Gjendja e sigurisë në Komunën e Vitisë nën kontroll

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) vlerëson se gjendja e sigurisë në Komunën e Vitisë është stabile, e qetë dhe nën kontroll. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se gjendja me pandemi akoma mbetet prioritet, por pa i harruar temat tjera. Sipas tij, sidomos, është shqetësues numri i madh i të hospitalizuarve. Ai kërkoi përgjegjshmëri të plotë nga të gjithë në luftën anti-Covid. Kryetari Haliti po ashtu njoftoi se në kuadër të muajit të pastrimit, në fillim të prillit, në mesin e shumë aktiviteteve ambientale, do të zhvillohet edhe aksioni i përbashkët me bashkësitë fetare dhe komunitetet për pastrimin e varrezave të të gjitha konfesioneve fetare, si pasqyrim i klimës së mirë të sigurisë dhe të jetesës së përbashkët. Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiteni Afrim Halili, tha se brenda dy mbledhjeve të KKSB-së, nuk ka pasur ndonjë rast që vlen të veçohet. Sipas tij, numri i rasteve kriminale, i vjedhjeve dhe lëndimeve të lehta, por edhe i aksidenteve në trafik, ka rënë. Kapiteni Halili tha se Policia po merret edhe me menaxhimin e gjendjes me pandemi dhe sipas tij ajo është nën kontroll, por duhet pasur kujdes. Me këtë konstatim u pajtua edhe nënkryetari Hasan Aliu. Ai tha se Vitia akoma është në zonën e verdhë, sa i përket pandemisë. Kryesuesi i KKSB-së, Imri Emërllahu ka bërë thirrje për kujdes të shtuar sa i përket pandemisë. Kurse, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, në Viti, Husamedin Hoxha, tha se BIK po mundohet të ruajë vlerat shëndetësore, duke respektuar masat në fuqi kundër pandemisë. Në kuadër të mbledhjes së KKSB-së u mbajt edhe një bashkëbisedim dhe këmbim idesh e përvojash me përfaqësuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, në lidhje me fuqizimin e Këshillave të Sigurisë në Bashkësi kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …