Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi priti në takim ekipin e Kosovës që do të marrë pjesë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” në Bjellorusi që do të mbahen nga 21 qershor deri më 1 korrik. Gashi i inkurajoi sportistët pjesëmarrës që të prezantohen sa më suksesshëm në Bjellorusi.
“Pjesëmarrja dhe prezantimi i juaj në Bjellorusi nuk është përfaqësim i juaji personal por është edhe prezantim i shtetit të Kosovës atje. Suksesi i juaj në Minsk është një arritje edhe për ne në përgjithësi. Besoj se ne vendimmarrësit dhe politikbërësit duhet të mësojmë nga ju sportistët”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.
Ndërsa kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se në Minsk po shkojnë jo vetëm për pjesëmarrje por edhe për të arritur suksese maksimale.
Sportistët pjesëmarrës në Minsk e falënderuan ministrin Gashi për pritjen dhe i dhuruan fanellën e ekipit pjesëmarrës në këto lojëra evropiane.