“Gazeta Shqiptare” ka botuar të plotë një relacion sekret të zëvendës-ministrit të Brendshëm, Rexhep Kolli, drejtuar Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, lidhur me biografitë personale të pjesëtarëve të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, që vizituan Tiranën për festat e nëntorit në vitin 1969.
Të shumta do të ishin rastet që delegacionet e ndryshme të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të diasporës do të vizitonin Shqipërinë gjatë periudhës së diktaturës komuniste me rastin e festive të 28-29 Nëntorit, të cilat asokohe festoheshin me pompozitet të jashtëzakonshëm nga regjimi i kohës.
Por, pa dyshim që të gjitha këto delegacione, edhe pse ftoheshin dhe nderoheshin nga vetë Tirana zyrtare, absolutisht nuk do t’i shpëtonin “syrit vigjilent” të organeve të Sigurimit të Shtetit për sa u përket vëzhgimit dhe përpunimit të ashtuquajtur biografik, deri në detaje, nga Drejtoria I e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Rasti më konkret i të gjitha këtyre procedurave të vëzhgimit dhe survejimit nga ana e Sigurimit të Shtetit ndaj pjesëtarëve të një delegacioni patriotësh të shqiptarëve të Kosovës, është ai i 29 Nëntorit të vitit 1969, me rastin e 25-vjetorit të Çlirimit, ndaj delegacionit të kryesuar nga Rexhep Duraku (babai i Heroit të Popullit Emin Duraku).
Në këtë relacion sekret të zv/ministrit të Brendshëm, Rexhep Kolli, paraqiten me imtësi biografitë e të gjithë pjesëtarëve të delegacionit të patriotëve shqiptarë të Kosovës dhe veçanërisht të të gjithë familjes Duraku, e cila, edhe pse mbante mbiemrin e një prej heronjve kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Emin Duraku, do të vëzhgohej dhe përpunohej biografikisht.
Vetë Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, do të vihej në dijeni rreth kësaj vizite të delegacionit të patriotëve kosovarë, pikërisht nga ky dokument sekret i Drejtorisë I të MPB-së, në të cilën disa nga pjesëtarët e këtij delegacioni do të cilësoheshin me të kaluar të paqartë dhe, për më tepër, një prej tyre, Ali Curri (kushëri i largët i Bajram Currit), dyshohej se ishte agjent i UDB-së, dhe se kishte ardhur “vetvetiu dhe i paftuar” në këtë delegacion.
Këto procedura të përcjelljeve ndaj pjesëtarëve të delegacioneve të ndryshme dhe veçanërisht atyre të shqiptarëve të Kosovës e diasporës, nga ana e MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit asokohe do të ishin shumë të shpeshta dhe tejet “normale”, duke marrë parasysh natyrën tejet mosbesuese dhe agresive të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj grupeve të ndryshme, duke i cilësuar shpeshherë ata si agjentë të shërbimeve të huaja.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
TEPER SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
Tiranë, më 27.11.1969
DREJTORIA I
Nr. 2527
Lënda: Mbi grupin e kosovarëve të ardhur me Rexhep Durakun
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA
TIRANE
Më datë 19.11.1969 erdhi në vendin tonë Rexhep Duraku, së bashku me 26 persona të tjerë nga Gjakova, për dasmën e djalit që ka në Shqipëri.
Nga të dhënat e deritanishme na rezulton:
- Rexhep Duraku mban qëndrim pozitiv. Është mjaft i emocionuar që iu dha mundësia për të ardhur. Me personat e tjerë të grupit nuk hyn në biseda politike dhe lë të nënkuptohet se nuk ka dëshirë të flasë në prezencën e tyre. Kërkon të qëndrojë deri në fund të dhjetorit. Kthimin në Gjakovë kërkon ta bëjë me mjetin e vet, duke ardhur në Shkodër te djali për ta marrë. Jemi të mendimit t’ia plotësojmë kërkesën.
- Hatixhe Duraku, është bashkëshortja e Rexhepit. E emocionuar dhe e gëzuar që ka ardhur në vendin tonë. Mjaft e kënaqur që djali Përparimi ka kryer universitetin shtetëror të Tiranës dhe që është stabilizuar shumë mirë në qytetin e Shkodrës.
- Hamdi Duraku, vëllai i Rexhepit. Ka një mulli të tij në Gjakovë. Jeton i ndarë nga Rexhepi. Shpreh në biseda gëzimin që iu dha mundësia për të ardhur. Para luftës nacionalçlirimtare ka jetuar një kohë në Tiranë dhe në Durrës.
Flet në prezencë të personave të tjerë të ardhur me të nga Gjakova, se në kohën kur ka jetuar në Shqipëri, ka qenë prapambetje e madhe, nuk ka pasur asgjë, njeriu punonte tërë ditën dhe nuk merrte asnjë kilogram misër. Ankohet për jetën që bën në Jugosllavi dhe shprehet se, edhe ato para që fiton nga mulliri, ia marrin nga taksat e shumta.
- Izet Duraku, djali i Rexhepit. Merret me tregti. Ka në Gjakovë një dyqan ku shet e rregullon biçikleta. Tregohet mjaft i afrueshëm, thotë se jugosllavët, megjithëse në dukje tregohen sikur na besojnë, në të vërtetë na ndjekin dhe mundohen të na kapin për të na demaskuar si kundërshtarë të regjimit. Shprehu mendimin se dëshironte për t’i prurë një dhuratë shokut Enver, flamur të kuq, me mbishkrimin nga patriotët kosovarë të Gjakovës. Sipas tij, këtë flamur do ta përgatisë në Gjakovë pasi të kthehet dhe kur të vijë në dhjetor për të marrë Rexhepin, ta ketë fshehur në makinë. Më vonë e ndërroi këtë mendim; tha se kishte biseduar edhe me një nga pjesëtarët e tjerë të grupit, Qazim Xhinon, për ta përgatitur flamurin këtu dhe për t’ia dhuruar. Rexhepi dhe personat e tjerë të grupit nuk dinë asgjë për këtë dëshirë të Izetit. Nga ana jonë, iu tha se pa dijeninë e Rexhepit, nuk është mirë që të përgatitet kjo dhuratë.
- Nesret Duraku
- Fatime Duraku
- Mandush Duraku
- Belqizere Duraku, nuk del ndonjë e dhënë. Mbajnë qëndrim të mirë dhe janë të emocionuar për ardhjen në vendin tonë.
- Nazmie Duraku, vajza e Rexhepit. Ka pasur të dhëna se punon në Sekretariatin e Punëve të Brendshme të Gjakovës si sekretare. Izeti, vëllai, e paraqet të mirë dhe mendon se së bashku me të t’i përgatisë flamurin për dhuratë shokut Enver.
- Enver Duraku, në moshë rreth 16 vjeç. Është nipi i Rexhepit. Tregon se interesohet në Gjakovë për të gjetur libra që dërgohen nga vendi ynë. Dëgjon Radio-Tiranën dhe kishte mësuar nëpërmjet saj shumë këngë nga tonat.
- Faik Duraku, djali i Rexhepit, nëndrejtor i shkollës Normale në Gjakovë. Tregohet mjaft i rezervuar në biseda. Është interesuar për të blerë literaturë artistike dhe tekstet shkollore. Interesohet dhe ndjek me kujdes gjithçka që i jepet rasti të shikojë. Në biseda lë të nënkuptohet se ka simpati për Fadil Hoxhën dhe shpreh mendimin se Fadili punon për të mirën e Kosovës.
- Naime Juniku, e motra e Rexhepit. Qëndrimi i saj është pozitiv. Flet mirë për çfarë ka parë gjatë ditëve të qëndrimit këtu.
- Farie Velia
- Zeliha Kruma
- Nazife Salih Osmani
- Naxhie Deva. Janë të kaluara nga mosha, mjaft të emocionuara dhe të gëzuara që iu dha mundësia për të takuar të afërmit e tyre në vendin tonë.
- Ahmet Zajmi, është kushëri i Bajram Currit, me profesion shofer, pjesëmarrës në luftën nacionalçlirimtare. Flet haptazi me entuziazëm për vendin tonë dhe në veçanti për shokun Enver.
- Hysni Gjoshi, mik me Rexhepin. Ka në vendin tonë një djalë të ardhur si emigrant në vitin 1959. Shprehet pozitivisht për sukseset dhe përparimin që po sheh, pasi para luftës nacionalçlirimtare ka qenë në Shqipëri.
- Mustafa Neziri, edhe ky mik i Rexhepit. Ka djalin në Shqipëri të ardhur si emigrant në 1959-ën, aktualisht ndjek Institutin e Lartë Bujqësor. Është shumë i emocionuar që iu dha mundësia për të ardhur.
- Nexhadije Bardhi, mike e familjes së Rexhepit, e afërt e familjes Duraku, me profesion arsimtare. Interesohet në mënyrë të veçantë sidomos për sukseset e përparimet që janë bërë në vendin tonë. Është shprehur që fëmijët përpiqet t’i edukojë drejt, ashtu si duhet, me frymën e patriotizmit. Ka farefis me banim në qytetin e Tiranës, mbajnë qëndrim të mirë politik.
- Ali Curri, është kushëriri i Bajram Currit. Rexhepi na tha që në momentin e ardhjes se ‘shikojeni këtë person, se nuk e kam marrë unë, por ma kanë dhënë’. Është me moshë 50 vjeç. Para luftës nacionalçlirimtare, një vëlla e ka pasur kryetar komune, ndërsa një kushëri i tij është pushkatuar më 1947-ën si pjesëtar i një organizate ‘nacional-demokrate’. Nga të dhënat e mëparshme për të, del që të jetë agjent i UDB-së. Qëndrimi i tij i deritanishëm është indiferent. Justifikohet se do të kthehet përsëri në Gjakovë, prandaj duhet pasur kujdes.
- Qazim Xhija, është kushëri i Rexhep Xhijes, ish-zyrtar në legatën jugosllave në Tiranë në vitin 1956. Tregohet i gëzuar që ka ardhur në vendin tonë. Flet dhe për Rexhepin, duke e cilësuar si njeri të keq dhe në shërbim të UDB-së e të serbit.
- Asaf Xharkaxhiu, ka në Tiranë motrën, Behixhe Imeri. Qëndrimi i tij është i mirë. Kërkon që të qëndrojë sa më gjatë në vendin tonë.
- Farudin Maloku, është mik i Rexhepit. Qëndron indiferent për sa i përket zhvillimit të vendit tonë, thotë se ‘gjithë kjo pritje që na bëhet është demagogji’.
- Adem Rizvanolli, ish-tregtar, tani mekanik. Është mjaft i kënaqur që iu dha mundësia të vijë në vendin tonë. Flet me gëzim për sukseset e arritura dhe ndryshimet e mëdha që po shikon këtu dhe haptazi shpreh dëshirën për shokun Enver.
Nga të gjitha të dhënat e mbledhura, del se janë mjaft të mallëngjyer për mundësinë që iu dha për të ardhur dhe parë Shqipërinë. Shprehin me fjalë të ngrohta dashurinë për Partinë dhe shokun Enver. E kuptojnë se gjithë ky nder që iu bë këtyre, është një nder që Populli dhe Partia jonë po i bën gjithë popullit kosovar.
Nëpërmjet bisedave cilësojnë se, jo vetëm këta, por gjithë populli i Kosovës dëgjon emisionet e Radio-Tiranës e Kukësit dhe janë të informuar mjaft mirë mbi sukseset dhe masat revolucionarizuese, dhe shprehin kënaqësinë e tyre për të.
Për gjendjen në Jugosllavi, janë të shqetësuar sidomos për këto çështje të përditshme:
– Për rritjen e papunësisë dhe vështirësitë e sigurimit të mjeteve të jetesës, të cilat i detyrojnë njerëzit që të shkojnë jashtë Jugosllavisë për punë.
– Rritjen e kriminalitetit dhe pasigurinë e jetesës së personit nga vjedhjet dhe vrasjet për hakmarrje dhe grindje.
-Shtimin e degjenerimit moral dhe shpirtëror te një pjesë e rinisë, për shkak të vetë nxitjes që bën shteti me anë të literaturës dhe filmave.
Nga të gjithë është shfaqur dëshira për të qëndruar më gjatë në vendin tonë, pasi kohën e qëndrimit e kanë deri më 30.11.1969.
Ne jemi të mendimit të qëndrojnë. Kanë kërkuar për të kaluar kufirin në Morinë të Kukësit ose në Qafë-Prush të Tropojës. Edhe këtë mendojmë se mund t’ua plotësojmë.
ZV.MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
(Rexhep Kolli)