leoni

Gëzim Mekuli: MEDIET DHE POLITIKA

(Analizë e dy gazetave shqipe në Kosovë (Pjesa e parë) 

Qëllimi kryesor i kësaj analize është hulumtimi në fushën e gazetarisë politike, rrespektivisht përqëndrimi, fokusimi në person brenda gazetarisë politike shqipe të Kosovës. Ideja për këtë analizë me lindi që në kohën kur isha redaktor përgjegjës i agjensisë së pavarur informative “Mekuli Press.” Këtu edhe u binda, se sa e thjeshtë ishte që të bëje një ndodhi apo një temë të shumëlexueshme, konkrete e “të lehtëkuptueshme” nëse gazetari apo gazetarja përdor një person si epiqendër të artikullit. Përmes këtij hulumtimi do të tentoj të them diçka rreth asaj se:

1. Në çfarë shkalle gazetat shqipe janë duke u përqendruar në person, para se këto të fokusohen në çështjen apo procesin e ndodhisë, 
2. Si zhvillohet e fryhet ky fokusim në person dhe, 
3. Në çfarë shkalle është dallimi në mes të gazetave rreth fokusimit në person. 

U përqendrova në gazetarinë politike, sepse është kjo gazetari e cila është duke mbidominuar në tërë mediet shqipe. Dhe, është arsyeja tjetër sepse fokusimi në person është me i shpeshtë në gazetarinë politike se në tjerat fusha të gazetarisë. Teoria e medieve thotë se gazetat me mundësi pajtimi janë më pak të orientuara në person, se sa ato gazeta që shitën një nga një nëpër dyqane e kiosqe. Artikujt të përqendruar në person, shpesh, janë shkelës të kodeksit gazetaresk dhe, jo rrallë, vlera informative e këtyre artikujve pakësohet, e bile bile, edhe shtrembërohet. 

Metoda e punës 

Në këtë analizë do të përdor metodën kualitative dhe atë kvantitative. Në analizën e 207 artikujve, (artikuj nga fusha e gazetarisë politike) të gazetës Express dhe Info Press, kam numëruar se, sa artikuj i takojnë apo i përkasin tri kategorive të fokusimit gazetaresk: 

1. “Fokusimi në person”,
2. “Drejtëpeshimi person – ndodhi/çështje” dhe, 
3. “Fokusimi në çështjen/ndodhinë”.

Vlerësimin e artikujve, mbi atë se cilës kategori i përkasin këto, e kam kryer duke shiquar lidhshmërinë në mes fotografisë, kryetitullit, nëntitullit dhe përmbajtjes së tekstit. Edhe analiza e artikujve, ku emri i personave është i potencuar në kryetitull apo nëntitull është kryer, po ashtu, me ndihmën e metodës kvantitative. Kjo vlenë edhe për analizën e artikujve të cilat janë të mbidominuara nga fotogrfia. Fotografia, po ashtu, është kategorizuar në a) “Fotoportret të personit”, b) fotografia “person – ndodhi” dhe c) fotografia “ndodhi e paster”.

Argumentim për zgjedhjen e burimit 

Si gazetari politike kam kategorizuar artikullin si lajm, ese, dhe komentet redaksionale. Secila gazetë ka edhe fushën e gazetarisë tjetër, siç është ajo e kulturës, sportit, ekonomisë etj. Por, dyshimi im i madh ishte, se gazetaria politike është më shumë e fokusuar në person, se sa në procesin dhe ngjarjen. Qëllimi është të bëjë krahasimin në mes të dy gazetave shqipe dhe, po ashtu, të bëjë krahasimin e mbulimit të një rasti por, të shikuar nga prizmi i dy gazetave të ndryshme. Kisha dëshirë të bëjë edhe një intervistë me gazetarët të cilët kanë publikuar artikujt e tyre në këto gazeta e në këtë periudhe, me qëllim që të zbulohet se në çfarë shkalle gazetarët janë të vetëdijshëm për të kapur vëmendshmërinë e lexuesve me përqendrimin ne person, apo nëse këta, këtë, e bëjnë “alla tahminqe”.

Pse këto ditë? 

U zgjodhën pikërisht këto ditë për arsye së kjo javë ishte “java e lajmit politik”: Kosova “e pavaur” është top agjendë në mediat kombëtare e ndërkombëtare; Pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia në Grodec ku humbën jetën më shumë se 25 vetë dhe u plagosën me qindra të tjerë; Serbët e Kosovës janë hallakatur e janë rebeluar; po përdorin aktet terroriste për të sabotuar pavarësinë e Kosovës; Ish-kryeminsitri Haradinaj u lirua i pafajshëm nga gjykata e Hagës.Të gjitha këto ndodhi e procese të këtyre ditëve më shtynë të besoj se jemi të mbingarkuar me “gazetarinë politike” më shumë se sa ditëve tjera. Pra, si janë formësuar artikujt dhe se cili është këndëvështrimi i tyre gazetaresk? 

Çka është fokusimi në person? 

Me fokusimin në person, personifikimin, orientimin në person apo gazetarinë e njeriut kemi të bëjmë atëherë kur një apo disa person shpesh identifikohen në një artikull dhe, kur një artikull, në shkallë në rritjeje, ka si pikëvështrim personin e veçantë. Personifikimi mund të konsiderohet edhe si një ndër kriteret e formësimit të lajmit. Fokusimi në person mund të ndodh në mënyra e forma të ndryshme: P.sh. Fotografia, cekja e emrit/mbiemrit në kryetitull dhe nëntitull, roli aktiv i një personi në artikull etj. 
Fokusimi në person, këto viteve të fundit, e veçanërisht pas rrënimit të komunizmit dhe, pas luftës në Kosovë, ka mar përmasa të mëdha, andaj, edhe është me rëndësi të analizohet e të komentohet ky zhvillim gazetaresk. Në këtë analizë fokusimi në person do të ndahet në tri kategori: 

1. Ndodhia me fokusim në person: janë këto tema/ndodhi ku personi apo personat luajnë një rol shumëqëndror në artikuj; Pra artikulli është skajshmërisht i shkruar nga pikëvështrimi dhe pikëkoncentrimi në person. 
2. Person – ndodhi: tema ku fokusimi në person bëhet me qëllim për të paraqitur ngjarjen më të qartë e më të kuptueshme për lexuesin. Këtu personi dhe tema janë barabarësisht të njejtë. 
3. Fokusimi në temë: sqarimi apo shtjellimi i një çështjeje, apo lënde, i cili nuk fokusohet fare në person të paracaktuar. 

Analiza e artikujve të mi

Që nga 01. Prilli. 08 deri me 07. Prill. 08, kam numëruar gjithsejt 207 artikuj në gazetën Info Press dhe Express. Por, siq u tha edhe më sipër këtu nuk janë trajtuar për objekt analize artikujt mbi ekonominë, kulturën e sportin. Për analizë kam shkoqitur vetëm artikujt me karakter politik vendor. Kështu do të tentoj të them diçka rreth shkallës së fokusimit në person tek këto dy gazeta. 

Ja rezultatet përfundimtare: 
Gjithsejtë: 207 artikuj (Express 119 artiukuj dhe Info Press 88) 
Të fokusuar në person 66 % (137) 
Person – temë 24 % (50) 
Fokusim vetëm në temë 9,6 % (20) 
Pra jo më shumë së 24 % të artikujve në këto dy gazeta balansojnë prezentimin në mes temës dhe personit. Por, gati më shumë së gjysma (66 %) janë të fokusuar në person. Nëse i mbledhim së bashku përqindjet e të fokusuarit në “person – temë” dhe të atyre të “fokusuara në person”, shohim se personat janë kryeaktorë në më shumë se 90 % të temave politike. Ndërkaq vetëm 9,6 % janë tema/artikuj pa person apo kryesisht janë vetëm shtjellim i një teme duke mos pas si protagonist person të caktuar. Ky rezultat forcon dyshimin tim se personat luajnë rol të rëndësishëm në gazetarinë politike shqipe. 

PJESA E DYTË E ANALIZËS 

Krahasimi i gazetës InfoPress me gazetën Express

Hulumtimi i fokusimit në person është kryer për secilën gazetë veç e veç; duke i nisur nga kategoritë e sipërcekura. Ja rezultatet e këtij krahasimi: InfoPress ka gjithsejt 88 artikuj, nga këto vetëm 11 artikuj janë pa fotografi. 

Të fokusuar në person 56,8 % (50) 
Person – temë 40,9 % (36) 
Fokusim vetëm në temë 2,2 % (2) 

Ndërkaq gazeta Express ka gjithsejt 119 artikuj, nga këto vetëm 25 janë pa fotografi
Të fokusuar në person 71 % (85) 
Person – temë 25 % (30) 
Fokusim vetëm në temë 3,3 % (4) 
Shohim se më shumë së gjysma e artikujve tek Express janë të fokusuar në person (71 %), përderisa tek Info Press janë 56,8% e artikujve të fokusuar në person. Është me peshë të theksohet se tek gazeta Info Press përqëndrimi në person – temë është paksa më shumë i balancuar (40,9 %). Por, në asnjërën gazetë nuk mund të gjejmë fokusim të lartë vetëm në temën e ngjarjes. Që të dyja së bashku kanë vetëm 5,5 % koncentrim/fokusim në shtjellimin e temës: E, kjo është brengosëse. 

Përdorimi i emrit të personave në artikuj

Fokusimi në person është paksa vështirë të matet, dhe metoda që kam zgjedhur si hulumtim, mund të ndikoj tek ndonjë kategori. Kjo është edhe arsyeja, se si shtesë kam vendosur të përzgjedh një kategori më të lehtë matëse: Këtu kam numëruar përdorimin e emrit të personave në kryetitujt dhe në nëntitujt e artikujve. Por nuk kam numëruar kryetitujt dhe nëntitujt të cilët qëndrojnë si “Kryeminstri tha, apo presidenti tha”. Në artikujt pa nëntitull kam shiquar nëse emri i personit shfaqet në paragrafin e parë: ndërsa në shënimet të cilat nuk janë më të gjata së një nëntitull kam hulumtuar nëse emri i personit është cekur edhe këtu. 

Gjithsejt: 10 artikuj
Emri i personit në kryetitull 60 % (8) 
Emri i personit në nëntitull 40 % (4) 
Info Press 3
Emri i personit në kryetitull 66,6 % (2) 
Emri i personit në nëntitull 66,6 % (2) 
Express: 7
Emri i personit në kryetitull 85,7 % (6) 
Emri i personit në nëntitull 14,3 % (2) 
Shofim se një numër i vogël i artikujve kanë emrin e personit në kryetitull, përderisa gati 40 përqind kan një emër personi në nëntitull. Kjo largon dyshimin se gazetaria politike shqipe ndërtohet dhe është e shumëpërqëndruar rreth emrave të personave. 
Më shumë emra të personave në ballinë dhe në kryetitull hasim tek gazeta Express (6), se sa tek Info Press (2). Kjo tregon mënyrën së si këto dy gazeta ndërtojnë temat dhe artikujt. Që të dyja k]eto gazeta përdorin emrin e personave në nëntitull, mirëpo perderisa Express vazhdon të përqëndrohet tek fotografija ultra e afërt e personave, plotëson Info Press artikullin/temën me informacione të reja. 

Përdorimi i mbiemrit në artikuj 

Mënyra tjetër për të matur së sa ngusht gazetaria jonë shqipe përdor përsonët si mjet për të kapur vëmendshmërinë e lexuesit është edhe përdorimi i mbiemrit në gazeta. Të thirresh dikënd me mbiemër shfaqë distancë dhe ftohtësi me personin të cilit i drejtohesh por, përdorimi i emrit konoton intimitet, ngohtësi dhe besueshmëri. Në këtë analizë kam numëruar artikujt q ë paraqiten me përdorimin e vetëm të emrit të personit. Në këto gazeta janë cekur në emër, kryesisht, tre personë: z. Hashim Thaqi, z. Ramush Haradinaj dhe z. Skender Hyseni. P.sh. në artikullin mbi lirimin e ish kryeminsitrit të Kosovës nga gjykata e Hagës lexojmë kryetitullin “Ramush, u kry” të portretizuar me foton e z. Haradinaj (Express, faqe 2, 04. Prill, 08) . Kjo me qëllim që lexuesi “të peshkohet” më lehtë, sepse kjo mënyrë ka edhe ndikim vetëpërforcues. Në artikujt tjerë ka përdorim edhe të elementeve të retorikës. Qëllimi i artikujve është për të zgjuar ndjenjat tek lexuesi. 

Përdorimi i fotografisë

Fotografia në gazetë ka funskione të ndryshme. Kjo zgjon interesim, konkretizon çështjen dhe na ndihmon që të njofim më mirë aktorët e ngjarjes. Fotografia është edhe për të ngjallur patos me qëllim që të bëjë paraqitjen e temës dhe ndodhisë me më shumë ndjenja dhe me më shumë dramatikë. Shprehja e fytyrës, ngjyrat dhe pjesë të fytyrës janë elemente “patosi”.Dikush do të mendonte së kjo mënyrë e të paraqiturit të këtyre personëve, përmes mediave, është vetëm një gazetari garuese për të ndryshuar qeverinë apo politikat në pushtet. Por, që të dyja gazetat përdorin emrin e politikanëve edhe si mjeshtri për të freskuar formën e gazetës. E, kjo bëhet me qëllim nga nevoja për të nxitur shitjen e gazetës dhe përfitimin e të hollave. Pra tronditja dhe befasija është një nga strategjitë e këtyre gazetave, e çka në Express kjo “strategji” është e shumëtheksuar. Fotografia është pjesë e lojës gazetareske për të përforcuar lëmbresën e një teksti/artikulli. 
Për të bërë matjen e fokusimit në person është me rëndësi edhe hulumtimi i fotografisë. Janë tre kategori që mund të ndihmojnë në matjen e fokusimit në person: 
1. FotoPortreti i personit: Një prapavi neutrale ku fytyra e personit është më e rëndësishmja, Këtu nuk ka elemente tjera relevante të fotografisë. Pra fytyra është në epiqendër të artikullit. 

2. Fotograifa Person – Temë: Këtu disa person apo një person luajn një rol qëndror por së bashku me një situatë, një ambient apo një ndodhi. Këtu prapavija është me rëndësi të madhe, sepse këtu prezentohet dhe ilustrohet edhe ndodhija. 
3. Fotografi të pastra mbi ndodhinë: Fotografitë këtu prezentojnë një trup fizik, një apo shumë shtazë, një peisazh, një ambient të qytetit etj. Fotografia mund të jetë e zbrazët nga personët por mund të këtë person kalimtar, si statist të paidentifikuar. 

Ja rezultatet e analizës
171 prej gjithsejt 207 artikujve janë të fotografizuara (artikuj të paraqitur me fotografi). Pra pothuaja secili artikuj ka qenë me foto në të dy gazetat. Tek Express 94 nga 119 artikuj kishin fotografi, përderisa tek Info Press 77 nga 88. Arsyeja se pse vendoset fotografia në tekst, është se lexuesit janë më shumë të interesuar për lexim nëse artikulli është i “fotografizuar”. 
Përdorimi i fotografisë në temë tregon në vetëvehte së në cilën shkallë fokusohen gazetat në person. Shumica e fotografive në artikuj kan si kryemotiv personat. Argumenti se Express ka më shumë fotografi në një artikull se sa gazeta Info Press, tregon se gazetaria këtu është me shumë e fokusuar në person. Mirëpo nuk është e mjaftueshme vetëm të numërosh fotografitë. Ne duhet të shiqojmë se çfar lloj motivi kanë këto fotografi. 

Ja rezultatet: 
FotoPortreti i personit 61 % (106) 
Fotograifa person – temë 31 % (54) 
Fotografi të pastra mbi ndodhinë 7 % (11) 
Shofim se ka shumë pak fotografi të pastra mbi ndodhinë; më shumë dominojnë fotoportretet e personave. Një ndër sqarimet kryesore se pse përdoret në të madhe fotografia e personit është së asnjë nga gazetat tona nuk janë të shitura me pajtueshmeri javore, mujore apo vjetore; andaj redaktorët janë të varur nga shitja e gazetës cop copë e, fotografia është një magnet i fuqishëm për të manipuluar me psikologjine e lexuesit, dhe në këtë mënyrë “të detyroj” blerjen e gazetës, mu duke ju faleminderuar, elementit fotografi. 

Express ka gjithsej 94 artikuj me fotografi
FotoPortreti i personit 69 % (65) 
Fotograifa person – temë 21 % (20) 
Fotografi të pastra mbi ndodhinë 10 % (10) 

Info Press ka 77 artikuj me fotografi 
FotoPortreti i personit 64 % (50) 
Fotograifa person – temë 31 % (24) 
Fotografi të pastra mbi ndodhinë 3 % (3) 

Përfundime interesante. Edhe pse ky material është relativisht i kufizuar për të arritur në përfundime të sigurta, kjo analizë qartëtregon, se gazeta Express në masë jo të madhe përzgjedh dhe përdorë fotografinë që ilustron, si temën e poshtu edhe personin. Përderisa kjo gazetë zgjedh kryesisht fotografi të personave (fotoportrete). Edhe Info Press është e fokusuar në Fotografi të personave, por në një masë paksa më të ulët se gazeta Express. Në Info Press paraqiten më shumë politikan që qëndrojnë në një lidhshmëri me temën, se sa tek Express. Për Express është e dallueshme paraqitja e fotografisë së madhe të personeve (fotoportrete) dhe, ky mbidominim i kësaj strategjije fotografike është pothuaja në secilin ballinë të saj. 

PJESA E TRETË E ANALIZËS 

Anët e këqija të fokusimit në person dhe përmbledhja e analizës

Përqëndrimi i tepruar në person në gazetarinë politike përpara procesit dhe thelbit të ndodhisë zvoglon vlerat informative të artikullit në shumë menyra: 
1. Mbiçmimi i personit para temës/ndodhisë mund të largoj përqëndrimin nga ajo se rreth çkaje bënë fjalë tema e artikullit. Nëse bëhet përshkrimi i një konflikti politk eksluzivisht nga pikënisja në person, lexuesi lehtazi humbë kuptimin për konfliktin dhe problemtikën e saj. Konflikti artificialisht përzogëlohet e zhvlerësohet, ndërsa pesha e personit përzmadhohet e mbivlerësohet. 
2. Fokusimi në person mund të bëj politkën më pak relevante për popullin. Nëse lexuesit e gazetave fitojnë përshtypjen se politika bëhet vetëm përmes intrigave të personave dhe koridoreve e zyrave të parlamentit, kjo mund të ligështon e largon interesimin e popullit për kyçje në politkë. Populli është i interesuar të kuptoj se si është situata e sigurisë në Kosovë, si është puna me “decentralizim”, si është ekonomia e familjes, dhe si funksionon sigurimi shëndetësor. Mirëpo nëse fokusimi në person është mbidominues në këto artikuj, atherë humbet e shuhet ndjenja për të debatuar, për tu kyqur e për të ndjekur politkën dhe proceset poltike. 
3. Gjuetia pas të rrallës, intrigat e mbushura me konflikte mund të qojnë aty ku shumë çështje relevante politike nuk debatohen e nuk publikohen. 
4. Fokusimi në person mund të avansoj një perspektiv singulare/njëjse. Pra, çdo gjë duket si një seri e veçantë dhe të izoluar dhe pa ndnonjë lidhshmëri logjike. 
5. Disa person fitojnë një vëmendshmëri të tepërt e të panevojshme mediatike. Fokusimi në “personat elit” mund të jap një kuptimësi të shtrembër të shoqërisë. Kjo u jep lexuesve bindjen dhe mendimin se janë një, dy apo tre person të veçantë që udhëheqin e drejtojnë me proceset politike në Kosovë, e, jo fuqia kolektive intelektuale dhe politke e popullit shqiptar. 
6. Fokusimi në person mund të duket edhe si budallallëk; kjo edhe apelon tek mentaliteti ynë; tek ndjenjat e jo tek logjika e arsyeja. 

Anët e mira të fokusimit në person 

1. Fokusimi në person është pra një mjet i cili përdoret për të zgjuar interesimin tek lexuesi dhe “të vjedhë vëmendshmërinë”. Sipas hulumtuesit amerikan Rudolf Flesch tekstet që bëjnë fjalë për njerëzit do të zgjojnë më shumë intersim se sa tekstet që nuk bëjnë fjalë për këta. Sepse ne çdo herë kërkojmë të identifikohemi me dikënd. Kjo strategji “human interest” (Flesich) është e mirënjohur në gazetari. Gazetarët e mirëshfrytëzojnë këtë eksperiencë me kënaqësi; sepse njerëzit janë të interesuar për njerëzit e tjerë. Shumë agjensi lajmesh e arsyetojnë këtë metodë, sepse këta në këtë mënyrë bëjnë që publiku të interesohet për të lexuar artikullin e, të cilin nuk do e lexonin nëse nuk do e kishin këtë fotografi dhe këtë fokusim në person. 
2. Profilizimi i politikanëve si person i bënë këta që të paraqiten si njerëz, dhe kjo na ndihmon që të njifemi me këta. Identifikimi, individizimi dhe intimiteti janë elemente të këtij grupimi. Nëse në identifikohemi me politkanët, atherë ai bëhet si Unë dhe Ti, e jo si një “terminator” i cili nuk e njef skamjen dhe sëmundjen e shoqërisë shqiptare në Kosovë. 

Përfundim 

Si përfundim del se artikujt e Express-it, në shumë mënyra, më shumë janë të fokusuar në person, por këtu nuk qëndron shumë larg asdhe gazeta Info Press. Përderisa 69 përqind e artikujve të Expressit, mund të klasifikohen si “të fokusuara në person”, në artikujt e gazetës Info Press janë “vetëm” 64 përqind të artikujve të fokusuara në person. Info Press ka më shumë fotografi për një temë, dhe më pak fofografi për temat. Tek Express ka ca më shumë fotografi për temat. Expressi përdorë më shumë emrat e personëve në kryetitull, por kjo dukuri është shumë pak më e vogël tek Info Press. 
Shtrohet pyetja se a është i mirë fokusimi në person në një artikull politk? 
Sipas mendimit tim fokusimi në person mund të jetë edhe një mjet i përshtatshëm për të shndëruar një temë të komplikuar në një temë më të sqaruar e më të lehtekuptuar për lexuesin. Pra, kjo mund të bëjë një temë më konkrete dhe më tërheqëse. Mirëpo nuk duhet harruar se qëllimi i gazetarisë së mirë është që të bëjë lexuesin me të informuar pas leximit të artikullit. Nëse artikulli nuk e bënë një gjë të tillë atherë treguesit thonë së kemi të bëjmë me një gazetari “të keqe”. P.sh karakteristikë e veçantë e Expressit është së kjo “peshkon popullin” për të lexuar për politkë duke paraqitur temat mu përmes një fokusimi në Fotografi të pastër të portretit të politikanëve. E kjo është e dukshme që në ballinën e saj. Ku, mbi 90 % të faqës është e mbuluar me fotografi, dhe mbi këtë fotografi, me shkronja të mëdha e me tituj bombastik, kemi 10% tekst si kryetituj. 
Të dy këto gazeta nuk e kanë arritur qëllimin e tyre të plotë informativ: E them këtë sepse gjysma e temave nuk i ofrojnë lexuesit informacione, fakte, të reja dhe alternativa mbi temën por, para së gjithash, artikujt e këtyre gazete sjellin informacione, fakte e ndodhi mbi VIPpersonët partiak. Pra është një “persongazetari” apo gazetari e “njëshave”. Në bazë të kësaj analize mund të theksoj se gazetaria politike në Kosovë, në një masë të tejmadhe, ka të bëjë rreth personave/individëve, e jo për proceset politike. Shembull: Kemi këtu artikullin “Shkëmbime rivalësh” (Express, 7. prill.08), ku këtu dominojnë dy fotografi të mëdha; Njëra e z. Thaqi e tjetra e z. Haradinaj. Të dyja këto fotografi janë të shumëafruara njëra tjetrës. Lexuesi fiton përshtypjen se këta dy person janë aq të acaruar sa që po pregatiten për të dalë në ring. E ky trik gazetaresk i Expressit kategorizohet si fokusim në person. 
Kokëfortësisht “gazetaria jonë” politike, është e përqendruar në pasojat e vendimmarrjeve politike-, por ky përqendrim në pasoja është duke u bërë në drejtim e në mënyrë të gabuar; Në vend se të thuhet diçka rreth asaj se çfarë pasojash do të kenë për Ty dhe për Mua vendimmarrjet e gabuara politike nga këta njerëz të parlamentit të Kosovës, gazetarët shkruajnë e përqendrohen në atë se çfarë pasojash “fatale” do të kenë këto vendimmarrje për ministrat e për individët partiak; “Harrohet” populli i varfër, “harrohet”, shkelet e përbuzet femra shqiptare, “harrohet” e manipulohet me fshatin dhe fshatarët…pak flitet për 40% të popullsisë sonë…për fëmijët tanë. 
Gazetaria e mirë politike duhet të jetë e orientuar në pasojat-, por në pasojat që do përballohet lexuesi, pra populli, e jo gazetaria e cila është “e merakosur” për pasojat “fatale” të individëve partiak. 
Analiza të përkujton diktaturën e medieve të kohës së Titos dhe sistemin e tij të etshëm për kultin e personit.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …