Dëshmori i kombit Gëzim Ademaj u lind më 1 shkurt 1961, në fshatin Qëndresë (ish-Ratish i Poshtëm) të komunës së Deçanit, në një familje të varfër por të ndershme, bujare e mikpritëse.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërkaq shkollën e mesme dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, për shkak të rrethanave të vështira ekonomike, kreu një kurs aftësimi për polic, në Vushtrri, pas të cilit u punësua si polic në Ujmir të Klinës, ku punoi disa vite, deri në vendosjen e masave të dhunshme serbe. Në fillim të viteve ’90-të, Gëzimi ishte ndër të parët policë shqiptarë që e braktisi policinë, pa pranuar që të shërbejë nën regjimin okupues serb. Pas këtij akti u kthye në vendlindje, ku u mor me punë bujqësie. Pas një kohe u detyrua të emigrojë në Gjermani, ku mori statusin e azilantit politik. Mirëpo me krijimin e rrethanave të reja dhe shtimin e radhëve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i bindur se atdheu më shumë se kurrë kishte nevojë për kontributin e tij, në vitin 1997, Gëzimi u kthye në Kosovë për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë. Pas kthimit në atdhe mori pjesë aktive në të gjitha protestat dhe demonstratat e organizuara kundër pushtuesit serb, si dikur në fillim të viteve ’90-të.
Gëzim Ademaj ishte ndër të parët që u angazhua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Shtabin e Dukagjinit në Gllogjan, menjëherë pas Betejës së 24 Marsit. Sipas udhëzimeve të Shtabit për zgjerimin e radhëve dhe shtrirjen e mobilizimit ushtarak, që nga 20 prilli i vitit 1998, Gëzimi ishte anëtar i Shtabit Lokal të UÇK-së në Ratish, duke punuar në organizim dhe në masivizimin e radhëve të UÇK-së, por edhe duke marrë pjesë në luftime kudo që e kërkonte nevoja. Pas ofensivës së shtatorit 1998, dhe riorganizimit të radhëve të UÇK-së, u sistemua në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, si komandant togu, duke kryer me përgjegjësi të lartë detyrat luftarake, deri në rënien e lavdishme.
Luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj, të mbështetur edhe nga njësitet e tjera të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, në fillim të vitit 1999, kishte një muaj radhazi që në vijën e frontit Gllogjan-Ratish-Dashinoc, po bënin rezistencë të jashtëzakonshme, me ç’rast forcat serbe ishin thyer në vijat e frontit në Dukagjin, veçanërisht në Ratish e Dashinoc, për më se një muaj rresht (17 dhjetor 1998 – 18 janar 1999). Përkundër përpjekjeve të përditshme për thyerjen e frontit, ku morën pjesë edhe njësitet e Armatës së Tretë jugosllave, të ardhura nga Nishi, forcat serbe nuk mundën të depërtojnë në zonat e lira të UÇK-së. Gjatë gjithë kësaj kohe armiku përdori taktikat e ndryshme, teknologjinë e rëndë të motorizuar, bombardoi dhe granatoi pa pushim pozicionet e UÇK-së, duke përdorur edhe helmet kimike e biologjike dhe mercenarët rusë. Dhjetëra herë provoi me këmbësori t’i shpërthejë pozicionet luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit në rajonin e përgjegjësisë së Brigadës 131, por pa sukses. Madje forcat serbe nuk hezituan të përdorin të gjitha taktikat dhe strategjitë e rafinuara për të depërtuar në pozicionet e UÇK-së. Pasi ishin thyer keq gjatë tentimit për depërtim kah drejtimi i Irzniqit, më 9 janar 1999, ato tentuan të depërtojnë kah drejtimi i Lumbardhit. Në vendin e quajtur “Te Kryqi i Dashinocit” (në mes fshatrave Pozhar e Dashinoc), gjatë shkëmbimit të zjarrit ranë dëshmorë luftëtarët Çelë Sokol Ukaj dhe Zef Rrok Gjokaj. Më pas në luftime ra dëshmor edhe Nikë Sokol Hajdaraj.
Edhe pse moti ishte i lig, gjatë gjithë kohës të rrahur nga të reshurat e pandërprera të shiut e të borës, në acarin e janarit, edhe pse ishin në vijat e frontit me pak ushqime, për shkak të intensitetit të lartë të luftimeve, njësitet e UÇK-së qëndruan të pathyeshme. Në anën tjetër, në radhët e armikut, sipas burimeve të kohës, pati dezertime të shumta dhe refuzime për të marrë pjesë në front. Forcat serbe nuk arritën të depërtojnë e as të tërheqin tërësisht teknikën luftarake (tanket, autoblindat e kamionët ushtarakë) që u kishte mbetur në vijat e frontit. Shtatë mjete të shkatërruara i tërhoqën, ndërsa pesë të tjera që ishin brenda vijave të frontit nuk arritën t’i tërheqin.
Në këto luftime Gëzim Ademaj, krahas bashkëluftëtarëve të tjerë, u dallua për guxim e trimëri.
Më 27 janar 1999, Gëzimi me një grup bashkëluftëtarësh i përbërë prej 94 vetash ishte ngarkuar me detyrën ushtarake të shkonte përtej kufirit të dhunshëm, në drejtim të Tropojës për furnizim me armatim shqiptar. Natyrisht kjo detyrë ishte ndër më të vështira, pasi në të shkuar duhej të dërgoheshin në Tiranë për shërim luftëtarët e plagosur në beteja, kurse në të kthyer duhej sjellur me krahë armatim e municion, si dhe rekrutë të rinj që vullnetarisht po u bashkoheshin radhëve të UÇK-së në Kosovë. Ky grup i luftëtarëve të lirisë me të cilët ishte nisur Gëzimi, në rrethana tepër të vështira, gjatë tri ditëve (27, 28 e 29 janar) bie në tri prita të forcave ushtarako-policore serbe: te Ura e Terzive në Bishtazhin, në Goden dhe në Rogovë të Hasit. Në këto luftime të pabarabarta bien dëshmorë 21 luftëtarë të lirisë dhe nëntë martirë të fshatit Rogovë e Hasit.
Në pritën e parë, te Ura e Terzive në Bishtazhin, afër një orë ishin zhvilluar luftime të rrepta me forcat serbe. Gjatë kësaj përleshjeje të pabarabartë bien dëshmorë Hamdi Berisha dhe Kasim Shala, të dy nga Ruhoti i Pejës, kurse ishin plagosur pesë luftëtarë të tjerë. Pa dyshim, humbje kishte pësuar edhe armiku. Në këto rrethana, një pjesë e grupit të luftëtarëve ishte detyruar të kthehej prapa në Shqiponjë (ish-Jabllanicë), ndërsa 25 luftëtarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe luftëtarët e dalluar në shumë fronte e beteja si Agim Zeneli – Çergashi, Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, Agron Rama, komandant i Brigadës 134 “Bedri Shala” (i cili ishte i plagosur dhe po dërgohej për shërim në Shqipëri), Gëzim Ademaj, Sahit Krasniqi, Daut Zagragja-Kelmendi, Memë e Pren Lleshi, Agush Gjoci e të tjerë, pasi e kishin shpërthyer pritën, ishin të vendosur që me çdo kusht të vazhdonin rrugën drejt Shqipërisë. Më 28 janar, në orët e hershme të mëngjesit ata ranë sërish në pritën e forcave të ushtrisë serbe te përroi i parë mbi Goden, në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar. Aty bien dëshmorë luftëtarët e lirisë, vëllezërit Memë e Prend Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës dhe plagosen disa luftëtarë të tjerë. Në pamundësi të depërtimit andej kufirit, grupi i luftëtarëve të mbijetuar kthehen në fshatin Goden e prej andej vazhdojnë rrugën për në Rogovë të Hasit. Aty në orët e hershme të mëngjesit të 29 janarit ishin rrethuar nga forca të shumta serbe, ku në betejë të pabarabartë bie dëshmor Gëzim Ademaj, me bashkëluftëtarët: Agim Zeneli – Çergashi, Agron Rama, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Luan Smajli, Valon Gashi, Naim Gashi, Daut Zagragja-Kelmendi, Bahtiar Morina, Haxhi Lipjani, Emrush Çeta, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi, Ilir Merturi e Vesel Avdyli. Po këtë ditë, në Rogovë u ekzekutuan nëntë banorë të fshatit për shkak të strehimit dhe ndihmimit të pjesëtarëve të UÇK-së: Rrustem S. Morina me tre të bijtë: Selmanin, Muhametin e Nusretin; Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala e Rifat Shala.
Gëzim Ademaj u varros me nderime të larta ushtarake në vendlindjen e tij, më 8 shkurt 1999. Rënia e Gëzimit dhe e bashkëluftëtarëve të tij ishte humbje e rëndë për UÇK-në, por bashkëluftëtarët e tyre dhimbjen e shndërruan në forcë, për ta çuar në vend amanetin e të rënëve. Edhe dëshmori Gëzim Ademaj u bë simbol i luftës e i qëndresës dhe frymëzim për bashkëluftëtarët e tij, ndër ta edhe për të vëllain, Nazimin, që të luftojnë edhe më me këmbëngulje deri në përfundim të luftës.
Gëzim Ademaj ishte i martuar dhe ka lënë katër djem: Valonin, Valmirin, Veprimin dhe Fitimin. Fitimin e emëruan me emrin simbolik të fitores, pasi u lind në ditë lufte, por i cili nuk arriti ta mbijetojë luftën. Ai vdiq foshnjë tremuajshe, në ofensivën e gushtit të vitit 1998, si pasojë e kushteve të rënda të luftës në malet e Zhebelit. Ka lënë pas vetes gruan Florijen dhe tre djemtë.
Familja e dëshmorit Gëzim Ademaj është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Komuna e Deçanit, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj. Heroizmi i dëshmorit është përjetësuar në këngë e lapidare. Pas përfundimit të luftës, në vendlindjen e tij i është ngritur një lapidar madhështor në shenjë përkujtimi e nderimi. Gjithashtu Gëzimi është përjetësuar edhe në lapidarin e përbashkët të të gjithë dëshmorëve e martirëve, pikërisht në vendin e rënies në Rogovë të Hasit. (F. R.)