Në Mitrovicën e Veriut janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili njoftoi se mbetjet janë tërhequr nga ekipi mjekoligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejme mjekoligjore. Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, mbetjet mortore do të ekzaminohen për të përcaktuar nëse ato janë me interes forenzik dhe nëse potencialisht i përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur gjatë luftës. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur pritet të japë informacione shtesë pasi të përfundojnë verifikimet dhe konstatimet nga IML.
