Gjenerali komandues i ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, Christopher Donahue, ka vizituar ushtarët dhe drejtuesit e Komandës Rajonale Lindore në Kampin Bondsteel dhe Camp Nothing Hill, ku ka vlerësuar përkushtimin e tyre ndaj misionit. Sipas njoftimit të KFOR-it, gjenerali Donahue ka shprehur mirënjohje për angazhimin e ushtarëve dhe është informuar nga afër mbi operacionet e përditshme. Gjatë vizitës, Donahue është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë dhe zbatimin e misionit paqeruajtës në Kosovë. “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
