Historinë e lavdishme të popullit shqiptar në fundshekullin që lamë pas, e shkruan me gjakun e tyre të njomë shumë djem e vajza shqiptare në pranverën e jetës së tyre, për ta bërë pranverë jetën e atdheut dhe popullit të robëruar. Njëri ndër këta bij të kombit, që veproi, luftoi e ra heroikisht në mbrojtje të atdheut, nën emblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është edhe luftëtari i radhëve të para dhe ndër më meritorët e UÇK-së, njëri nga tre heronjtë e Betejës së 24 Marsit 1998, dëshmori i kombit Gazmend Mehmetaj.
Gazmendi u lind më 7 shkurt të vitit 1978, në fshatin Gllogjan të Deçanit, në një familje bujare, e cila u angazhua aktivisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë edhe tre dëshmorë të lirisë: Gazmend (Hysen) Mehmetaj, Agron (Nimon) Mehmetaj (1978) dhe Arton (Ahmet) Mehmetaj (1979).
Prindërit, Hysen e Zyhra Mehmetaj, kishin katër djem, të cilët i rritën e edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare, të cilët iu përgjigjën njëzëri kushtrimit të atdheut.
Gazmendi shkollën fillore e kreu në Rrezar (ish-Irzniq) të Deçanit, ku e vazhdoi edhe shkollimin e mesëm. Në këtë lokalitet, sikurse edhe në vendet tjera anekënd Kosovës, shtypja terrorizuese e pushtuesve serbë kishte kaluar të gjitha caqet, ku edhe nxënësit e shkollës fillore dhe asaj të mesme, pa asnjë arsye, çdo ditë përballeshin me dhunën, bastisjet, rrahjet e maltretimet e policisë pushtuese serbe, gjë që ndikoi dukshëm në formimin e personalitetit dhe në përcaktimin drejt luftës për liri jo vetëm të Gazmendit, por edhe të shumë shokëve të tij, luftëtarë të dalluar të UÇK-së, duke qenë të bindur se gjëja më e rëndësishme që i mungon njeriut shqiptar quhet Liri.
Meqenëse vendlindja e Gazmendit kishte kohë që ishte bërë taban i ngjarjeve të rëndësishme për liri e çlirim kombëtar, vatër e fuqishme e ngjarjeve të vitit 1981 dhe njëherësh edhe njëra ndër bazat më të fuqishme të nismëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmendi shumë shpejt bie në kontakt me luftëtarët e lirisë. Ai nëpërmjet Daut Haradinajt, që e kishte edhe shok shkolle, arrin që në qershor të vitit 1996, të kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të bashkëvepruar deri në rënie me kryetrimin Shkëlzen Haradinaj (dëshmor), me Daut e Bujar Haradinaj, Muhamet Avdijaj, Agron Mehmetaj (dëshmor) e bashkëluftëtarë të tjerë të luftës e të idealit, si Lahi Brahimaj e Naser Brahimaj (dëshmor), Adrian Krasniqi (dëshmor), Mujë Krasniqi (dëshmor), Abedin Rexha – Sandokani (dëshmor), Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Hashim Thaçi etj.
Djaloshin flokëkaçurrel, “Gazin”, siç e quanin me përkëdhelje familjarët, bashkëmoshatarët e shokët e shkollës, shokët e luftës do ta thërrasin me emrin “Rrudhan”. Gazmendi ishte trim dhe punëtor i palodhshëm, i cili prej kyçjes në radhët e UÇK-së pothuajse asnjëherë nuk u nda nga komandanti Shkëlzen Haradinaj.
Meqenëse Gazmendi jetonte në bashkësi familjare 35 – anëtarëshe dhe i duhej shpesh të dilte në veprim natën në rrethana të ilegalitetit të thellë, hyrje-daljet në shtëpi i kishte më të vështira sikurse edhe arsyetimin e mungesës së tij. Për këtë arsye, ai e vë në dijeni për veprimtarinë e vet nënën e tij Zyhranë, e cila gjatë gjithë kohës e bekoi dhe e përkrahu të birin në rrugën e lirisë, madje shpeshherë duke e pritur zgjuar, për t’ia vënë shkallën në dritare për të hyrë në dhomën e fjetjes pa u vënë re, pasi kështu kërkonin edhe rregullat e konspiracionit të organizimit ushtarak. Më vonë, Gazmendi për veprimtarinë e vet i njofton edhe disa anëtarë të tjerë të familjes. Ndërsa, kah fundi i vitit 1997, në radhët e UÇK-së e inkuadron edhe djalin e axhës, Agronin, student i vitit të parë në Universitetin e Prishtinës, i cili me t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë i ndërpreu studimet, duke u arsyetuar para familjes seato do t’i vijonte në vitin e ri akademik bashkë me Gazmendin.
Që nga ditët e para të angazhimit në radhët e UÇK-së, e sidomos pas rënies heroike të dëshmorit Luan Haradinaj, më 6 maj 1997, në krye të detyrës në afërsi të Kushninit të Hasit, duke hyrë në Kosovë, Gazmendi bashkë me grupin e shokëve të prirë nga Shkëlzen Haradinaj, shumë herë e kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar për të sjellë teknikë lufte në Kosovë, por njëkohësisht mori pjesë në kryerjen e një vargu detyrash e aksionesh të suksesshme në rajone të ndryshme të Dukagjinit.
Stacioni policor në Irzniq të Deçanit ishte shndërruar në një postë famëkeqe të policisë serbe, ku keqtrajtoheshin mizorisht shqiptarët e të gjitha moshave. Gazmendi mori pjesë në sulmin e ndërmarrë kundër kësaj poste policore, më 11 shtator të vitit 1997, në kuadër të aksionit të përgjithshëm të UÇK-së, i cili u krye me sukses të lartë nën drejtimin e komandantit Shkëlzen Haradinaj. Gazmendi merr pjesë sërish në aksionin kundër kësaj poste famëkeqe, më 27 nëntor 1997, me ç’rast vriten katër policë serbë, aksion ky që u ndërmor për t’ua tërhequr vëmendjen forcave serbe, që kishin sulmuar frontalisht në Drenicë dhe për t’ua bërë të ditur se kësaj radhe nuk do të përsëritej historia që të lokalizohej e të shuhej qëndresa si në vitin 1945, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte fuqishëm në të gjitha rajonet e Kosovës.
Në janar të vitit 1998, grupi i luftëtarëve të UÇK-së si: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Ilir Konushefci, Lahi Brahimaj e të tjerë, që gjendeshin në Tropojë, duke sjellë në Kosovë sasi të konsiderueshme armatimi, edhe pse morën lajmin për sulmin e forcave serbe kundër familjes Jashari në Prekaz, pas 24 orë rrugëtim nëpër bjeshkë, meqë ishte borë e madhe e mjegull e dendur, prapë u detyrua të kthehet në Tropojë. Rexhep Selimi dhe Lahi Brahimaj vazhdojnë për në Kukës, duke hyrë në Kosovë me ngarkesën e armatimit që e bartën me kuaj deri në Rogovë të Hasit, e prej andej me ndihmën e Daut Haradinajt dhe Naser Brahimajt vazhduan rrugën deri në Shqiponjë, për të vazhduar më tutje për në Açarevë të Drenicës. Ndërsa, pas disa ditësh, falë ndihmës së Shkëlzen Haradinajt e Gazmend Mehmetajt arrijnë edhe Mujë Krasniqi e Ilir Konushefci me shokë.
Gazmend Mehmetaj shumë herë u gjend në veprim edhe në bazën e Shqiponjës (ish-Jabllanicës) së Dushkajës. Atje ishte edhe në periudhën kur rrethohen fshatrat Jabllanicë, Bardhaniq e Zhabel, pas sulmit të njësisë së UÇK-së kundër stacionit të policisë serbe në Çallapek, vetëm disa ditë para rënies së dëshmorit Adrian Krasniqi.
Meqë stacioni famëkeq i policisë serbe në Çallapek të Pejës ishte sulmuar shumë herë nga njësitet e UÇK-së, me rastin e sulmit të luftëtarëve të lirisë kundër këtij stacioni u zhvillua një luftë e ashpër kundër forcave serbe të përqendruar rreth e përqark objektit, dhe luftëtarëve të UÇK-së iu deshën rreth dy orë për t’u tërhequr. Gjurmët kishin çuar në drejtim të Jabllanicës. Kështu, të nesërmen ky vend, që sot mban me krenari emrin e Shqiponjë, rrethohet me mbi 100 automjete policore-ushtarake, duke vëzhguar lëvizjet edhe me helikopterë. Atë kohë Gazmend Mehmetaj, gjendej në shtëpinë-bazë të UÇK-së te Lahi Brahimaj, dhe u shqua për gadishmëri për t’u përballur me forcat serbe.
Rënia heroike e Adrian Krasniqit, më 16 tetor 1997, në Kliçinë (tash, Adrian) të Pejës, bëri jehonë të madhe. Aq sa peshonte dhembja, peshonte edhe krenaria. Aq sa ishte e madhe lavdia e rënies së Adrianit, ishte edhe jehona e luftës çlirimtare të UÇK-së, që kishte shpërthyer si uragan i pandalshëm. Dhe, në përcjelljen e lavdishme që iu bë Adrianit në vendlindjen e tij në Vranoc, si shok e bashkëluftëtar i tij, mori pjesë edhe Gazmendi, i cili bashkë me luftëtarët Lahi e Naser Brahimaj shkoi nga Shqiponja, ndërsa nga Gllogjani aty shkuan Shkëlzen, Daut e Bujar Haradinaj, që të gjithë të armatosur, të gatshëm për ndonjë të papritur të forcave pushtuese serbe. Betimit të bërë kur kishin hyrë në radhët e UÇK-së, të forcuar edhe te varri i Edmond Hoxhës, Luan Haradinajt e tash edhe Adrian Krasniqit, të gjithë do t’i përmbahen si askush tjetër. Asgjë nuk do t’i ndalë në rrugën e lirisë.
Gazmend Mehmetaj ishte i pandarë me komandantin e devotshëm Shkëlzen Haradinaj, duke u bërë njëri ndër nxënësit shembullorë të tij, i cili në mënyrë të shkëlqyer i gërshetoi njohuritë teorike me veprimet praktike në terren, gjithnjë duke qenë në krye të detyrës, edhe në furnizim me armatim, edhe në patrullime të shumta anekënd Dukagjinit, edhe në aksione të armatosura kundër forcave serbe.
Mori pjesë edhe në aksionet e kryera në fund të muajit shkurt dhe në fillim të marsit 1998, kundër postkomandave dhe vendqëndrimeve të kriminelëve serbë, në përkrahje të luftëtarëve të lirisë në Drenicë, të cilët në krye me komandantin Adem Jashari, po shkruanin njërën ndër epopetë më madhështore të luftës për liri, po përballeshin me forca të shumta ushtarako-policore e paramilitare serbe që, si shumë herë gjatë historisë, po bënin të pamundurën për të shuar çdo frymë shqiptare. Këso kohe, vetëm në Dukagjin, brenda njëzet e katër orëve, njësitet e UÇK-së kryen mbi 22 aksione të armatosura kundër forcave serbe.
Dita-ditës lufta gjithëpopullore po merrte përmasa më të gjera, andaj priteshin sulmet e forcave serbe edhe në Dukagjin. Po afrohej 24 marsi 1998, beteja e parë frontale në Dukagjin, ku forcat serbe pësuan humbjen më të rëndë, edhe pse përdorën forca të shumta këmbësorie dhe gjithë makinerinë luftarake. Qëndresa e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 24 mars 1998 në Gllogjan, nën drejtimin shembullor të komandantit Ramush Haradinaj, po hynte triumfalisht në histori, të cilën po e shkruanin me gjakun e tyre të njomë luftëtarët e lirisë. E në këtë ditë të shënuar, fatin e madh të bie për lirinë e atdheut do ta ketë edhe dëshmori Gazmend Mehmetaj bashkë me djalin e axhës Agronin dhe bashkëluftëtarin Himë Haradinaj.
Forcat serbe, të befasuara nga rezistenca e fuqishme e luftëtarëve të lirisë, kishin zënë rob disa fshatarë të Gllogjanit, por edhe nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, duke përdorur kështu “murin e gjallë” për lëvizje.
Gazmendi, Hima e Agroni, kishin dalë në pikën e caktuar, ku do të takoheshin me bashkëluftëtarët e tjerë për të marrë instruksionet për vazhdimin e qëndresës. Ata nuk kishin takuar as kryetrimin Shkëlzen Haradinaj që kishte dalur më herët te pikëtakimi. Me të dëgjuar për zënien rob të nxënësve, të tre nisen drejt tyre, por në përballje me forcat serbe, snajperistët serbë i qëllojnë nga helikopteri. Ata ranë për lirinë e popullit e të tokës shqiptare.
Dëshmorët Gazmend e Agron Mehmetaj u varrosën me nderime të larta gjithëpopullore, me pjesëmarrjen e mbi 30 mijë njerëzve, më 27 mars 1998 në Kodrën e Dëshmorëve, në Gllogjan, ndërsa dëshmori Himë Haradinaj (1981) u bashkohet atyre në përjetësi në natën ndërmjet 29 e 30 marsit 1998. Të shtëna armësh në nderim të dëshmorëve jehuan nga bashkëluftëtarët e tyre, që nuk e ndalën luftën deri në çlirim. Gazmendi, Hima e Agroni, në syrin e pranverës i falën gjakun e jetën lirisë shqiptare për të mos u harruar kurrë.
Emrin e Gazmendit e ka përtërirë djali i vëllait të tij.
Pas rënies, për heroizmin e trimërinë e treguar në luftë për liri, njëri nga tre heronjtë e betejës së 24 Marsit, Gazmend Mehmetaj, është nderuar me mirënjohje të shumta nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit e UÇK-së, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta etj. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …