,,Dr. Ali Sokoli”, në Prishtinë dhe anasjelltas, në një gjatësi prej 5 mijë metrave.

Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja  Bahare Bytyçi,

Tri vendet e para u nderuan me medaljen e artë, argjendtë dhe të bronztë si dhe me certifikata, të cilat u ndanë nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione.

Garat sportive po zhvillohen në kuadër të aktiviteteve të ushtrimit fushor ,,Shqiponja 5’’ të FSK-së, i cili do të mbahet nga data 22 deri më 26 tetor 2016.

Ky aktivitet sportiv, në një mot të mirë, u përcoll nga një numër i madh i qytetarëve dhe mediave vendore.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj përjashton mundësinë e koalicionit në mes PDK-së dhe Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të ardhshme

Nënkryetari i PDK, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk sheh mundësi për një koalicion qeverisës …