Gjekë Gjonlekaj: Jo të gjithë shqiptarët e Amerikës i kanë shërbyer çështjes kombëtare

Të gjithë shqiptarët e Amerikës nuk i kanë shërbyer çështjes kombëtare. Në Kontinentin e Ri, gjithmonë kishte individ dhe grupime që u gjetën në anën e kundërt të çështjes shqiptare. Në fillim të shekullit të kaluar, një pjesë e dukshme e shqiptaro-amerikanëve bashkëpunuan me organizata të huaja sidomos me ato greke. Ata vepruan kundër Imzot Nolit dhe shumë patriotëve tjerë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Kështu kishin bërë edhe disa shqiptaro-amerikanë nga ish Jugosllavia komuniste. Për interesa personale ata u vunë në shërbim të shtetit sllav që kishte pushtuar më shumë se gjysmën e tokave arbërore, duke i qëndruar besnik Jugosllavisë deri ditën e fundit kur po fillonte rrënimi përfundimtarë i atij shteti. Ata e braktisën anijen jugosllave pak para se të fundosej. Diktaturat ballkanike u përkrahën nga shqiptarët e Amerikës, bile edhe pas shëmbjes së tyre. Mërgata politike e Shqipërisë e pas Luftës së Dytë Botërore aty këtu bënte aktivitete për lirinë e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera në ish Jugosllavi, por ata e kishin të vështirë sepse atdheu i tyre Shqipëria vuante nën diktaturën e Enver Hoxhës. Shqiptarët e Amerikës nga trevat e tyre në Jugosllavi asnjëherë nuk u bashkuan seriozisht me mërgatën antikomuniste të Shqipërisë. Në disa zyra diplomatike dhe konsullore jugosllave në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara punonin edhe shqiptarë nga Kosova, nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia, por dihet mirëfilli se roli i tyre në Amerikë ishte i shumëfishtë.

 

Pas rënies së diktaturës në Shqipëri dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, Shtetet e Bashkuara filluan interesimin e tyre për çështjen shqiptare. Në mesin e tyre ishin disa politikanë amerikanë të korruptuar që kishin nuhatur pasurinë dhe bujarinë e shqiptarëve të Amerikës. Pas dollive të vazhdueshme me vera të shtrenjta në drekat dhe darkat luksoze në sofrat e shqiptarëve të Amerikës ata bënin deklarata pompoze, duke shfrytëzuar sinqeritetin dhe dobësitë e tyre kulturore e politike. Një pjesë të madhe të këtyre akrobacioneve i kishte orkestruar një ish politikan amerikan i dështuar si pasojë e skandaleve financiare në fushatat e tij politike. Ai dhe miqtë e tij në Kongres në emër të lirisë në Kosovë zhvatën nga shqiptarët e Amerikës miliona dollarë. Në fushatat politike në demokraci, premtimet janë alfa dhe omega. Kështu jeton dhe mbijeton politika në këto shoqëri: ”premto, premto se diçka mund të besohet”.

 

Interesat personale të shqiptarëve të Amerikës kanë shkaktuar ndarje të mëdha dhe dëme të papërshkrueshme për Kosovën dhe Shqipërinë. Çarja më e madhe e shqiptarëve të Amerikës është shkaktuar nga deklaratat e pavërteta të Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me Konferencën e Daytonit. Siç dihet kjo ishte konferenca e parë dhe më e madhe për çështje ballkanike në historinë e Shteteve të Bashkuara. Shqiptarët e Amerikës e prisnin me padurim këtë Konferencë duke menduar se atje do të bisedohej seriozisht për çështjen e Kosovës. Shqiptarët, dhe ata të Detroitit protestuan dukshëm para portës kryesore të asaj baze të famshme ushtarake. Në demonstratën e parë të Daytonit morën pjesë individualisht edhe disa shqiptarë nga New Yorku. Por Lidhja Demokratike e Kosovës në heshtje bënte thirrje për mospjesëmarrje në Dayton dhe të gjitha këto i bënte sipas porosive të Ibrahim Rugovës. Ata morën pjesë vetëm në demonstratën e fundit një dite para se të mbaronte konferenca, dhe këtë e bënë me kërkesën e Bujar Bukoshit që ato ditë ndodhej në Shtetet e Bashkuara.

 

Ndërsa i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për ish Jugosllavinë, Richard Holbrooke para se kishte filluar Konferenca e Daytonit kishte rënë dakord me Sllobodan Millosheviqin se atje nuk do të bisedohej asnjë fjalë për Kosovën, përndryshe dikatori serb ishte zotuar se nuk do të merrte pjesë në atë Konferencë. Diplomati amerikan proserb Richard Holbrooke ia kishte nënshkruar Sllobodan Millosheviqit dokumentin e asaj marrëveshje absurde thua se Kosova ishte në Arktik e jo në Jugosllavi. Ibrahim Rugova dhe besnikët e tij të LDK-ës kishin lansuar ato ditë propagandën gënjeshtare se gjoja Kosova ishte në rënd dite në Konferencën e Daytonit. Pyetjes sime shqetësuese në lidhje me çështjen e Kosovës në Konferencën e Daytonit, diplomatët amerikan iu përgjegjën shkurt: “Jo, këtu në Konferencën e Daytonit nuk flitet për Kosovën”.

 

Pas Luftës në Kosovë, Sekretarja amerikane e Shtetit Madeline Albright në librin e saj “Madame Secretary” e bëri shumë të qartë se Kosova ishte përjashtuar nga Konferenca e Daytonit dhe për këtë shqiptarët e kishin humbur shpresën se pa luftë të armatosur nuk do ta fitonin lirinë. Kështu ata u detyruan të themelojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por, për të siguruar fitoren e dytë të mandatit presidencial, Bill Clinton gjatë mandatit të parë kishte kërkuar me çdo kusht qetësi, që Kosova mos të bëhej një Bosnjë e dytë. Pas fitores së dytë presidenciale të Bill Clintonit me pëlqimin amerikan u themelua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Shtetet e Bashkuara duke parë rrezikun e madh dhe të pashmangshëm të agresionit serb në Kosovë, mbështeti organizmin e kësaj ushtrie çlirimtare. Disa udhëheqës të mbrapshtë të LDK-ës në Kosovë dhe në diasporë vazhduan propagandën e tyre të ndyrë dhe të pabesë kundër UÇK-dë. Fatëkeqëisht këtij grupimi iu bashkuan shumë organizata e shoqata shqiptaro-amerikane që deri në atë kohë kishin trumbetuar luftën e armatosur për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar.

 

LDK-ja në diasporë futi në këtë shërbim edhe disa ente fetare e organizata të hershme shqiptare siç ishte VATRA dhe disa grupe politike antikomuniste të Shqipërisë. Kolaboracionistët e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe në diasporë nuk u shqetësuan kurrë për masakrat serbe në Kosovë, bile as për masakrën e Prekazit. Rënjët e luftëtarëve të lirisë, kolaboracionistët i prisnin me gëzim e hare, sidomos këtu në New York. LDK-ja dhe besnikët e saj anuluan, pastaj edhe kundërshtuan demonstratën e 13 marsit 1998 në Washington. Gjoja për të shpëtuar Kosovën ata u lidhën me disa diplomatë e politikanë amerikan antishqiptar, siç ishte Richard Holbrooke. Jane Perlez e gazetës “The New York Times” shkruante gjatë luftës se takimet e shumta të Richard Holbrookut me Sllobodan Millosheviqin po e dëmtojnë rëndë Kosovën. Jane Perlez shkruante se Millosheviqi është duke blerë kohë nga Holbrooku për spastrimin etnik të Kosovës. Ai kishte krijuar një miqësi personale me diktatorin serb. Diplomatët amerikanë kishin frikë nga kjo miqësi. Ai u vu në dyshim nga personalitetet më të larta politike të Amerikës, sidomos nga kryetari i shumicës republikane në Senat Jessy Helms, i cili e kishte kundërshtuar me këmbëngulje emërimin e tij ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këtë mik të madh të Sllobodan Millosheviqit, kolaboracionistët e shpallën shpëtimtar të Kosovës.

 

Një diplomat i shquar amerikan i cili gjatë luftës ka bërë shumë për Kosovën tregonte për manovrat diplomatike të Richard Hollbrooke. Ky diplomat shumë i nderuar në Kosovë kërkon të mbetet anonim për shkak të kodit diplomatik, tregonte shumë hollësi për pabesinë e Richard Holbrookut në çastin e dorëzimit të ultimatumit Sllobodan Millosheviqit. Pavarësisht se ishte porositur nga Madeline Albright për kurrgjë më shumë se dorëzimin e ultimatumit, R.Holbrooke i kishte dhënë telefonin celular diktatorit serb, duke e pritur dy ditë në Budapest në mos po ndryshonte qëndrimin, dhe mundësisht ndalimin e sulmit të NATO-s kundër Jugosllavisë.

 

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Agim Nesho tregonte se Richard Holbrooke ishte angazhuar më shume se asnjë diplomat tjetër për pranimin e asaj copë Jugosllavie kriminale në OKB. Pranimin e atij vendi të përbuzur në Organizatën Botërore Richard Holbrooke e kishte quajtur fitore të madhe për Jugosllavinë dhe për OKB-ën. Ky tarak (coercer) siç e quanin në OKB, kishte drejtuar ceremoninë e pranimit të Jugosllavisë në OKB, duke u puthur e përqafuar me ministrin e jashtëm serb në podiumin e Asamblesë së Përgjithshme tregonte Agim Nesho. Pas detyrës në OKB, Holbrooke u bashkua përsëri me disa shqiptarë të pasur në fushatën presidenciale të senatorit John Kerry. Objektivi i tij ishte posti i Sekretarit të Shtetit. Gjatë kësaj fushate u premtoi shqiptarëve fusha e male dhe për këto premtime boshe për një natë i dhanë një gjysmë milioni dollarë.

 

Richard Holbrooke në librin e tij “To End a War” 400 faqesh i kushton Kosovës vetem një gjysmë faqeje dhe vën në dukje 4 herë përkatësinë fetare myslimane të shqiptarëve të Kosovës.

 

Gjatë Luftës në Kosovë, sidomos në fillim të vitit 1999 në Kongresin amerikan u diskutua shumë për ndërhyrjen e NATO-s. Disa personalitete politike në Kongres dashamirë të Kosovës ishin për një mundësi tjetër. Ata kërkonin me këmbëngulje mbështetjen financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Bile dy senatorët e njohur të Kongresit amerikan Joe Lieberman dhe Mitch McConnell bënë një rezolutë për këtë çështje. Senatorët Liberman-McConnell kërkuan fillimisht nga qeveria amerikane 25 milionë dollarë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por besnikët e LDK-së dhe miqtë e tyre amerikanë në Kongres kishin frikë nga fitorja e UÇK-s dhe bënë çmos kundër mbështetjes financiare të qeverisë amerikane për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ata u tërbuan kur dëgjuan se Konferencën e Rambujesë po e drejtonte përfaqësuesi politik i UÇK-ës Hashim Thaçi. Bile në lojë kundër Hashim Thaçit e futën edhe senatorin Bob Dole, i cili e kërkonte urgjentisht nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujes. Ky senator i stërlodhur nga pleqëria kishte pyetur ato ditë miqët e tij të LDK-së ku gjëndej ai “punk” (njeri i pa guximtë), fjala ishte për Hashim Thaçin, i cili dy vjet më parë e kishte vizituar në zyrën e tij në Washington, sigurisht se këtë vizitë ia kishin rregulluar miqët shqiptaro-amerikanë të LDK-ës. Mbase kishte vepruar sipas porosive të Jezusit: ”Fale Zot”. Historinët thonë se: “Perandoria e Romës kishte rënë kur i kishte trajtuar armiqtë si miq dhe anasjelltas”.

 

Vallë mos po ndodhë kështu edhe me Hashim Thaçin dhe udhëheqësit tjerë të PDK-së kohët e fundit. Hashim Thaçi ynë për të cilin jemi betuar në ungjill e në qitap siç duket nuk është më ai gjarpëri i kohës së Alberto Dinit të Jacksonit, apo të Kofi Ananit. A thua ndërkombetarët ia paskan hequr atë llëmbin prej të cilit kishin frikë të gjithë. Siç duket nuk është më gjarpër, por është boll, malësorët i thonë bullar.

 

Ҫka ndodhi me Hashim Thaçin dhe shokët e tij të luftës në PDK?

 

Pse nuk po e kundërshtojnë themelimin e Tribunalit të Kosovës?

 

Njerëzit pyesin mos ata kanë arritur ndonjë marrëveshje sekrete me ndërkombetarët në lidhje me amnistinë e tyre personale. Në gjyqësinë dhe në prokurorinë amerikane këto fenomene janë të njohura. Kur një mafioz burgoset për vepra kriminale, ai edhe mund të lirohet në qoftë se jepë informata të mjaftueshme për kryemafiozët e kësaj organizate. Kjo është një kaptinë e veçantë në drejtësinë amerikane.

 

Kohë më parë Ben Macintyre botoi librin me titull: ”SPY among FRIENDS”. Këtu është fjala për Kim Philbyn dhe “Tradhëtinë e Madhe”. Analistët thonë se kjo ishte tradhëtia e dytë më e madhe pas tradhëtisë së Judës. Të gjithë e dijmë se ajo tradhti kishte të bënte me shqiptarët. Bëhet pyetja mos vallë pas Tribunalit të Kosovës fshehet ndonjë Kim Phibl i Dytë? Një fjalë e urtë popullore shqiptare thotë: “Pushka e trimit dhe sofra e bujarit nuk mund të ndalohen kurrë”. Edhe kërcënimet e perendimorëve se gjoja OKB-ja do ta themelojë këtë Tribunal nuk mund të ndalohen. Por mund të bëhet pyetja si mund të themelohet ky Tribunal kur Kosova nuk ështe anëtare e kësaj organizate? Pse tri vendet anëtare të rregullta të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Anglia dhe Franca nuk do të përdornin veton kundër një rezolute të tillë siç bëri Rusia në rastin e Srebrenicës? Perendimorët nuk kanë qenë kurrë të sinqertë me çështjen shqiptare. Ç’prej Kongresit të Berlinit e deri sot ata kanë bërë hile me popullin shqiptar. Shumica e këtyre hileve lidhet me interesat ose frika nga Rusia. As Lufta e NATO-s kundër Jugosllavisë nuk ishte e sinqertë.

Nga këto sulme populli shqiptar i Kosovës pësoi 100 herë më shumë se populli serb. Pse nuk u sulmua personalisht Sllobodan Millosheviqi siç u sulmuan diktatorët e Lindjes së Mesme. Sikur të ishte vënë në veprim kjo taktikë Millosheviqi do të kishte kapituluar brenda ditës dhe Kosova do të shpëtonte nga tsunami serb.

 

Një fjalë e urtë popullore thotë: ”ush gomar se po del bar, por kur del bari cofi gomari”. Kështu ishte edhe rasti i Kosovës. Mua personalisht si një qytetar i thjeshtë shqiptaro-amerikan më vjen turp për thirrjet e djallëzuara të politikanëve dhe diplomatëve euro-amerikanë. Asnjëri prej tyre nuk i përmend asnjëherë veprat kriminale të Serbisë në Kosovë.

 

– Ku ështe ndërgjegjja e tyre?

– Pse nuk pyesin këta hipokrit kush i vrau Jasharajt?

– kush i vrau Deliajt?

– kush e vrau Reçakun?

– Kush i bëri 70 e sa masakra në Kosovë?

 

Kështu vepronin diktaturat komuniste kino-sovjetike me vendet satelite. Në mënyrë absolute duhet të dënohet çdo shqiptar që ka shkelë Konventën e Gjenevës të vitit 1949, por duhet të dënohen edhe ata serbë që kanë vrarë e prerë popullin shqiptar gjatë luftës në Kosvovë. Për dashurinë dhe respektin e perendimorëve për Kosovën po marrim një shembull nga fjalimi i nobelistes shqiptare.

 

Nëna Tereze ishte ftuar për një fjalim në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Clinton për ceremoninë tradiconale të Lutjeve të Mëngjezit. Për të thyer monotoninë e heshtjes gjatë fjalimit ajo tha një humor: “Një prift kishte vajtur në spital për të vizituar një të smurë nga kanceri. I smuri ishte ankuar priftit për dhimbjet e mëdha. Urata i kishte thënë të smurit duro se këto dhimbje të vijnë nga dashuria e Zotit. Atëherë i smuri i kishte thënë priftit. Të lutem thuaj Zotit se nuk më duhet një dashuri e tillë”.

 

Edhe perendimorët po i thonë Kosovës se këtë Gjykatë po e themelojmë për dashurinë dhe për të mirën tuaj. Fjala gjykatë është e frikshme, e lëre më burg. Isha i pranishëm në një prej dëshmive të Fatmir Limajt në Tribunalin e Hagës. Familjarët, sidomos gruaja e tij qante tërë kohën kur e shihte burrin e saj në atë kafaz. Ajo malësore shqiptare e Kosovës lëvizte ngadalë në heshtje me dy fëmijë përdore. Sot e kësaj dite i kutjoj ato skena të dhimbshme. Vallë mos ato dhimbje ia shkaktuan edhe vdekjen e parakohshme Zonjës Limaj.

 

– Pse shqiptarët dhe ndërkombëtarët nuk mendojnë pak për luftëtarët shqiptarë të lirisë dhe familjet e tyre?

 

– Pse nuk mendojnë pak për Sylejman Selimin, shokët e tij dhe familjet e tyre?

 

Me këtë akt brutal LDK-ja dhe kolaboracionistët po realizojnë aspiratat e veta kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas Luftës në Kosovë në mbledhje, në dasma ose në ceremoni tjera në Shtetet e Bashkuara flitej më shume keq për UÇK-ën dhe luftën e saj çlirimtare se për agresionin serb të Sllobodan Millosheviqit.

 

Arrestimet, burgosjet dhe dënimet e komandantëve të Luftës Çlirimtare te Kosovës u pritën me gëzim nga LDK-ja dhe shokët e tyre. Disa aktivistë dhe luftëtarë të “Batalionit Atlantiku” në New York pas dërgimit për herë të parë të Ramush Haradinaj në Hagë organizuam një demonstratë para OKB-s, për lirimin e tij. Spiunët e LDK-së kishin njoftuar policinë amerikane se një grup shqiptarësh të dyshimtë ishin mbledhur në zyrën e “Batalionit Atlantiku”. Pas pak arritën detektivët amerikanë dhe kërkuan shpjegime në lidhje me këtë aktivitet. Pasi ua treguam lejet e duhura të policisë së Manhattanit për demonstratën tonë, ata u larguan pa asnjë dyshim dhe kërkuan falje. Ata pohuan se dikush nga Arthur Avenue në Bronx i kishte thirrë në telefon. Pavarësisht atyre pëngesave ne zhvilluam demonstratën në mbrojtje të Ramush Haradinaj.

 

LDK-ja pas Luftës në Kosovë vuri në veprim, kërcënime, shantazhe, shpifje e fyerje banale kundër luftëtarëve të lirisë. Bile këto fyerje nuk i kursyen as kundër Hashim Thaçit e Fatmir Limajt, gjatë një takimi me shqiptarët e New Yorkut në verën e vitit 1999 në Royal Regency Hotel. Lus Zotin që Hashim Thaçi e Fatmir Limaj nuk e kanë harruar atë takim. Para dy vjetësh EULEX-I kishte dërguar hetuesit (investigators) në Shtetet e Bashkuara për të marrë informata për krimet e Luftës në Kosovë. Njëri prej komandantëve të UÇK-ës Gani Shehu, i cili ishte plagosur rëndë dy herë në Luftën e Kosovës tregon për hetuesinë që i kishin bërë në New York dy zyrtarët e EULEX-IT. Ata e kishin pyetur zotin Shehu për krimet e mundshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky luftëtar i njohur shqiptar tregon se i kishte kundërshtuar në mënyrë të vendosur akuzat e tyre. Njëri ishte amerikan e tjetri skocez, tregon Gani Shehu. Natyrisht se ata mund të kenë grumbulluar shumë rrena e shpifje nga servilët e LDK-ës dhe të spiunëve të ndryshëm amerikanë që kishin mbajtur lidhje deri ditët e fundit me Sllobodan Millosheviqin.

 

Qysh në fillim kisha një parandjenjë se lidhjet e Hashim Thaçit me LDK-ën do të përfundojnë keq. Ky koalicion po krijon një ambient të rrezikshëm në çështjen shqiptare, ku do të akuzohet edhe Shqipëria, sepse atje gjëndet ajo “shtëpia e famshme” e Dick Martytit. Ky Tribunal do ta shndërrojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Organizatë terroriste do ta bëjë Tahir Zemën kryeheroin e Kosovës, ndërsa Adem Jasharin “dorë të shtrirë të Millosheviqit”. Tribunali i Kosovës, Agim Ramadanin do ta quajë terrorist sepse ai kishte thyer gurët e kufirit mes dy shteteve të njohura ndërkombëtarisht.

 

Kolaboracionistët në krye me “presidentin historik” (Ibrahim Rugova – sh.b) do të quhen patriotë, ndërsa ata që dhanë jetën në fushë-beteja kundër makinerisë vrastare serbe do të quhen tradhtarë. Dick Marty mblodhi rreth vetes serbët më shovinist, kolaboracionistët shqiptarë dhe disa të huaj të pa besë për t’i hequr Kosovës atë pavarësi të cunguar. Për shpënzimet e kësaj Gjykate do të punojë e tërë Kosova. Kosova gradualisht po shndërrohet në një koloni klasike. Në qoftë se populli shqiptar i atij vendi lejon dënimin e luftëtarëve të lirisë, mbi Kosovën do të bjerë mallkimi biblik, siç kishte rënë mbi Izraelin, kur u bashkua me Ponc Pilatin e Romës në dënimin e të birit të vet Jezu Krishtit. Kosovë mos e prano këtë poshtërim.

 

– Autori është ish’gazetar i njohur i “Zërit të Amerikës”. Kontakti: [email protected].

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …