Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral brigade John H. Phillips, zëvendësshef i Departamentit të Komunikimit (G6) në kuadër të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë. Në takimin e përbashkët, komandanti i FSK-së dhe gjenerali amerikan, biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, përkatësisht Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, në fusha konkrete dhe bashkëpunime të frytshme. Me këtë rast, gjeneral Rama vlerësoi lart rolin e trupave ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, marrëdhëniet dypalëshe me Gardën Kombëtare të Ajoves, donacionet e pareshtura të Qeverisë dhe popullit amerikan për zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Gjatë takimit të dy gjeneralët biseduan edhe për sigurinë kibernetike, shkëmbimin e përvojave në mes dy ushtrive dhe në veçanti folën për objektivat e FSK-së dhe të Kosovës për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të fushës kibernetike, funksionalizimin e sistemit të sigurisë kibernetike në përballje me kërcënimet eventuale si në vend, ashtu edhe në rajon dhe me gjerë, bashkëpunimin me shtetet mike dhe partnere etj. Gjenerali Phillips se bashku me stafin e tij vizitoi edhe Kompaninë e Komunikimit, ku u mirëprit nga komandanti i kësaj kompanie, kapiten Fatmir Kajtazi, i cili pasi e falënderoi për vizitën, e njoftoi në pika të shkurtra rreth detyrave, pajisjeve dhe misionit të kompanisë që ai drejton. Më pas, të gjithë se bashku ndoqën trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së, në fushën e IT-së (“Cyber TCT”) dhe në fushën e radiosistemeve, të cilat janë duke u realizuar falë bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.