Gëzim Mekuli: Analizë e shkrimit të Ismail Kadaresë “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”

Shkrimi i Rexhep Qoses “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare” mund të vlerësohet si një krijim publicistik që ka nxitur një ndër debatet me interesante në hapësirën publike shqiptare. Një ndër këto debate të njohura është ai Qosje – Kadare. Karakteristikë e veçantë e këtij debati është mënyra e ndryshme e të interpretuarit dhe të kuptuarit të identitetit të popullit shqiptar, nisur nga pikëpamja fetare, historike, filozofike dhe kulturore.
Në shkrimin e lartpërmendur Qosja përshkruan shqiptarët si një popull që i përket tri feve dhe se mu ky fenomen e bën “më të pasur” dhe “më të përbërë” identitetin e tij kombëtar. Përkundrejt pohimeve të disa intelektualeve, se shqiptarët i takojnë vetëm qytetërimit perëndimor, Qosja në lidhje me këtë, shpreh një skepticizëm të madh. Si argument, ndër tjerash, ai përmend faktin se “shqiptarët nuk do të përjetonin ndarjen në katër shtete po do t’iu njihej e drejta e jetës në një shtet”. Më tutje ai thekson se “Shqiptarët, në të vërtetë, u takojnë dy qytetërimeve: qytetërimit perëndimor dhe qytetërimit lindor”. Dhe, është mu kjo tezë që nxiti një reagim tek Kadare, i cili shigjeton Qosen në sprovën e tij ” Identiteti evropian i shqiptarëve”, duke përfaqësuar mendimin se Populli shqiptar nuk ka “identitet gjysmak” por atë evropian.
Çfarë apelon kjo sprovë? Cilat forma gjuhësore përdoren për të bindur një numër sa me të madh të lexuesve? Si ndërton autori publikun dhe çfarë botëkuptime ka ai? Përgjigjet në këto pyetje janë objekt i kësaj analize. Këto mund të gjenden me ndihmën e teorive nga fusha e shkencave të retorikës.

Teoritë

Analiza mbi “Identitetin evropian të shqiptarëve” do të përqendrohet në tri teori:
1. Teorinë e grupimit të fjalëve (Keneth Burke)
2. Ndërtimin e publikut (Maurice Charland dhe McGee)
3. Pikëpamjen mbi botën dhe ndërtimin e publikut (Bitzer)

Analiza e grupimit të fjalëve

Kjo metodë për të parën herë është zhvilluar nga Kenneth Burke (1937). Sipas tij kjo metodë është një mjet ndihmës që mund të na e lehtësojë dekodimin e botëkuptimit të autorit. Ndërtimi i fjalisë dhe përdorimi i shprehjeve të zgjedhura nuk është i pafajshëm dhe i rastësishëm. Pra nëse ne ia dalim t’ia mbushim mendjen dikujt se pikëpamjet tona rreth një teme, çështje dhe rreth një problemi janë të drejta, kjo do të thotë se ne përmes ndihmës së gjuhës e kemi ndikuar, në një masë, botën e këtij personi. Kështu, del se e vërteta mbi botën nuk është objektive dhe e qëndrueshme, por kjo ndikohet dhe formësohet nga dikush.
Burke thotë se është plotësisht e mundur, që duke klasifikuar dhe renditur grupin e fjalëve, të zbulosh dhe të gjesh “shprehjet kyçe” të një shkrimi, si dhe cila fjalë lidhet me cilën. Pra “gënjeshtra, në këtë mënyrë, është e pamundur”. Kështu për shembull nëse një njeri flet për nderin, por përdorë një gjuhë metaforike për shkatërrimin, atëherë tema e tij e vërtetë është shkatërrimi e jo nderi. Grupimet e njëjta të fjalëve, që një kritik i gjen në përdorimin e fjalëve të një autori, janë për të, zakonisht, të pa njohura; As autori vet nuk është i vetëdijshëm për këtë ndër-marrëdhënie të grupimi të ngjashëm të fjalëve.
Mirëpo shtrohet pyetja si ti gjejmë shprehjet kyçe të një shkrimi. Sipas Foss: Varësisht nga ajo se sa shpesh dhe me çfarë intensiteti përdoret një fjalë, bëhet edhe identifikimi i saj si shprehje kyçe. E rëndësisë se veçante është se cilat fjalë tjera sillen rreth këtyre fjalëve kryesore. Shprehjet që përzgjidhen në analizën e grupimit të fjalëve mund të ndahen në dy grupe: 1. “Shprehje të mira” dhe 2. “Shprehje të dreqit”.

Ndërtimi i publikut

Shumë retorikas e konsiderojnë publikun si një produkt të krijuar nga shkrimi dhe fjalimi. Secili autor mendon, pak a shumë, në mënyrë të vetëdijshme në publikun dhe për publikun. Pra shkrimi kërkon të mbushë mendjen; të bindë.
Publiku retorik, përbëhet kryesisht nga personat të cilët mund të ndikohen nga folësi apo autori. Kështu që siç thotë edhe McGee i tërë procesi i socializmit nuk është asgjë tjetër përpos ushtrime intensive e të vazhdueshme për të bindur tjetrin (McGee 1975: 242).
Diskursi i tyre politik nuk e bën përshkrimin e realitetit, përkundrazi, ky diskurs, sajon, me tepër, vetëm një mit politik. Si fantazmë politike dhe si një mit politik “popull i ri” me identitet të ri, do të ekziston aq gjatë sa do të ekziston edhe retorika;. Por, nesër, nëse retorika mbi këtë “popull të ri” zbehet apo edhe zhduket, atëherë ky nuk do të jete asgjë tjetër përpos një grumbull individësh.

Analiza e shkrimit “Identiteti evropian i shqiptarëve”

a. Analiza e grupimit të fjalëve
Në shkrimin e tij Identiteti evropian i shqiptarëve, duke përdorur efektet e gjuhës, Kadare komunikon jo vetëm me shqiptarët në Ballkan, por edhe me opinionin publik ndërkombëtar. Ndryshe nga Qosja, Kadare përfaqëson qëndrimin se mes tjerash “shqiptarët treguan qartë se ndiheshin evropianë” duke nënshkruar marrëveshjen me Evropën atlantike. Kadare mbështet në premisa historike, gjeografike dhe duke theksuar më shumë atë fetare. Ai pranon faktin se shqiptarët kanë tri fe, mirëpo shigjeton Qosen për ndarje të identitetit shqiptar, duke pohuar se kjo do të na shpinte drejtë dëbimit nga Evropa. Për këto arsye, Kadare është më pak tolerant me mendimin e Qoses, se “shqiptarët i takojnë qytetërimit islamik hiç më pak se qytetërimit të krishterë”. Ajo, që kërkoj këtu është që përmes fjalëve kyçe, si kam cekur dhe me parë, të bëhet e zbuluar dhe e kuptueshme të kuptuarit e botës nga autori.
Janë shtatë fjalë të cilat janë qendrore në këtë shkrim. Këto janë: “Evropa”, “Evropian”, “Shqiptarët”,”identiteti”, “Populli”, “Mysliman”, “Krishterë”, “Perëndim” dhe “Lindje”.

“Evropë” dhe “Evropian”

Në këtë shkrim fjala “Evropë” është shprehje e shenjtë. Fjala “Evropë” përmendet 61 herë, përderisa fjala “joevropian” përmendet 2 herë. Që të dyja këto fjalë janë përzgjedhur si fjalë kyçe duke u bazuar në frekuencën dhe në intensitetin e tyre. “Evropa” paraqitet në shkrim si shprehje e Zotit (God term).
Përpos këtyre dy fjalëve kyçe, fjala tjetër, që më së shumti është e dukshme për nga frekuenca, është ajo “evropian”. Kjo fjalë përmendet 39 herë. Rreth fjalës “Evropian” përmenden shpesh, po ashtu, “katolicizmi”, “racë e bardhe”, “identiteti”, shqiptarët”, “qytetërim”, “kontinenti nënë”, “mit”, “krishterimi”, e që këto mund të quhen edhe fjalë të shenjta. Ndërkaq shprehjet e dreqit, që sillen rreth fjalës “evropian”, mund të veçohen fjalët “luftë” dhe “myslimanizmi”.
“Evropa” ka dy dimensione morale. Atë ideologjike dhe mitike, e që është e mirë, dhe atë faktike, pra të sotmen, që është “e keqe”.
Grupimet e fjalëve që shpesh sillen rreth fjalës “Evropian” janë: “katolicizmi”, “identiteti”, “shqiptarët” dhe “myslimanizëm”. Lidhjet me të forta gjinden në mes fjalëve “Evropa”, “katolicizmi”, identiteti” dhe “shqiptarët”, ndërkaq fjala “myslimanizëm” zbehet dhe nuk i është e fortafruar fjalës “Evropë”. Me ndihmën e grupimit të fjalëve në kuptojmë se “myslimanizmi” është fatkeqësia unike dhe e papërsëritshme, i cili edhe shënon fundin e madhështisë se popullit shqiptar. “Myslimanizmi” është antipodi i simbolit të identitetit shqiptar.
Shumë nga fjalët në grupimin e parë të fjalëve janë mbiemra të cilat përshkruajnë pozitën e rëndë të shqiptarëve krijuar nga “myslimanizmi”. Mbiemrat nuk janë neutrale, përkundrazi, Këto janë të forta dhe i japin fjalës intensitet në shkalle të lartë ngritjeje.
Qe në fillim të shkrimit, lexuesi hasë në përdorimin e figurës stilistike antibolën: “Shqipërisë se vogël me kontinentin e madh evropian”. Kadare përdorë mbiemrat “i vogël” dhe “i madh”. Këto mbiemra te lexuesi krijojnë ndjenjën e kompleksit të vlerave të vogla. Lexuesi ndjehet inferior dhe pa vlerë përballë një fuqie tjetër, të madhe e të pa diskutuar; si në pikëpamjen materiale e, po ashtu, edhe në atë shpirtërore. Kjo “Evropë e madhe” mund të kuptohet si një qendër për të gjitha fuqitë e jetës, ndjenjat, guximin, diturinë, moralin dhe përparimtaren. “Shqipëria e vogël” është tjetra, është e zbrazët. Fajtorin për këto të këqija, në mënyrë implicite, Kadare e gjen tek religjioni dhe te Lindja.
Perëndimi, në këtë shkrim, është i stërmbushur me përmbajtje religjioze dhe ka një lloj figure religjioze. Evropa është simbol për arsyen, dëshirën dhe për gjykimin. Por çfarë është ajo pjesa “tjetër” e botës? Si trajtohen kulturat dhe popujt tjerë të botës? Si dhe në ç’mënyrë tolerohet dhe preket feja dhe tradita tjetër, do të hulumtohet në këtë punim shkencor.
Kadare përdorë metaforën “shpend i verbër” dhe “re të zeza”, ku bën asocim në politikën zyrtare të Shqipërisë në lidhje me anëtarësimin e saj në ligën islamike. Këtu metafora “shpend i verbër” dhe “re të zeza” përdorën në mënyrën ideologjike. Pasi që metafora është e hapur dhe shumë kuptimore, ne, si rrjedhojë, nuk mund të kemi kurrfarë kontrolli se, në ç’mënyrë kjo do të kuptohet dhe interpretohet nga lexuesit. Në shumë raste kjo fjali mund të kuptohet edhe kështu:

Afrimi me ligën islamike = tragjedi
Largimi nga kjo ligë islamike = shpëtim


“Evropa” përmendet si “nënë”. Për shembull Kadare thotë: “U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej me në fund për popullin e braktisur” dhe “Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë, nuk të bënë me pak evropian se të tjerët”. Çfarë domethënie ka këtu fjala “nënë”? Po fjala “mëmë”? Çfarë kuptojmë kur në shkrim hasim në shprehje të tilla? Fjala “Evropa nënë” është një sistem politik me një komb e kulturë. Kjo do të thotë se “Evropa” dhe “evropianët” janë territoret dhe kufijtë e kulturave tona, ndërkaq çdo gjë që është jashtë sajë, pra popuj, kultura dhe identitete, janë “jo evropiane”, myslimane, të largëta, janë frikuese; janë antipodi i nënës; është njerka.
Pra “Evropa nënë” ka konotacione territoriale. Tek fjalët “nënë” dhe “mëmë” përdorën shprehje emocionale. Në këtë mënyrë shprehja “nëna Evropë” fort thekson dimensione fetare dhe territoriale për luftën e Perandorisë Osmane të shekullit XIV në Ballkan. Shkrimi paraqet Kadarenë si mbrojtës të interesave territoriale evropiane dhe si mbrojtës historik i interesave shqiptare. Kadare shkruan: “Parazitë të shumtë do t’i ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzet, duke përfshirë edhe të fundit, atë me të rrezikshmin, terrorizmin”.
Evropa katolike dhe “evropianët” kanë një fuqi prej Zotit. “Katolicizmi” dhe “evropianët” kanë një lloj forme autoriteti politik dhe kulturor. “Evropianët” janë edhe punëtorë, paqësorë, jo dhunues e jo agresiv, ndërkaq, “joevropianët” dhe përkatësit e fes myslimane janë agresiv, dhunues, jo punëtorë, dembelë, të paorganizuar dhe ushqyes potencial të terrorizmit.
Si rrjedhojë, shkrimi ndërton një popull me një bindje se janë të kërcënuar nga “identiteti joevropian”. Në këtë mënyrë shkrimi krijon një lloj atmosfere lufte, ku shqiptarët duhen të qëndrojnë në gatishmëri për t’i sulmuar “te tjerët”, para se “te tjerët” t’i sulmojnë këta; shkrimi rikthen mitologjinë e luftërave fetare ballkanike. Black thotë se ideologjitë “tentojnë të kenë ndikim vendimtar në karakterin psikologjik tek bashkë mendimtarët dhe ithtarët e vet” (Black 1999: 10). “Evropa katolike” është një vend mitik dhe, njëkohësisht, një mit politik. Të kesh një publik të përbashkët rreth një identiteti të fuqishëm, dhe që ky publik të beson në mitologji, është e një rëndësie të madhe, sepse mitet janë instrumente për të krijuar unitetin dhe identitetin kolektiv.

“Joevropian”

Fjala “joevropian” është përmendur dy herë dhe, paraqitet si shprehje e dreqit. Kjo fjalë, “joevropian”, më së shumti është e rrethuar nga fjalët “turp”, “identiteti”, “Shqiptarët”, “turq të ardhur”, “myslimanë”, “rrezik për qytetërimin evropian”. Fjala “joevropian” ka konotacion negativ. Joevropianët paraqiten si pushtues të territorit evropian. Duke përdorur shprehje me ngjyra religjioze, Evropa paraqitet me theks njëfetar dhe e rrezikuar nga të ardhurit “nga Anadolli”. Duke përdorur fjalën “Evropian” kundrejt fjalës “joevropian”, paraqitet territori i “Evropës së racës së bardhe”, si diçka mitike.
Gjatë luftës së dyte botërore, religjioni dhe mitet, u përdorën shumë si instrumente ndikuese politike dhe identifikim. Ndër ta në historinë moderne njihet vrasësi i kulturave, besimeve fetare dhe i njerëzimit Adolf Hitler si dhe Slobodan Millosheviq. Me 1989 në Gazimestan të Kosovës, Milosheviq, duke përdorur mitologjinë dhe historinë mesjetare, shfrytëzon fenë si mjet për të ndërtuar një publik sa më kundërmysliman. Ai Kosovën e paraqet si qendër të kishës ortodokse dhe si viktimë të islamizmit. Edhe Kadare paraqet Kosovën si territor të shenjtë “te krishterimit”. Edhe këtu Kosova, paraqitet si diçka mitike dhe e shenjtë fetare. Për Kadarenë mitet dhe religjioni janë po ashtu përbërës të rëndësishëm për mobilizimin nacional dhe ndërtimin e publikut. Religjioni dhe mitet, sipas shkrimit, janë kusht për ekzistimin e popullit shqiptar në Evropë.
Për të nënshtruar dikë, dhuna nuk është e domosdoshme. Këtu me rëndësi është të kemi një legjitimitet dhe “një mirëkuptim”. Nëse një autor, një diktator, udhëheqës partiak, apo një punëdhënës dëshiron të ushtrojë fuqi, e pushtet ndaj një tjetri, është me rëndësi legjitimiteti ideologjik. Pra arsyetimi. Ideologjia është çdo herë e njëjta: Dominimi bëhet “vetëm” për “të mirën” e tjetrit; për të mirën e popullit, shtetit etj. E, instalimi i frikës është mënyra më e lehtë dhe me efikase për të kontrolluar dhe ndikuar në ndërtimin e publikut të dëshiruar. Frika nga “kultura e huaj”, nga “feja tjetër” dhe nga “raca jo e bardhë”, tregon se identitetet “e huaja” janë “armiqtë e Evropës katolike”, dhe të “katolicizmit të hershëm shqiptar”. Instalimi i një frike, një mendimi e një bindjeje se, “NE”, shqiptarët, dhe evropianët jemi të rrezikuar nga “ATA”, të cilët i përkasin një kulturë e feje tjetër, është retorike e përdorur nga Gjermania e Hitlerit dhe Gebelsit. Edhe këta instaluan frikën ndaj jahudive, feve,”racave jo të bardha”, romëve dhe bolshevikëve. Edhe këto kombe dhe intelektualë të tyre, sipas teorisë naziste, rrezikonin identitetin, kombin e pastër gjerman, “racën e bardhë ariane” dhe, përparimin e tij shkencor e kulturor.

“Katolik” dhe “Mysliman”

Edhe pse fjala “katolik (e)” përmendet vetëm 5 herë, është kjo shprehje e shenjtë. Kjo është një shprehje e shenjtë sepse fjala “katolik (e), katolicizëm” ka një vend qendror në shkrim. “Katolik” është përzgjedhur si shprehje kyçe duke u bazuar në intensitetin. Përpos kësaj, fjala “katolik” qëndron e rrethuar nga mbiemrat, të cilat e përshkruajnë këtë emër (“katolik”) më afër. Këto mbiemra na tregojnë për cilësitë dhe nuancat e katolicizmit. Kadare përdorë fjalën “katolik” me një intensitet të veçante: për shembull “… u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi” apo “madje krishterimi shqiptar ishte me i moçëm se ai sllav”. Fjala “katolik” përdoret shpesh në lidhshmëri me fjalën “Mysliman” dhe “identitet”.
Fjalët që grumbullohen rreth mbiemrave “mysliman” dhe “katolik” mund të ndahen në dy epoka kohore dhe në dy grupe. Ai flet për “mysliman” dhe “katolik ” në dy kuptime të ndryshme. Arsyeja për këtë është se fjalët që sillen rreth “mysliman” dhe “katolik ” kanë një intensitet të fuqishëm. Për këtë arsye fjalët që përmenden rreth fjalës “mysliman” dhe “katolik” janë ndarë në dy lloj grupime. Këto janë fjalë që shkaktojnë tensione dhe konflikte në shkrim. Këto edhe janë të ndara sipas epokës kohore. Këto konotojnë dhe përshkruajnë fatin e shqiptarëve në të kaluarën dhe në të tashmen. Këto janë fjalët që rrethojnë fjalën ” mysliman” dhe “katolik “:

Identiteti shqiptar

1389 – E kaluara 2007 – E sotmja
Mysliman – Katolik
Jo evropian- Evropian
Myslimanizmi – Katolicizmi
Lindor – Perëndimor
Urrejtja – paqja
Përvoja otomane – Demokracia
Zëvendësim – Veshjet e famshme
Petka arabe , shallvare – tradicionale
Me pak evropian
pyke të myslimanizmit – liri
identitet i ndarë – besim i tyre
çaste të vështira rrënjët e krishterimit
Lufte – paqe
Tjetër faresh – qytetërimit të krishtere
Histori – emanciponte
Tmerrit – nene
Xhami – katedrales
demonë të vjetër – Ballkanit evropian
fjalimet antiamerikane – pa dyfytyrësi
Vende terroriste – identitet
s’na lidh asgjë – Demokracia
fantazira pa kuptim – Madh
Nostalgjia – poshtëruese – Shqiptarët
popull që u thye – Mirëqenia
Zog i verbër – statusi i Kosovës
s’na benë kurrfarë nderi – Çoroditjen
Lindja e Mesme – krishterimi shqiptar
me shumë afrikano-veriore e aziatike
– Madh
Humbja – Rigjetja
Ligen Islamike – Kombet e bashkuara
Kundër evropianizimi – historie filo evropiane

Analiza e grupimit të fjalëve nuk është e plotë nëse nuk ndërmarrim edhe një analizë të Agonit. Është mu analiza e Agonit e cila u jep grupimit të fjalëve konfliktin dhe dramatiken (Berthold 1976: 303). Këto shprehje të mësipërme mund edhe të duken se qëndrojnë në një marrëdhënie tensionimi me njëra tjetrën. Duke përdorur mbiemrat dhe lidhëzat “dhe”, “edhe” si dhe “e”, përshkruan Kadare se pari pasojat e të qenit mysliman, dhe, më pas, ky i kundërvën mbiemrat me vetitë e të qenit katolik. Me këto antiteza ndërtohet një mesazh jo i qartë, një dramatikë, një fotografi e tensionuar, apo siç shprehet vet Kadare “..kur u duk me në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin”. Mesazhi është i qartë; vetëm katolicizmi mund të shpëtoj shqiptarët.
Në shkrim hasim edhe elemente mitologjike të cilat kontribuojnë që feja myslimane të kuptohet si një mit dhe si një realitet i hidhur ditor. Për shembull Kadare thotë: “Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur…”

“Mysliman”

Fjala “mysliman” përmendet 28 herë. Një shprehje në një shkrim mund të përmendet pak herë, por megjithatë mund të funksionoj si shprehje kryesore, sepse kjo përdoret me një intensitet. E, intensiteti rreth fjalës “mysliman” është i fuqishëm. Për shembull Kadare thotë: “Shqipëria ishte e vonuar”. Me tutje ky shton: “E përveç vonesës, ajo kishte një pengese tjetër. Ndërsa në vendet e tjera feja zotëruese e krishtere ndihmonte për ndarjen nga tradita otomane, në Shqipëri, ajo tradite mund të strehohej pikërisht pas fesë zotëruese, myslimanizmit”.
Në grupin e parë, që është paraqitur në tabelën më sipër, shkrimi kthen lexuesin prapa, shumë prapa, tek viti 1389, dhe i referohet historisë dhe sundimit 500 vjeçar të perandorisë osmane; Humbjeve që populli shqiptar i ndeshi në këtë gjysmëshekull. Shkrimi na lë të kuptojmë se, çdo gjë që kishte ndodhur para pushtimit të Perandorisë Osmane në këto treva, ka qenë e mrekullueshme dhe liberale. Njëkohësisht kjo fjali mund edhe të kuptohet se mos të ishte religjioni, shqiptarët nuk do të konfrontoheshin me këto dështime politike, ekonomike, sociale etj. Legjenda, mitet dhe shkenca thotë se shqiptarët që nga 1389 ndërruan fenë e tyre. Këtu kuptojmë se, sot, këta po u rikthehen rrënjëve të tyre të katolicizmit. Batakçinjtë, sipas mesazhit të tij, janë “joevropianët”, “myslimanet” është “liga islamike”. Të gjithë këta së bashku i shumëpërngjajnë, çuditërisht, edhe sot, pushtuesve otoman.
Nuancat mitologjike dhe historike luajnë një rol të rëndësishëm në shkrimin e Kadaresë. Mitet paraqiten si fakte historike edhe pse Kadare e thotë vet këtë: “Në acarimet e shpesh në përpjekjet me turqit osmane, shqiptarët myslimane ishin në vijën e parë” dhe “…do të linin pas vetes një fryme të sëmurë kundër evropiane”. Në këtë mënyrë shkrimi mbanë mitologjinë dhe historinë gjallë. Citati paraqet shqiptarët si viktimë. Si viktimë, jo vetëm nga veprimet “e të tjerëve”, por para se gjithash si viktimë e ndasive në shumë përkatësi fetare. Grumbulli i fjalëve, dhe veçanërisht mbiemrat, ndërtojnë dhe forttheksojnë identitetin e vjedhur në të kaluarën e largët, përderisa grumbulli i fjalëve dhe mbiemrave që konotojnë të sotmen janë përdorur si mjet ndikues për të konkretizuar e ndërtuar rrënjët e hershme katolike, pra rikthimin në identitetin evropian shqiptar.
Grupi tjetër, që është paraqitur, po ashtu, në tabelën më sipër, përshkruan të mirat që na i sjellë feja katolike sot, por njëkohësisht duke e qarë të kaluarën e hershme iluministe, të para pushtimit osman. Kadare thotë: “Nostalgjia e tërthortë që po shfaqet sot tek në për otomanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhe të parë poshtëruese”. Sigurisht se nuk ka popuj që kanë nostalgji për pushtuesit. Por, Kadare identifikon otomanët e shekullit të XV me kulturën dhe fenë islame, ndërkaq, evropianët me fenë dhe kulturën katolike.
Pasi që Kadare izolon identitetin në dy grupe të mëdha “evropian” dhe “joevropian”, atëherë del se njëra nga këto është e bardhë e tjetra e zezë. Një faktor tjetër relevant në lidhje me fjalën “evropian” është se kjo fjalë ka një lidhje racionale me fjalën “shqiptar”, “katolik” dhe “identitet”; Shqiptarët me një identitet tjetër do të kenë vlerë dhe status të lartë në politikat ndërkombëtare, sepse këto të tria së bashku përbëjnë një trup.

Shqiptarët + katolicizmi = identiteti evropian
Shqiptarët + myslimanizmi = identiteti joevropian
Feja katolike është një lidhje natyrore në mes identitetit dhe shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund më të durojnë fetë, kulturat joevropiane dhe identitetin e lindjes. Këta nuk duhen të jenë të ndikuar nga kultura islamike, nga muzika e popujve tjerë, nga letërsia turke dhe arti arab. Populli shqiptar duhet ta këtë të thellëngulitshme kujtesën se “katolicizmi i hershëm” nuk është vetëm një fjalë retorike, por edhe një lidhje natyrore që i shpëton shqiptarët politikisht.
Kadare përdorë fjalën “evropian” si një kontrast për fjalën “joevropian”. Kjo ndodhë edhe me fjalën “katolik” dhe “mysliman”. Mbiemri “evropian” dhe fjala “identitet”, të cilat janë të fortlidhura me emrin “shqiptar”, luajnë për Kadarenë një rol qendror rreth asaj se, si do të duket ardhmëria politike e kulturore për shqiptarët. Botëkuptimi i shkrimit është se ardhmëria e shqiptarëve është e varur nga “rikthimi në rrënjët e katolicizmit”. Kadare thotë: “Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamen që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftoje kjo, edhe ajo kineze maoiste.”
Shohim se si fjalët “Evropa” dhe “perëndimi” qëndron si bllok dhe si një armik konkurrues i bllokut tjetër; “Lindjes”. Shkrimi ndanë, përsëri, botën në bazë të feve, kulturave e traditave. Përsëri mungon mirëkuptimi për traditën, gjuhën dhe kulturën e popujve tjerë; shkrimit i mungon durimi për të lejuar e pranuar komunikimin dhe rrjedhjen e lirë të kulturave në mes popujve. Bindja rreth idesë se shqiptarët janë viktima të një feje tjetër, është temë qendrore e Kadaresë. Shqiptarët janë të pafajshëm. Roli i viktimës dhe domosdoshmëria e popullit shqiptar për tu mbrojtur nga armiket e jashtëm, veçanërisht nga Lindja e mesme, Kina e ish-republikat sovjetike, përmendet jo rrallë në shkrimin e Kadaresë. Për shembull: “Qe nga ajo kohë Evropa, me sakte Evropa atlantike nuk pushoi se qeni xanxa kryesore për shqiptarët.” dhe “U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjate, po kujtohej me në fund për popullin e braktisur.”
Analiza e grupimit të fjalëve zbulon një botëkuptim i cili është i ndërtuar mbi një sindromë të viktimës dhe që nënvizon idenë se “myslimanizmi” ka shkatërruar identitetin dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Shkrimi ndërton një botëkuptim se evropianizimi është shpëtimi i shqiptarëve.
Shkrimi ndërton një botëkuptim i cili shqiptarët historikisht i paraqet si popull puthadashës e vullnetarë të rrënjëve të krishterimit, ndërkaq feja myslimane, është fe e imponuar me dhunë e me gjak. Shqiptarët gjithmonë kanë ngritur kokën për t’u rikthyer në rrënjët e veta të katolicizmit. Për shembull Kadare në fjalinë e tij thotë: “…dhjetëra-mijëra të rinj myslimanë shqiptarë me 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllaveve.” Kështu, publiku kupton se Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për fe, e jo për atdhe. Dhe, bash vendi, Kosova, aty tek Gazimestani, ku u mbrojt krishterimi, nga serbi Car Llazar, në betejën e vitit 1389, tani janë myslimanët shqiptar, nga ish-Jugosllavia, që po e bëjnë një mbrojtje të tillë. Kufiri në mes historisë dhe mitologjisë zbehet dhe vështirë të dallohet: dominon bota mitologjike mbi atë faktike.

b. Ndërtimi i publikut

Burke në artikullin e tij “Retorika në librin Mein Kampf të Hitlerit”, shprehet se çdo lëvizje, e cila rekruton simpatizuesit, përkrahësit e vet nga grupe të ndryshme, duhet të këtë një pikë fikse (Burke 1997: 9). Hitleri e kuptoi se libri i tij “Mein Kampf” nuk duhet të jete vetëm një ide kryeqendrore, por gjithashtu edhe një Mekë gjeografike. Përderisa Hitleri me vetëdije zgjodhi Munchen-in si epiqendër të bashkuar fikse dhe një Mekë gjeografike, zgjodhi Kadareja demonstratën e “të rinjve myslimanë” të vitit 1981 dhe 1989, me epiqendrën e bashkuar fikse Prishtinën, pra Kosovën. Meka gjeografike dhe epiqendra e bashkuar fikse dhe materializuar, është tani, besueshmërisht, Kosova.
Ky shkrim është një shembull i mirë për diskursin retorik, i cili publikut mund t’i jap identifikim. Duke e përmendur ” marrëveshjen e Shqipërisë se vogël me kontinentin e madh evropian” , duke e cekur ngjyrën e lëkurës si cilësi dhe vlerë njerëzore dhe duke mbitheksuar “katolicizmin”, shkrimi kërkon të ndërtojë një identitet të ri shqiptar; është ky një identitet që botës, në Luftën e Dyte Botërore, do i kushtonte me më shumë se 55 milionë njerëz të vrarë; është ky një identitet që forcat e errëta, të përkrahura nga terrorist të llojit “Ala bin Laden”, e të fshehura pas idesë se bota duhet ti takoj vetëm një religjioni e kulture, po vret e po djeg qytetërimin me përmasa planetare. E, kjo është e rrezikshme, tragjikisht shumë e rrezikshme.
Historia është element me rëndësi. Bashkëdyzimi i së kaluarës kulturore, religjioze dhe nacionale me të sotmen, me të tashmen dhe me të ardhmen, mund të krijojë një ndikim të fuqishëm ideologjik tek publiku. Kadare, njeh gjuhën, kodin e shoqërisë shqiptare, mentalitetin dhe qëndrimin e tij. Ai shkrihet në masën; Kadare bëhet një pjesë e sajë. Duke përdorë përemrat personal “ne” dhe “ynë”, shkrimi kërkon të ndërtojë një identifikim me publikun.
Përmes retorikës ndërtuese, shkrimi kërkon e dëshiron të ndërtojë popuj me “vlera të mëdha”, d.m.th. popuj me rëndësi të madhe, si dhe popuj me “vlera të vogla”, d.m.th. popuj të pa vlera fare. Jemi dëshmitarë se si feja në sistemin filozofik e politik të Kadaresë është faktor relevant legjitimues për të ndërtuar një popull homogjen, të fuqishëm e evropian. Si rezultat i kësaj, njëfetarizmi, këtu, ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e këtij identiteti.
Edhe përdorimi i miteve politike është funksional dhe i rëndësishëm, sepse mitet janë një urë lidhëse në mes të se kaluarës dhe të tashmes. Në këtë mënyrë shkrimi pretendon të ndërtojë një publik i cili nuk është në gjendje të shohë e të përdalloj dallimin në mes botës faktike dhe botës mitologjike.
Përpos kësaj këtu hasim edhe pyetje retorike; si për shembull: “Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë? Është Lindje a Perëndim. Është me shumë Perëndim se Lindje. Është me shumë myslimane se e krishtere.” Dëshira e shkrimit është që publikun e tij ta pozicionojë tek veprimet mitologjike, historike, religjioze dhe politike. Kjo strategji retorike është karakteristike e veçantë dhe dalluese e retorikës ndërtuese.
Brengosja më e madhe për publicistët dhe për propagandën është mënyra se si të tërhiqet vërejtja e publikut indiferent. Kadare thërret “…mos valle gjithë këto vite, madje disa shekuj me radhe nuk e paskëshim ditur ç’kemi qene? “. Këtu kemi një bashkëshkrije të historisë së vjetër mesjetare me historinë e re. Kjo mund të shkaktoj emocione të forta tek publiku. Përdorimi i patosit është i dukshëm. Botëkuptimi i shkrimit është se, shqiptarët janë të pasigurt në vetvete sa i përket identitetit, nuk e dinë as vet “se kush dreqin janë”. Shkrimi shkrinë mitologjinë dhe faktet në një të përbashkët.
Fjalët e Kadaresë sajojnë domethënie dhe përfundojnë me domethënie. Duke ndikuar në mendime, vendime dhe veprime tek individët, fjalët e tij krijojnë ndryshime. Monologu retorik, me këta individë, është shpresë për strategjinë e tij, sepse përmes këtij monologu retorik, Kadare dëshiron e kërkon të arrij qëllimin e tij politik, personal dhe atë ideologjik.
Vizioni i tij fokusohet jo vetëm tek një publik i caktuar në një kohë ta caktuar, por ky vizion fokusohet tek një popull i tërë dhe, ky vizion shtrihet në një periudhe të gjatë shekullore. Është me rëndësi për Kadarenë të lundroj nëpër historinë e kombit. Duke përmendur udhëheqësit e kombit, kuptojmë se populli shqiptar përbëhet vetëm nga individët dhe pa identitet kolektiv. Andaj, edhe nuk është fare rastësi se pse Kadareja kthehet 600 vjet prapa në historinë dhe mitologjinë ballkanike.
Hitleri dëshironte të lirohej nga marrëveshja mbi paqen e Versajës, përderisa Kadareja dëshiron të lirohet nga “identiteti joevropian.”Botëkuptimi i tij mbi identitetin shqiptar është se, është kërcënuese dhe e pamundur që kjo të kuptohet si dyshe. Andaj shkrimi i tij përjetohet si përpjekje për të “rikatolizuar” identitetin, dhe kulturën shqiptare, por, duke përjashtuar ndikimet e kulturës orientale.
Shkrimi përshkruan një histori i cili duket se është prodhim i padrejtësive të kohës; si në të kaluarën e po ashtu edhe në të sotmen. Mesazhi për publikun kuptohet se shqiptarët dikur ishin viktima dhe trima, por njëkohësisht në kuptojmë se kombi shqiptar sot është krenar dhe evropian. Kadareja është gjithmonë në kërkim të historisë “katoliko-nacionale”. Historia për Skënderbeun dhe “demonstratat e myslimanëve shqiptar (1981 dhe 1989) për të kërkuar rikthim në rrënjët e krishterimit shqiptar”, si dhe kujtesa për epokën e madhe të shqiptarëve para humbjes së madhe kundër Perandorisë Osmane, praqet një kthesë retorike në shkrimin e tij.
Rikujtesa për kohët e ikura të “historisë se lavdishme” dhe përsëri sajimi i legjendave mbi religjionin, mund të kuptohet nga publiku se feja islame edhe sot është një kancer për shoqërinë shqiptare. Kështu, shkrimi ndërton një publik emocional dhe të polarizuar ndërfetar.
Kadareja provon të gjejë baraspeshë gjatë tërë shkrimit, por kjo nuk është e kënaqshme për një kokë të madhe siç është vet Kadare. Ai nuk është i vetëdijshëm se grupimi i fjalëve dhe fjalët kyçe në shkrimin e tij, gjithashtu, e zbulojnë botëkuptimin e tij fetar, politik e kulturor.
Retorika e tij prodhoi tensione, emocione dhe pakënaqësi të mëdha tek shumica e publikut shqiptar. Akoma më shumë, retorika e tij ishte zhgënjyese dhe kërcënuese për bashkëjetesën shumëfetare e shumë kulturore për popujt e Ballkanit. Shkrimi i tij, ndoshta pa qëllim, ndërtoi mure brenda mendimit dhe popullit shqiptar, në vend se të rrënoj këto. Shkrimi ka rrëfimet e tij të cilat përdoren si fondament për sajimin e identitetit. Këto rrëfime tregohen e përsëriten shumë herë. Tipike për ketë shkrim është se, publiku i Kadaresë, pavetëdijshëm, bëhet pjesë e politikës ditore dhe kornizave të mendimit njëfetarë të Kadaresë. Fuqia dhe përdorimi i fesë për të “krasitur” kultura dhe tradita “joevropiane” përmbështjellin shkrimin e tij.
Përmes përdorimit të tejtheksuar të fjalëve “Evropa”, “Evropian”, “Shqiptarët”, “Populli”, “identiteti”, “Mysliman”, “Krishterë” dhe “Perëndim”, fjala “identiteti evropian” fiton mbi gjuhën e Kadaresë një lloj realiteti dhe, dhuron një ndjenjë identiteti tek publiku shqiptar. Përmes fjalëve “identiteti evropian”, fortthekson shkrimi një identitet të definuar biologjik shqiptar, identitet i cili është i lidhur vetëm me Evropën e “racës së bardhë”.
. Botëkuptimi i tij është bota e ndarë në dy pjesë: atë të mirën dhe atë të keqen. E mira dhe me fat është “Evropa katolike” dhe “evropianet”, ndërkaq bota tjetër ajo e panjohura dhe e pafat, është “bota myslimane”. Bota e tij është e ndarë në mes të orientit dhe oskidentit, ku shkrimi hapur përkrahë botën oksidentale.
Shkrimi formëson një publik i cili bënë që përmes identitetit, shqiptarët duhet të dallohen nga pjesëtaret e grupeve tjera. Ndërtimi i identitetit grupor, krah për krah atij të dimensionit social dhe kulturor, ka po ashtu dimensione gjuhësore. Për shqiptarët, sipas kësaj bote, është shumë me rëndësi të formojnë “ne grupimin”. Sepse kjo indikon në bindjen ndaj qëndrimit të identitetit se, kjo është “e jona”, dhe e ndarë “nga ata”.
Përmes shkrimit të tij, Kadare ka arritur të krijoj një lloj klime lufte. Këtu është argumentuar se si përmes shkrimeve politike, të cilat përbëjnë elemente mitologjike, historike dhe fetare, është plotësisht e mundur të demonizohet një besim fetar, e te mbiçmohet tjetri. Kjo trajtesë tregon se situata e sotme e ndërlidhur me mitologji dhe histori mund të shfrytëzohet për qëllime retorike.
Në një botë me një rritje të fuqishme demografike dhe, me shpërngulje e lëvizje të mëdha të njerëzve nga secili cep i botës, nuk mund të ëndërrohet që kulturat dhe religjionet të mbesin të mbyllura tek territoret e tyre të kufizuara. Në vend të kësaj religjioni, gjithnjë e më shumë, është duke “u transportuar” jashtë kufijve nacional. Kjo do të thotë se popujt, kulturat dhe religjioni nuk janë të ndara e të izoluara në “evropian dhe joevropian”, në “mysliman dhe katolik”, apo “orient dhe oksident”. Në të kundërtën, të gjitha këto së bashku, zhvillohen në vend të njëjtë e në kohë të njëjtë.
Ky fakt kokëfortë rritë kërkesën për një përdorim më të nuansuar, më të kujdesshëm dhe më të saktë të shprehjes “fe” dhe “religjion”. E pra, ne duhet të mësohemi që ta trajtojmë religjionin vetëm si religjion, e jo si instrument e qëllim politik. Ta përziesh politikën dhe religjionin është sikurse të dëshirosh që në hapësirat shqiptare të importosh situatën tragjike politike të popullit palestinez dhe të popullit izraelit. Religioni nuk duhet të përdoret për të legjitimuar veprimet ideologjike dhe politike.
Shkrimi nxjerrë “argumente” njëfetare dhe modele sqaruese për të arsyetuar ndërtimin e publikut me bindje për një identitet të pastër “evropian”. Është vendimtare që në të gjitha rastet e debateve publike të tentohet që të kuptohet të mirësqarohet se kur njeriu flet për politikën dhe kur për religjionin. Bashkëpërzierja joprofesionale e kulturës, religjionit dhe politikës përdoret nga Kadareja në mënyrë demagogjike dhe ndërton një publik me plot paragjykime dhe stereotipe mbi kulturat dhe popujt tjerë “joevropian”.
Kadare, mjerisht, mjerisht shumë, përzien politikën dhe religjionin në atë mënyrë sa që lexuesit mund të nxiten të besojnë në atë se, lufta e shqiptarëve për pavarësi kombëtare, ekonomike e politike, para së gjithash, ishte dhe është religjioze.
Problemi shqiptar, para se gjithash, është problem politik, i cili edhe duhet të analizohet politikisht dhe duhet të zgjidhet me mjete ndikuese politike e assesi fetare. Të shndërrosh një konflikt politik në konflikt religjioz, donë të thotë se “duhet gjetur” fajtorin tek katolicizmi, islamizmi apo hebreizmi. E, kësaj i thonë propagandë politike. Por, roli i religjionit është të krijoj paqe, të kërkoj vetëkritikë dhe dialog me njeri tjetrin, e kjo, me qëllim që kundërshtimet të mos përdoren si ushqim për të krijuar urrejtje ndërnjerëzore.
Të ndalosh rritjen e islamofobisë dhe antisemitizmit në hapësirën publike shqiptare, do të thotë që të gjithë të jemi vetëkritik dhe të përgjegjshëm. E kjo, pikë se pari, do të thotë që të heqësh dorë nga përdorimi i gjuhës së ashpër në hapësirën publike; gjuhë që mund të krijoj dhe përforcoj fotografi stereotipe ndaj popujve me identitete e kultura të “dyshe”.

P. s .: Gjuha, fotografia dhe kallashnikovi janë armë të fuqishme, andaj, të dashur gjeni të letrave, e ju gazetarë, kujdes, mos luani e mos i keqpërdorni ato. Mos vrisni!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …