Në një takim pune me një grup deputetësh dhe ish-deputetësh shqiptarë në Tiranë, gjenerali i NATO-s, Michael Barbero bisedoi për samitin e Aleancës dhe situatën në Iran e Irak. “Nuk është e vërtetë që SHBA kërkon të pushtojë Iranin. Vrasja e gjeneralit Soleimani ishte një parandalim. Irani ka organizuar disa sulme të sofistikuara, nuk kishte përgjigje nga ne”, deklaroi Barbero. Më tej ai shtoi se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur njerëzit. Sipas tij marrëveshja bërthamore me Iranin nuk ishte e mirë dhe duhet të negociojmë një tjetër. Kujtojmë se para disa vitesh në Irak, trupat shqiptare kanë qenë nën komandën e Barbero-s.
