Gjakova do të bëhet me stadium e fusha të tenisit sipas standardeve ndërkombëtare

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një pjesë të stafit të MKRS-së, ka vizituar Komunën e Gjakovës, për të parë investimet që po bën MKRS-ja në këtë Komunë. Me këtë rast, Ministrja Dumoshi është pritur në Komunë nga kryetari Ardian Gjini, ku edhe kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili ka për qëllim mbështetjen financiare për projektin “Ndërtimi i kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës”, në vlerë prej 250 mijë euro dhe që do të implementohet këtë vit. Gjatë takimit ministrja Dumoshi e kryetari Gjini biseduan për projektet e përbashkëta që ka MKRS-ja dhe Komuna e Gjakovës, në fushën e trashëgimisë e të rinisë si dhe investimet kapitale në sport. Në kuadër të vizitës, ministrja Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini morën pjesë në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë, ministria ka ndarë mjete në vlerë prej 1,1 milion euro, për fazën e parë të realizimit të projektit. Ministrja e Dumoshi vlerësoi se Gjakova ka traditë në sportin e futbollit gati një shekull dhe se ky investim, konkretisht, vënia gurëthemelit të stadiumit është një falënderim e mirënjohje për të gjitha gjeneratat dhe kontributin e tyre që kanë dhënë në sport, në këtë rast edhe në futboll. “Ne si Ministri e Kulturës Rinisë dhe Sportit po investojmë 1 milion e 100 mijë euro por edhe me rishikim edhe vitin e ardhshëm do të shikojmë për financim që të jetësohet ky projekt sepse është shumë i domosdoshëm për komunën e Gjakovës, për të gjithë njerëzit, për gjeneratat”, tha mes të tjerave ministrja, duke i vlerësuar edhe qytetarët e tifozët që i kanë përkrahur klubin e futbollit dhe sportin në përgjithësi. Ndërsa kryetari Gjini tha se përkundër vonesave e keqkuptimeve të së kaluarës, ministrja Dumoshi e ka mirëkuptuar maksimalisht për projektin në fjalë dhe falë saj po nis ndërtimi i stadiumit të Gjakovës. “Dy vite luftë kemi bërë për të nisur, herë dilnin fondet herë u heqshin, e kryem projektin pak më ambicioz se të tjerët që kanë pritur por, ky projekt duhet të mbijetojë shumë gjatë. Me ministren Dumoshi s’kam pas nevojë me luftu hiq menjëherë e kemi operacionalizu”, tha Gjini. Në tërësi, ministrja Dumoshi vlerësoi se investimet që MKRS-ja po bën në Komunën e Gjakovës do të jenë në dobi dhe interes të qytetarëve të kësaj ane dhe ajo ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që kjo gjë po bëhet e mundur. Po ashtu, ministrja Dumoshi foli edhe për memorandumin që nënshkroi me kryetarin Gjini për fushat e tenisit, ku edhe vizitoi terrenin në të cilin po ndërtohen fushat, projekt në të cilin ministria po investon. “Memorandumi që nënshkruam sot është një lajm shumë i mirë për tenistët. E di që Gjakova ka shumë tenistë dhe që funksionojnë 3 klube që garojnë dhe ata janë lojtarë shumë të mirë e që na prezantojnë. Ky memorandum është vazhdimësi e projektit. Pashë nga afër punimet që janë kryer deri më tani dhe 80% e punëve kanë mbaruar, por për ne është esenciale që të fillojmë menjëherë t’i ndërtojmë fushat dhe do të ndërtohen 4 të tilla në këtë kompleks. Ndërtimi po bëhet sipas standardeve e kritereve ndërkombëtare pasi tashmë sporti i Kosovës është ndërkombëtarizuar dhe po shpresoj që punimet deri në fund të vitit pothuajse të përfundojnë”, tha mes tjerash ministrja, duke premtuar se përkrahja dhe bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndërsa, kryetari Gjini u shpreh se MKRS-ja ka vazhduar ta përkrahë Gjakovën me projekte të reja dhe me vazhdimin e disa projekteve tjera, duke shprehur edhe falënderim të veçantë për ministren Dumoshi, sepse i ka shtyrë përpara projektet për Gjakovën.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu vizitoi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare

Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë dhe …