Gjendja e rënduar e pabarazisë sociale, veçmas në Kosovë, nga viti në vit po thellohet e po degradon. Pasurimi enorm i të pasurve në vendin tonë, rritja qind për qind e pagave të atyre që janë të zënë me punë dhe paguhen nga taksapaguesit e vendit, mungesa totale e investimeve në krijimin e vendeve të punës, ka bërë që klasa e të varfërve, të ikë sa më parë nga vendi, me qëllim për të mbijetuar.
Kosova është shndërruar në një Republikë, ku Buxheti i Shtetit konsiderohet pronë private e Qeverisë në pushtet dhe e të pasurve, të cilëve u shumëfishon fitimet. Paraja publike po derdhet në autostrada të kushtueshme e ndërtime kapitale nga ku vilet fitimi nga tenderët qindra milionësh nga zyrtarët e lartë të vendit.
Po të mos uzurpoheshin paratë e buxhetit dhe po të mos destinoheshin në radhë të parë për përfitimet e qeveritarëve, mund të hapeshin dhjetëra mijëra vende punë, por kjo nuk është në agjendë të koalicionit qeveritar, edhe pse nuk mungon retorika e tyre e përditshme për krijimin e mirëqenies në vend, duke marrë për bazë mirëqenin e tyre, të familjeve e të afërmeve të tyre, militantëve e sekserëve partiakë.
Afër 20-vjet pas luftës dhe çlirimit të Kosovës, nuk ka ndërruar për të mirë pozita sociale në Kosovë, as janë ngritur të ardhurat për një banor, as është zbutur papunësia, as është përfillur dhe përfillet pozita e rëndë e klasës punëtore e fshatare në vend.
Privatizimi i fabrikave e kompanive, agjencive, uzurpimi i pronave nga mujsharët e politikës, ka varfëruar edhe më tej të varfrit, ndërsa ka pasuruar qindfish të pasurit dhe ish zyrtarët e regjimit pushtues serb e jugosllav.
Të gjithë ish drejtorët e kohës së Serbisë, zyrtarët e lartë të shtetit, disa nga bashkëpunëtorët e të gjitha regjimeve të huaja, sot janë magnatë dhe njerëz me shumë ndikim në jetën ekonomike dhe politike të vendit.
Ata kanë qindfishuar pasuritë, drejtojnë firmat dhe kompanitë më dobiprurëse në vend, krejt kapitalin e kanë të lidhur, sidomos me firmat e Serbisë dhe të gjitha përfitimet e tyre bëhen mbi kurriz të qytetarëve të Kosovës, sepse blejnë lirë në Serbi dhe u sheshin më shtrenjtë bashkëkombësve, në Kosovë e në Shqipëri, madje u shesin edhe mallrat e skaduar me vite të tëra, që Serbia i mbanë nëpër depo. Mallrave të skaduara ua ndërrojnë tiketat dhe e sheshin në Kosovë dhe në Shqipëri si mall taze, natyrisht me çmime pak më të lira, por me fitim të majme.
Krejt ky shfrytëzim i egër kapitalist bëhet mbi kurrizin e punëtorëve e fshatarëve, ndërsa paqja sociale blihet me pak para, duke i blerë krejt lirë përfaqësuesit e sindikatave, të cilat vetëm emrin e kanë sindikata, por për 20 vjet rresht ato nuk kanë arritur, as të unifikohen, as të marrin qoftë edhe një akt kundërvënie të vërtetë klasore kundër shfrytëzuesve. Ata, përveç se blihen nga krerët e shtetit, po ashtu qeveritarët i frikësojnë se nuk bën të protestojnë për shkak se Serbia mezi pret destabilizimin e Kosovës dhe krejt kjo, sipas politikanëve tanë të matur e të moderuar mund të ketë pasoja tragjike për vendin. Sindikalistët tregohen të suksesshëm vetëm në shkatërrimin e sistemit të arsimit, të cilat me greva të arrijnë qëllimet e tyre mbi kurriz të nxënësve dhe kundër çdo etike edukative e arsimore.
Masa kritike e shpërthimit të zemërimit social është konstante por ajo nuk lejohet të shpërthejë. Të varfrit, qindra mijëra të papunë, qindra e mijëra me paga deri në 200 euro, me lëmoshë sociale, 15.000 mijë veteranët e vërtetë dhe 45 mijë veteranët e rezervuar për vota gjatë zgjedhjeve, marrin nga 170 euro në muaj, më shumë se 100.000 familje në asistencë sociale jetojnë me 120 euro në muaj, kjo është e arritura sociale në Kosovë, kjo është jeta e shumicës shqiptare në Kosovën e lirë dhe të pavarur, e cila sado e mirë se ardhur për çdo shqiptar liridashës, nuk jep më shumë sepse, në kushtet e zhvillimit të kapitalizmit, nuk ka barazi, nuk ka program të mirëqenies së vërtetë sociale edhe pse ka një ministri me emër të tillë, në Qeverinë e Kosovës, krahas 20 të tjerave.
Dhe këta qindra mijëra shqiptarë, po të mos mbaheshim me eurot e dollarët që u dërgojnë të afërmit e tyre nga shtetet e botës, do të zvarriteshin nëpër malet e fushat e shteteve të Evropës, duke kërkuar azil social bashkë me sirianët, afganët e palestinezët. Kjo është ana “e zezë” e gjendjes në Kosovë.
Po Kosova ka edhe anën e vetë “të bardhë”, të favoreve e fitimeve, ka kapitalistë të rinj puro “shqipo” me kollare e me koka të rruara, ka milionerë e miliarderë, ka zyrtarë e qeveritarë, ministra e zëvendës-ministra, këshilltarë e zëvendës këshilltarë të këtyre ministrave e zëvendës-ministrave, ka bodiguardë e shoferë dhe zëvendës të tyre, ka shpura tarzanësh që të marrin gjak në vetull, ka femra bomba me syze të zeza e me muskuj si të meshkujve, ka tërë një klasë sunduese, e cila i ka të gjitha të mirat, dhe shumë nga ata na qajnë edhe hallin, dhe qe pesëmbëdhjetë vjet rresht na premtojnë liberalizimin e vizave, presin kohën kur do të na hapin dyert, sikur u hapin dyert kafshëve të egra nga Kopshti Zoologjik, dhe pastaj, lamtumirë Kosovë, e të mirë mbetsh, varfëri.
Ka Evropa jonë “e dashur” edhe shumë VC e mbeturina që duhen pastruar, ka nevojë për punë krahu, për ata që punojnë ditë e natë me kazmë e lopatë, ka nevojë për rojtarë e bujq e mirë e të vyer, që janë të gatshëm të gatshëm t’ i përvishen çdo pune të ndershme, por kur nuk ka të tilla ata i përvishen edhe çdo trafiku, çdo lloji të drogës e të gjitha marifeteve të botës së pasur kapitaliste. Me rëndësi është të na lënë të lirë të bredhim nëpër Evropë, sepse dimë si të gjendemi. Asnjë popull në Evropë, as në Azi nuk di të gjendet për të mbijetuar si dinë shqiptarët, sepse kështu kanë qenë të detyruar të veprojnë, gjatë tërë historisë së tyre mijëravjeçare, me qëllim për të mbijetuar për të mos u zhdukur. Ashtu sikur ka ditur të mbijetojë nën Romë e Bizant, nën sllavë e nën turq, nën italianë e gjermanë, nën serbë e jugosllavë, nën unmikistan e Evropistan.
Dhe ja tani, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese e shfrytëzuese, të cilën e luftuam dhe e dëbuam nga trojet tona, natyrisht edhe me ndihmën e atyre që deshën dhe na ndihmuan, tani në vendin tonë kemi krijuar klasën tonë të shfrytëzuesve, të kapitalistëve puro kosovarë, të mujsharëve tanë të cilët na shtypin e na shtrydhin, madje për këto “shërbime” kërkojnë edhe t’ i falënderojmë, sepse këta na paskan çliruar nga Serbia dhe kjo nuk është pak. Andaj edhe duhet të durojmë të paktën derisa të na i liberalizojnë ato viza, për të cilat po presim qe 15-vjet dhe pastaj, kah sytë këmbët.
Ky është preokupimi kryesor i Qeverisë dhe i Shtetit të Kosovës. Me liberalizimin e vizave na thonë se vjen parajsa për shqiptarët e Kosovës. Këtu edhe merr fund mundi e stërmundi i të gjithë zyrtarëve të vendit tonë, që aq shumë kanë dhënë dhe po japin kontribut duke rendur nëpër zyrat e kancelaritë e vendeve Evropës, me shpura kolektive zyrtarësh, prej 40 deri në 110 veta, të cilët tërë angazhimin e tyre po e derdhin për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve, kur një ditë do të hapen dyert e parajsës dhe Qeveria do të flejë rehat, sepse nuk ka më pse frikësohet nga trazirat sociale, edhe ashtu të tilla as ka pasur as do të ketë, përderisa ka rrugë të tjera, më të leverdishme, sot për sot, për nesër ka kush kujdeset.
Kriza sociale në Kosovë, në kushtet dhe rrethanat tona, me politikat aktuale qeveritare që po ndërmerren, vetëm mund të thellohet, po kurrsesi nuk mund të zgjidhet, pavarësisht se çka premtojnë socialdemokratët të majtë të qendrës, pavarësisht çka premton Vetëvendosja, sepse sistemi kapitalist, i cili është instaluar dhe po funksionin në Kosovë, nuk e ka preokupim barazinë sociale, të drejtat e punëtorëve e fshatarëve, mirëqenien e qytetarëve, por shfrytëzimin e tyre me të gjitha format e metodat. Dhe këtë po e bën, në të gjitha segmentet, madje po e bën më mirë se ata kapitalistët nga të cilët e kanë mësuar zanatin.
Andaj, punëtorë e fshatarë të Kosovës, gëzuar 1 majin Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Gëzuar pushimi e dëfrimi në “Gërmi”, gëzuar ëndrrat për liri, drejtësi e barazi.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
1 Maj 2019