Sot TV Dielli shënon gjashtë-vjetorin e fillimit të transmetimit. Gjashtë vjet më parë, më 11 nëntor të vitit 2016 ka filluar transmetimin, Televizioni Dielli. Gjatë këtyre gjashtë viteve, ky medium elektronik ka krijuar një platformë me një përmbajtje të veçantë kombëtare, informative, arsimore dhe edukative, e cila është mirëpritur kudo nga shikues të shumtë në vend, në trevat shqiptare dhe në mërgatë.
Televizioni Dielli tashmë ka krijuar një platformë origjinale të emisioneve ditore, të cilat janë autentike, të pajisura me tema ndër më të ndryshmet dhe që përmbajnë veçanti të shumta, të cilat nuk janë sa duhet të pranishme në televizionet e tjera në vend e më gjerë.
Përveç informimit ditor, TV-dielli përditë transmeton filma dokumentarë për dëshmorët e kombit, për personalitete të njohura të historisë, kulturës, arsimit, shkencës, emisione të veçanta sikur është programi tematik, “t i njohim popujt e botës”, pastaj muzikë të zgjedhur burimore nga të gjitha trevat shqiptare, xhirime autentike të këngëtarëve të njohur, emisione të kontaktit, ku trajtohen tema të ndryshme nga e kaluara dhe aktualiteti.
Në TV-dielli përditë prezantohen monumentet e lirisë, pllakat dhe shtatoret e dëshmorëve të UÇK-së, pamje e panorama nga të gjitha qytetet e lokalitetet shqiptare.
Në TV-Dielli për ditë transmetohet edhe emisioni ditor i “Kalendarit Kombëtar” i pajisur me ngjarjet kryesore të historisë, traditës kulturore, jetës dhe veprave të personaliteteve më të njohura, ngjarje e ndodhi nga e kaluara e kombit…
Për gjashtë vitet e deritanishme, TV-Dielli, ka arritur të prodhojë qindra emisione autentike, të cilat shpalosin tema ndër më të ndryshmet. Besojmë dhe shpresojmë se TV-Dielli në të ardhmen do të pasurohet e do të begatohet me tema dhe emisione të reja, gjithnjë në shërbim të shikuesve tanë.