Pas nënshkrimit të Deklaratës për aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, gjenerali shqiptar në pension, Esad Çollaku, ka theksuar se kjo marrëveshje dërgon një mesazh të fuqishëm për Serbinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit që mund të kenë pretendime territoriale. Ai nënvizon se kjo është një përgjigje ndaj Beogradit, duke rikujtuar agresionin e Serbisë në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Kosovë gjatë luftërave të vitit 1990. Në lidhje me Shqipërinë, ai ka sugjeruar që forcat ushtarake të këtij vendi duhet të rriten dhe përgatiten më mirë përballë çdo kërcënimi të mundshëm. Reagimi nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë nuk ka munguar, duke e cilësuar marrëveshjen si “provokim” dhe duke kërkuar sqarime urgjente nga Shqipëria dhe Kroacia për synimet e këtij bashkëpunimi ushtarak.
