Protesta e thirrur nga ish-lideri demokrat, Sali Berisha, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokrati, Gazment Bardhi, është një thirrje për dhunë, që favorizon vetëm qeverinë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Sipas Bardhit, Komisioni i Rithemelimit, që përbëhet nga Berisha dhe deputët që e mbështesin atë, i shërben interesave personal të ish-kryeministrit. “Sali Berisha ka treguar se nuk vendos asgjë mbi interesin e tij personal. Thirrja për dhunë, është mënyra më e mirë për t’i dhënë frymëmarrje qeverisë më të korruptuar në Evropë. Ne kemi vendosur të heshtim, sepse interesi jonë është interesi i Partisë Demokratike”. Sekretari i Përgjithshëm, shprehu qëndrimin e PD-së zyrtare, për Kuvendin Kombëtar, të thirrur nga Berisha dhe referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë. Sipas Bardhit, i gjithë procesi i votimit ishte një farsë e madhe. Ishte një mashtrim për të kamufluar interesin personal me hallet e vërtetë të qytetarëve. Nga 1300 anëtarë që ka dega 8, që është në qendër të Tiranës, kanë marrë pjesë jo më shumë se 107 anëtarë, ka saktësuar Gazmend Bardhi.
