Nënkryetari Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla ka vlerësuar se mënyra e shoqërimit nga ana e pjesëtarëve të shumtë të EULEX-it të ish kryetarit Hashim Thaçi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte e pahijshme. Ai ka theksuar më tutje se si bashkëluftëtarë, janë lënduar me ato pamje, teksa kritika ka edhe për gjuhën e përdorur për luftëtarët e UÇK-së. Sipas tij, ky narracion është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje. “Realisht jo veç ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës por edhe shumë qytetarë tjerë nuk kanë pritë mirë ato pamje, atë dramë. Meqenëse zotëri Thaçi dhe të tjerët që sot gjykohen në Hagë dhe në drejtësi thuhet se ekziston prezumimi i pafajësisë, meqenëse se nuk ka një verdikt final për zotëri Thaçin dhe të tjerët, ajo sjellje e atyre policëve, truprojave tjerë në atë numër të madh e sjellje jo të pahijshme, na ka lëndua neve si bashkëluftëtarë, nuk kemi pasur dëshirë ta shohim presidentin tonë i cili ka shkuar vullnetarisht iu ka përgjigj ftesës së Hagës e me pa në atë gjendje. Ka qenë shqetësuese për neve, nuk e kemi pritur fare mirë dhe kjo vetëm sa na ka dëmtua atë plagën që ne e konsiderojmë si plagë trajtimin si veteranë dhe luftëtarë të lirisë që gjykohen në Hagë për krime të supozuara e njëkohësisht me u trajtua në atë formë, për ne ka qenë tepër dëshpëruese dhe fyese ajo çka ka ndodh në QKUK” ka theksuar mes tjerash nënkryetari Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla.
